Vendosa përfundimisht t’i shkruaj këto rreshta sot, vetëm mbasi dëgjova me vëmendje diskutimet e kolegëve të PS në debatin parlamentar mbi dekretin e Presidentit për ligjin e riciklimit të mbetjeve urbane. Të them të drejtën, jo se nuk e kisha menduar dhe kohë më përpara këtë temë, por atë ditë mendoj se ato që thanë një shumicë parlamentarësh opozitarë ishin ekstremisht insultive ndaj një vendi e populli shumë të afërt e miqësor me ne, ndaj Italisë. Në mënyrë të përsëritur, deputetë shumë aktivë socialistë dhe me përgjegjësi të larta në atë parti, artikulojnë në mënyrë konstante fyerje pa kulturë e të pabazuara ndaj realitetit italian. Këto synojnë, siç duket, që të krijojnë imazhin e gënjeshtërt të njësimit të Italisë me mafien, plehrat apo të tjera organizata kriminale. Këto synojnë jo vetëm të godasin, por dhe të denigrojnë shpeshherë personalitete të shquara të atij vendi mik, në mënyrat më banale dhe vulgare. Të ndodhë kjo në një gazetë të asaj partie apo diku tjetër në media, edhe mund të mos i jepet rëndësi, por të ndodhë kjo pa ndërprerje, në mënyrën më fyese, në sallën e Kuvendit, nga ata deputetë, kjo është e pafalshme. Unë këtu nuk dua të komentoj atë se çfarë përfaqësojnë në mënyrë personale ata deputetë që janë më të spikatur në këto sulme, sepse mendimi të shkon më larg. Duke i analizuar në tërësi prononcime të tilla, të shumë drejtuesve të PS në këto vitet e fundit, jo vetëm ndaj realitetit italian, por dhe ndaj disa vendeve të tjera mike, siç është Greqia, apo dhe ndaj disa përfaqësuesve të tjerë perëndimorë në Tiranë, të krijohet përshtypja se ajo parti së paku është tejet konfuze në linjat e politikave ndërkombëtare, për të mos konkluduar se noton në politika jo pro Perëndimit.
Duke përfituar nga këto pak rreshta, dua të tërheq vëmendjen e njerëzve racionalë dhe me vizion në atë parti, si dhe të opinionit tonë publik, se një gjë e tillë është krejt në mospërputhje me realitetin e atyre vendeve mike, marrëdhënieve tona, me pozicionin e Shqipërisë apo me interesat tona thelbësore. Italia nuk është mafia, qeveria italiane nuk sjell në Shqipëri mbetjet e saj, as e ka për qëllim e as ia lejon vetes këtë. Kryeministri aktual italian dhe qeveria e tij, ashtu si dhe të gjitha qeveritë italiane në të kaluarën, kanë qenë e janë mbështetësit më të fuqishëm të zhvillimit e integrimit të vendit tonë. Italia është donatori ynë kryesor, është partneri ynë strategjik. Italianët nuk janë keqbërësit e trafikantët, siç përpiqen t’i identifikojnë shumë nga eksponentët e PS. Italia është vendi e populli i vlerave të mëdha, mijëravjeçare, demokratike, të drejtësisë, historike, njerëzore, kulturore, ekonomike, miqësore. Italia ka qenë e është mbështetja jonë e madhe në rrugën tonë të zhvillimit e integrimit. Italia as e ka konsideruar dhe as e konsideron kurrë Shqipërinë si një depo mbeturinash, por si një partner të vërtetë, të njëjtë me vendet e tjera të zhvilluara, duke shkëmbyer me ne, së pari, zhvillim e progres. Italia është një nga vendet më të rëndësishme të Perëndimit, nga kolonat kryesore të BE. Politikanët e qeveritarët italianë kanë qenë e janë mbështetësit tanë më të mëdhenj në të gjithë rrugën tonë të zhvillimit, miqtë tanë të pazëvendësueshëm. Kjo është e vërteta e pamohueshme me të cilën nuk mund të spekulohet nga ata që kanë një vizion të deformuar për Italinë e Perëndimin. Në të vërtetë, janë këta spekulatorë që në esencë duan ta mbajnë Shqipërinë larg Europës e miqve tanë më të mirë, larg Italisë, Greqisë etj., ta mbajnë atë jo të integruar, për ta pasur këtë vend si një oazë kriminaliteti e plehrash, pa kontroll e pa rregulla europiane. Fatkeqësisht kjo është dhe një nga burimet e përpjekjeve dyvjeçare të disa klaneve në PS për të penguar apo vonuar në mënyrë konstante proceset tona integruese.
E them me shumë keqardhje këtë konkluzion aspak të këndshëm, sepse në një hark kohor jo të shkurtër kam konstatuar një deformim të thellë në marrëdhëniet ndërkombëtare të PS, gjë që, pa dyshim, nuk mund të ketë ardhur pa presione të forta negative të brendshme. Në sintoni me këtë janë dhe qëndrimet politike bllokuese në vend të lidershipit të PS prej dy vitesh, qëndrime këto që veçse kanë dëmtuar hapat tonë drejt Europës. Në funksion të këtij “vizioni të tyre të ri”, ata, edhe kur nuk guxojnë të prononcohen zyrtarisht, artikulojnë pa ndërprerje në gojën e disa deputetëve të tyre, në faqet e mediave të afërta me ato e deri te gazeta e tyre “Zëri i Popullit”, këto thashetheme të mbrapshme. Ajo që të bie në sy në këto materiale, edhe kur mungojnë sulmet direkte, është nënteksti keqdashës. Dhe kjo bëhet me shumë djallëzi, duke tentuar të krijohet opinioni se po goditet vetëm PD e Berisha. Kjo është njëra anë. Është e vërtetë që goditet PD e Berisha jo vetëm si një luftë politike normale, por dhe për faktin se këto janë forcat më perëndimore në vendin tonë. Ana tjetër, dhe më shqetësuesja, është se Italia kërkohet të paraqitet si një burim plehrash e trafiqesh për ne, Greqia si një shtet që do të na aneksojë territore. Po kështu dhe përfaqësues të vendeve apo organizmave të tjera shumë të rëndësishme, si p.sh. përfaqësuesi aktual i partnerit më të rëndësishëm të kombit tonë, atij amerikan etj., jo rrallë janë atakuar pa etikë në shtypin pranë apo të PS, qoftë dhe nga deputetë të saj, vetëm se kanë qenë të qartë dhe të drejtë në prononcimet e tyre.
Pra këtu kemi të bëjmë jo vetëm me një pështjellim e lajthitje politike të rastit, por me qëllime të mbrapshta të disa segmenteve brenda PS, qëllime që bien ndesh me realitetin e marrëdhënieve tona me Italinë, me ato vende, me Perëndimin, me vetë realitetin e atyre vendeve dhe të Perëndimit në tërësi, me interesat tona të përbashkëta e madhore me ata, me aspiratat europiane e perëndimore të popullit e vendit tonë.
© Panorama.al












