Të parët që do të japin provimin e shtetit janë të gjithë ata studentë që kanë përfunduar shkollën në vitin 2010.Bëhet fjalë për 10 profesionet ku ky testim është vendosur me ligj si i domosdoshëm. Në të kundërt nuk mund të ushtrohet. Nga sa bën me dije MASH, brenda datës 15 qershor të këtij viti, kush ka mbaruar studimet e larta në degët e Mjekësisë, Farmacisë, Infermierisë, Mamisë, Fizioterapisë, Veterinerisë, Arkitekturës, Inxhinierisë, Mësuesisë, Drejtësisë dhe profesione të tjera të rregulluara me ligj të veçantë, duhet të regjistrohen pranë urdhrave profesionalë. Për të nisur më pas shlyerjen e detyrimeve të ndjekjes së praktikës profesionale për 3 muaj. Regjistrimi pas këtij afati u heq kandidatëve të drejtën e regjistrimit në provimin e shtetit të sezonit nëntor-dhjetor 2011, çka do të thotë se duhet të presin sezonet e tjera për të marrë licencën e profesionit. Testimet e para për provimin e shtetit do të kryhen në muajt nëntor-dhjetor, ku deri në këtë afat duhet të kenë shlyer detyrimet e ndjekjes së praktikës profesionale për një afat kohor prej gjashtë muajsh. Veçanërisht për profesionet mjekësore, rregullorja përcakton që frekuentimi i praktikës do të jetë i ndryshëm për të diplomuarit dhe ata që janë në proces diplomimi. Konkretisht, bëhet e ditur se studentët që janë diplomuar pas hyrjes në fuqi të ligjit nr. 10171, datë 22.10.2009, “Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë”, do të merret parasysh periudha e praktikës profesionale të zhvilluar gjatë programit mësimor. Kjo, për një afat kohor deri në tre muaj. “Pjesëmarrja në provimin e shtetit me shkrim dhe me gojë lejohet vetëm nëse kandidati ka marrë provimin e diplomës universitare”, – thuhet në rregullore. Kërkesës duhet t’i bashkangjiten një sërë dokumentesh, duke filluar nga karta identitetit e deri tek fatura e pagesës së provimit të shtetit. Tarifat e provimit vijnë në rritje për kandidatët që e japin për të disatën herë provimin. Kështu, kush e jep për herë të parë këtë provim, paguan
30 000 lekë, kush e jep për herë të dytë, 50 000 lekë. Kandidatët kanë të drejtë ta japin deri në 5 herë provimin dhe për këtë radhë tarifa shkon jo pak, por plot 120 000 lekë. Ministria e Arsimit do të publikojë programet orientuese të provimit të shtetit 2 muaj para se të jepen provimet. Nëse nuk kalojnë provimin e shtetit, kandidatët i rikthehen sërish praktikës pranë urdhrave profesionalë. Veç vitit të parë të detyrueshëm, ata do ta kryejnë edhe njëherë këtë procedurë, e cila kësaj radhe zgjat 4-6 muaj. “Komisioni i provimit të shtetit vendos nëse kandidati duhet të marrë apo jo pjesë sërish në praktikë. Ky vendim duhet t’i njoftohet kandidatit në kohën e duhur”, – thuhet në rregullore. Sakaq, komisioni njofton urdhrat profesionalë, nëse pjesë e provimit apo i tëri nuk janë kryer me sukses dhe kanë kaluar afatet e ripërsëritjes”.
Dokumentet
. Kartë identiteti, certifikatë lindje dhe certifikatë familjare;
. Vërtetimi i Provimit të Maturës/Dëftesë Pjekurie (për ata që kanë përfunduar shkollën e mesme përpara vitit 2006) ose çdo dokument që provon se kandidati ka të drejtë të ndjekë arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë.
. Diploma e studimeve: Master Profesional apo Master i Shkencave ose Diplomë e Integruar të Nivelit të Dytë (DIND).
. Suplementi i diplomës (lista e notave e të gjitha lëndëve të parashikuara në programin mësimor të lëshuar nga universiteti)
. Dëshmia e pjesëmarrjes në praktikën profesionale, lëshuar nga institucioni i autorizuar nga UP-ja
. Raporti mjeko-ligjor
. Dëshmi penaliteti
. Vërtetim nga Prokuroria që nuk është në ndjekje penale
. Fatura e pagesës për provimin e shtetit











