Provimi i letërsisë, më 1 qershor, testi do të jetë i ndarë në 2 pjesë

May 15, 2011 | 9:45

Kanë ngelur vetëm dy javë nga provimi i parë i Maturës Shtetërore. Më 1 qershor, 40 mijë nxënës do të japin testin e letërsisë. Nga sa bëjnë me dije specialistët, testi do të jetë i ndarë në dy pjesë. Secila pjesë e testit përmban fragmente veprash ose pjesë letrare të periudhave dhe gjinive të ndryshme letrare. Në test  do të  përfshihen pyetje bazuar në pjesën e tekstit, pyetje që kërkojnë shpjegime, zëvendësime, komente, krahasime, analiza, interpretime, perifrazime, pyetje që kërkojnë nxitjen e imagjinatës dhe fantazisë së nxënësit dhe pyetje që kërkojnë përgjigje krijuese. Vështirësia e pyetjeve do të jetë e përshtatur për të tri nivelet e nxënësve. Rreth 80% e pyetjeve janë për nxënës të dobët dhe mesatarë. Testi i provimit përmban 25 kërkesa, nga këto, 13 janë me alternativa dhe 12 me zhvillim. Njëra nga pyetjet me zhvillim është ese. Për të marrë vlerësimin maksimal, maturanti duhet të mbledhë 50 pikë. Ndërsa koha e përcaktuar në dispozicion të çdo nxënësi për të dhënë përgjigjet e sakta, do të jetë vetëm 2 orë e 30 min. Dy ditë më parë, Ministria e Arsimit ka bërë publik udhëzimin për kohën kur do të ngujohen hartuesit e testeve në AVA. Një javë para datës 1 qershor, ekspertët e Maturës do të ngujohen në ambientet e Agjencisë Kombëtare të Provimeve për të përgatitur tezat finale të provimit. Aktualisht ka nisur puna për hartimin e fondit të përgjithshëm të pyetjeve, nga ku do të merren edhe 25 pyetjet finale, që do të bien në tezat e provimeve për secilin nga shtatë profilet e shkollave të mesme në rang vendi. Ndërkohë, në mbyllje të javës së ardhshme maturantët do të nisin zyrtarisht javën përgatitore për provimin e parë të Maturës 2011.

© Panorama.al

Te lidhura