11 efektivë policie kanë mbetur të lënduar nga hedhja e molotovëve dhe sendeve të forta drejt godinës së kryeministrisë dhe Kuvendit gjatë protestës kombëtare të opozitës, të zhvilluar mbrëmjen e 24 janarit kundër qeverisë. Ndërkohë, 18 protestues janë shoqëruar në polici.
Gazetarja Xhensila Kodra raporton se efektivët po marrin ndihmë mjekësore, ndërsa grupet hetimore po vijojnë punën për identifikimin e protestuesve që hodhën molotovët dhe sendet e forta.
Forcat e rendit hodhën gaz lotsjellës pasi protestuesit lëshuan molotov, sende të forta dhe fishekzjarre drejt Kryeministrisë, sapo kryetari i PD Sali Berisha përfundoi fjalën e tij.
Opozita protestoi sot duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe zëvendëses së tij, Belinda Balluku pas skandaleve të kësaj të fundit dhe vënien nën akuzë nga SPAK.
Nga selia blu, pas mbylljes së protestës 3 orëshe, Berisha tha se do të vijojnë betejën e tyre të vazhdueshme kundër qeverisë,
“Beteja me diktaturën është një qëndresë e vazhdueshme. Është një betejë e pandërprerë. Është një betejë, të cilën të pamposhturit opozitarë, ata që bëjnë të pamundurat, të mundshme, do ta fitojnë.”, tha ai.
© Panorama.al











