Protestuesi Erlis Sina, i cili ka replikuar sot në rrjetet sociale me kryeministrin Rama, ka marrë fjalën në protestën e 24-të radhazi para Kryeministrisë, duke iu përgjigjur deklaratave të kryeministrit dhe duke i bërë sërish të ditur, se nuk e konsideron veten mik të tij.
Sina deklaroi se Rama nuk mund të kuptojë hallet e tij dhe të qytetarëve, pasi sipas tij është përgjegjës për to.
“Unë jam Erlis Sina, ai i cili Edi Rama u zgjua sot në mëngjes dhe tentoi të bëhej miku im. Përgjigjen që ia dhashë, po e jap edhe nga këtu, unë nuk mund të jem miku i Edi Ramës, sepse ai ka tradhtuar Shqipërinë dhe shqiptarët”, tha ai, ndërsa shtoi se ai është përpjekur të përçaj protestuesit.
Ai tha se kishte ardhur në protestë me një pankartë ku thoshte se: ndryshe nga se ti e paraqite, unë jam në këtë shesh plot, ndërsa ti në këtë Kryeministri je vetëm. Dhe kështu i vetëm do të largohesh nga ajo zyrë dhe do të shkosh në burg. Do të japësh llogari për të gjitha qindarkat që u ke vjedhur shqiptarëve”.
Në fund të fjalës së tij, ai përsëriti thirrjen kryesore të protestës: “Rama jep dorëheqjen!”.
Erlis Sina: Unë jam Erlis Sina, ai i cili Edi Rama u zgjua sot në mëngjes dhe tentoi të bëhej miku im. Përgjigjen që ia dhash, po e jap edhe nga këtu, unë nuk mund të jem miku i Edi Ramës, sepse ai ka tradhtuar Shqipërinë dhe shqiptarët. Ndaj, Edi Rama, unë jam si ti dhe ti nuk mund të qash hallet e mia, sepse ti je shkaktari i tyre.
Shiko me vëmendje këtë shesh. 24 ditë je munduar të na përçash, të na bësh agjentë iranianë, grekë, serbë, por nuk ia ke dalë. Je munduar të na etiketosh, ky është i PD-së, ky është i çamëve, ky i grekëve. Ne jemi të gjithë shqiptarë. Vetëm në partinë tënde dhe të Taulantit partia është më e madhe se Shqipëria. Shqipëria është e para.
Sot kam ardhur nga një pankartë, ku ndryshe nga ti e paraqite, unë jam në këtë shesh plot, ndërsa ti në këtë Kryeministri je vetëm. Dhe kështu i vetëm do të largohesh nga ajo zyrë dhe do të shkosh në burg. Do të japësh llogari për të gjitha qindarkat që u ke vjedhur shqiptarëve.
Ndaj kam një thirrje nga zemra për të gjithë, bëhuni bashkë, lërini përkatësitë partiake, fetare. Sot ka ardhur dita të largojmë Edi Ramën nga pushteti. Ai i tha shqiptarëve “fuck you”, ne kemi vetëm një përgjigje për të: Rama jepe dorëheqjen!
© Panorama.al











