“Protestat nuk dëmtojnë vendin, por imazhin e Ramës”- Lubonja: Maska e kryeministrit është çjerrë! Ta kishte dhënë dorëheqjen 15 herë deri tani! Të flasë për milionat e Ballukut

Jun 15, 2026 | 15:15

Analisti Fatos Lubonja tha sot në studion e televizionit “News24” se maska e kryeministrit Edi Rama me keqqeverisjen e tij tani është çjerrë dhe pretendimi i tij se protesta masive e qytetarëve dëmton turizmin nuk është e vërtetë, pasi ato dëmtojnë vetëm imazhin e kreut të mazhorancës dhe ekzekutivit të tij.

lubonja1

Lubonja komentoi aktualitetin politik, zhvillimet e protestës dhe reagimet e fundit të kreut të qeverisë në rrjetet sociale, ku ka sulmuar përsëri protestuesit. Ai e akuzoi Ramën se me një grusht oligarkësh ka zaptuar pushtetin dhe ekonominë, me paratë e krimit, duke dëmtuar Shqipërinë dhe qytetarët.

“Kryeministri flet për Zvërnecin, por Zvërneci është në SPAK, po hetohet. Me oligarkët që marrin lejet me lekët e krimit, një grusht vetash, ekonomi që nuk është e qëndrueshme, banka betoni, duhet ta dijë edhe Rama këta. Paratë e krimit investohen në ndërtim. Protestat s’janë në dëm të vendit. E dyta, me atë që thotë se dëmtohet imazhi, po, po dëmtohet imazhi i Ramës dhe i qeverisë. Lidhjet që ka ndërtuar ai me Macron, Blinken, Meloni etj., i gjithë ky imazh dhe maskë është çjerrë, sepse është bërë shumë mullar ajo gjëja”, tha ai mes të tjerash.

Por Lubonja vuri theksin edhe tek ekonomia e lidhur me krimin, që e cilësoi si “tumor” për Shqipërinë, i maskuar me turizmin, duke iu përgjigjur Ramës se protestuesit po e dëmtojnë turizmin.

“Atje ka dhe biznesmenë normalë, por këtu bëhet fjalë për 1% kriminel të biznesit dhe ky thotë na dëmtohet Shqipëria. Shqipëria po proteston si ai 99% që ka simpati për popullin shqiptar. Ky është tumor, paratë e krimit janë një tumor që maskohet edhe me turizëm. Dhe nëse maskohet gjithandej, jo më turizëm, por as jetë nuk do ketë për shqiptarët. Shqiptarët duhet të kuptojnë se ka edhe vuajtje ky lloj tumori, pa edhe pasoja, edhe politikanët duhet ta kuptojnë se ndryshe do bëhet si me Piramidat e vitit 1997 që e lanë e lanë deri sa shpërtheu”, vijoi ai.

Lubonja e cilësoi hipokrizi sjelljen e kryeministrit:

“Pasi mbaron hipokrizinë se duhet etj., et., nxjerr fytyrën e vërtetë dhe sulmon. Ky duhet të ketë një moment dhe të mendoj, si gjithë njerëzit, po dale mos e kam tepruar pak me këta biznesmenët, mos kam gabuar këtu”.

Më tej ai i drejtoi pyetje publike kreut të mazhorancës, duke i thënë se ku ishte protesta e gabuar dhe ku ishte e drejtë, teksa shtoi se Rama duhet të flasë për 50 mln eurot abuzim që SPAK po heton për Ballukun dhe zyrtarët e lartë të dyshuar që janë dërguar në takimin e bosëve të krimit në Aruba.

“Të na thotë cilat janë të vërtetat e protestave, ajo pjesa e çiltër për të cilën flet. Ku kanë të drejtë apo ku ia fusin kot, të na thotë për atë 50 milionshin e Ballukut, që janë aty në dosje, po hetohen. Të na thotë për Artur Shehun dhe për atë Arubën, a kanë qenë atje zyrtarët e tij apo jo, a i ka çuar atje në ishull siç thonë spanjollët? A e dinte ky nëse është e vërtetë kjo, që ndërtohen këto kulla si “Mali i Tiranës”? Është detyra e shtetit t’i zbulojë, këto ka detyrë kryeministri”.

Analisti tha gjithashtu se Rama duhet të dorëhiqet, madje duhet ta kishte bërë këtë që me skandalet, Balluku, Ahmetaj dhe me AKSHI-n.

“Kryeministri i bën deklaratat nga kultura politike që ka. Kemi bërë mjaft kritika Rama ka bërë delegjitimimin e kritikëve, tani na quan hajvanë. Ka forcën policore, krimin e organizuar, forcën për të shtuar votën, forcën e një diktature dhe regjimi. Me forcën e regjimit ka thënë se armiqtë janë të jashtëm dhe të brendshëm, unë e kam mirë ju e keni gabim. Edhe të korruptuarit sot e dinë dhe ndjejnë se kjo është padrejtësi e madhe që i ka kaluar kufijtë, ai duhet të dorëhiqet. Më parë kanë qenë skandalet, Ahmetaj, Balluku, AKSHI, vetëm me një nga këto duhet të kishte dhënë dorëheqjen. Tani ka dalë edhe Aruba. Të gjithën ose do ta mbrojë me dhunë ose me propagandë, ndaj duhet që kushdo që ka ndjerë padrejtësi të derdhet në shesh. Nuk duam të shkojmë në dhunë”, deklaroi Lubonja.

Dhe më tej vijoi duke thënë se në çdo vend do ishte normale që me një skandal kryeministri të dorëhiqej, jo më me kaq shumë sa i kanë ndodhur Ramës.

“Rama deri tani duhet ta kishte dhënë 15 herë dorëheqjen, me gjithë këto skandale që kanë ndodhur”, tha analisti.

© Panorama.al

Te lidhura