Eksperti i IT dhe aktivisti Erion Demiri, i ftuar në programin e drekës në News 24, tha se postimet dhe akuzat e kryeministrit Edi Rama kundër protestës janë deklarata politike dhe nuk duhet të merren personale.
Sipas ekspertit kibernetik, turizmi nuk dëmtohet aspak për shkak se protesta është ndër më paqësoret e mbajtura ndonjëherë në vend.
“Çdo njeri që proteston aty ka pakënaqësi. Nuk mendoj se turistët tremben. Turistët shikojnë, lexojnë, informohen për atë që ndodh dhe shikojnë se protesta është paqësore, aty është rinia, ka edhe prindër me fëmijë, unë i kam marrë edhe vetë fëmijët e mi. Nuk ka protestë më paqësore se kjo, nuk kam parë në Shqipëri. Protesta po jep një shembull pozitiv. Askush nuk e priste dhe nuk e priste këtë protestë masive dhe të bukur. Unë do e shihja me shumë kujdes. Unë nuk marr vesh dhe as përfshihem në politike, por nuk duhet të nxitohet me protestën pasi ka qenë qytetare dhe pozitive”.
Ai theksoi se më e bukura e protestës janë të rinjtë, që siç deklaroi aktivisti shumë në Shqipëri nuk e dinin që kjo rini ekzistonte.
“Nuk do ta merrja personale, janë deklarata politike. Për mua gjëja më me madhe dhe e bukur është ajo rini që unë dhe shume të tjerë nuk e dinim që e kishim”, u shpreh ai.
Demiri deklaroi se të rinjtë këndojnë se bashku në shesh këngët me të cilat janë rritur dhe përloten nga Himni.
“Ka diskutime që janë të sakta parullat apo jo, por e vetmja provë e qartë si dielli është rinia aty në shesh. Rinia kujton dhe këndon këngët me të cilat është rritur, përlotet nga Himni”, deklaroi Demiri.
Për më shumë se dy javë të rinjtë e kryeqytetit dhe qyteteve të tjera në vendin tonë kanë dalë masivisht në rrugë për të kërkuar largimin e qeverisë, arrestimin e Edi Ramës, Sali Berishës dhe Belinda Ballukut.
© Panorama.al












