Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, deklaroi ditë më parë se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme, pasi partitë kryesore politike refuzuan mandatin për formimin e një qeverie të re që do të zëvendësonte kabinetin e mëparshëm, i cili dha dorëheqjen mes protestave të gjera popullore.
Sot, të hënën më 19 janar, Radev njoftoi edhe dorëheqjen e tij, pas 9 viteve në detyrë, një veprim që ka nxitur spekulime se ai mund të themelojë një parti të re politike.
Njoftimi erdhi pasi edhe Aleanca për të Drejtat dhe Liritë refuzoi ftesën e presidentit për formimin e qeverisë, duke u bërë forca e tretë politike që kthen mandatin. “Po shkojmë drejt zgjedhjeve”, deklaroi Radev nga pallati presidencial në Sofje. Sipas Kushtetutës bullgare, kërkohen tre përpjekje të pasuksesshme për formimin e qeverisë përpara se të shpallen zgjedhje të parakohshme.
Bullgaria ka zhvilluar shtatë zgjedhje kombëtare në katër vitet e fundit, me më të fundit në tetor 2024, në një klimë të thellë përçarjeje politike dhe shoqërore.
Kriza e fundit politike shpërtheu më 11 dhjetor, kur kryeministri Rozen Zheljazkov njoftoi dorëheqjen e qeverisë së tij pak minuta përpara se parlamenti të votonte një mocion mosbesimi. Dorëheqja erdhi pas javësh protestash kundër korrupsionit të përhapur shtetëror dhe një buxheti të planifikuar për vitin 2026, i cili parashikonte rritje të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe disa taksave për të mbuluar boshllëqet financiare të shtetit.
Pas dorëheqjes, u aktivizua procedura kushtetuese, ndërsa si koalicioni i qendrës së djathtë GERB-SDS, ashtu edhe forca e dytë më e madhe parlamentare, blloku reformist PP-DB, refuzuan këtë javë ftesën e presidentit Radev për formimin e një qeverie koalicioni.
Bullgaria, vendi më i varfër anëtar i Bashkimit Evropian, ka nevojë urgjente për stabilitet politik për të përshpejtuar përthithjen e fondeve të BE-së për infrastrukturën e amortizuar, për të nxitur investimet e huaja dhe për të luftuar korrupsionin sistemik.
Vendi me rreth 6.4 milionë banorë e adoptoi zyrtarisht euron më 1 janar, duke u bërë shteti i 21-të që i bashkohet monedhës së përbashkët, gati dy dekada pas anëtarësimit në BE. Qeveritë e njëpasnjëshme bullgare e kanë mbështetur këtë hap, duke argumentuar se euro do të forcojë ekonominë e brishtë, do ta afrojë më shumë vendin me institucionet perëndimore dhe do ta mbrojë nga ajo që zyrtarët e quajnë ndikim rus.
Protestat e vazhdueshme kanë nxjerrë në pah zemërimin publik ndaj korrupsionit dhe dështimit të qeverive të njëpasnjëshme për ta luftuar atë.
© Panorama.al












