Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha thotë se mbështet marrëveshjen me SHBA për një kredi për pajisjet ushtarake, por thotë se nuk do të pranojnë të votojnë procedura antikushtetuese.
Sipas kreut të PD, kjo marrëveshje nuk mund të futet me procedurë të përshpejtuar, siç ka vendosur mazhoranca.
“Kjo që ndodh sot në parlament brenda, ky është një akt tjetër i turpshëm i Edi Ramës, i cili një kredi të qeverisë së SHBA për qëllime mbrojtje, për çka PD është mirënjohëse, do me çdo kusht ta kalojë me procedurë jokushtetuese. Ka një përcaktim kushtetues, i cili nuk lejon votimin me procedurë të përshpejtuar pa një afat minimal njëjavor. Ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese para tre muajve ku konsideron votim jokushtetues votimin për Bordin e Paqes apo për një çështje tjetër. Por Edi Rama kërkon me çdo kusht të tregojë se Kushtetuta është një letër e vdekur për të, dhe se ky është një sundimtar që nuk ka ligj, as moral”, tha Sali Berisha.
Po ashtu Kreu i PD hodhi akuza ndaj kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, duke e konsideruar atë si skllav të Belinda Ballukut.
“Grupi parlamentar i PD ofroi propozimin e saj për të ndjekur rregullin kushtetues, që parlamenti të mblidhet edhe ditën e premte që vjen dhe të votohet. Por deputetet e vakancave, pasi ra dakord Nikoja, ai është skllav i Belindës, ka marrë edhe ky vilë…pasi e pranoi i thanë jo se ne kemi prenotuar vakancat, deputetët e partisë së krimit”, deklaroi lideri i PD.
Ndërsa i pyetur nëse do te marrë pjesë në seancë në orën 15:00 për shqyrtimin e kësaj marrëveshje, Berisha u përgjigj: “Qëndrimi i opozitës do jetë apo jo në parlament nuk ka rëndësi. Opozita nuk do pranojë kurrë të votojë në procedura antikushtetuese”.
Po ashtu, Berisha denoncoi edhe heqjen e flamurit tw NATO-s nga institucionet e vendit.
“Unë sot i shtroj një pyetje edhe Peleshit të tij, edhe Ramës: Pse në një akt të parë, zhdukët nga të gjitha institucionet e vendit, nga parlamenti, nga qeveria, flamurin e NATO-s.Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s dhe në qoftë se ka një flamur tjetër që ajo duhet të shfaqë, është flamuri i NATO-s, i cili ishte në të gjitha institucionet. Në një akt të parë, në një nga urdhrat më të parë, ai urdhëroi të hiqej flamuri i NATO-s nga të gjitha institucionet. Edi Rama është personi i vetëm në Evropën ish-komuniste që ka organizuar protesta të egra kundër anëtarësimit të Shqipërisë në NATO”.
© Panorama.al












