Protestat “bllokojnë” trofeun e Skënderbeut

May 20, 2011 | 10:42
Lojtarët e Skënderbeut, duke ngritur trofeun

Nuk kanë të sosur problemet edhe ecejaket për titullin e Skënderbeut. Pas polemikave të shumta, për mënyrën se si u fitua dhe incidenteve në ndeshjen e fundit me Flamurtarin në Vlorë, të cilat detyruan ekipin dhe Federatën që të mos kryente ritualin e zakonshëm të dhënies së trofeut, vjen edhe një tjetër problem, protestat e Partisë Socialiste. Në fakt, Kupa mezi ka mbërritur dje në Korçë, aq sa u desh ndërhyrja e kryebashkiakut, Niko Peleshi, për zgjidhjen e situatës, pasi në të kundërt trofeu ose do kishte mbërritur me shumë vonesë, ose s’do të kishte zënë vend fare në stadiumin e Korçës, çdo mund të sillte anulimin e ceremonisë. Dita e djeshme ka qenë mjaft problematike në rrugët shqiptare. Partia Socialiste, pati gjetur një mënyrë aspak normale për të kontestuar problematikën e zgjedhjeve vendore, duke organizuar protesta dhe duke bllokuar akset rrugore më të rëndësishme në vend. Kështu, dje është bllokuar për orë të tëra, edhe rruga Pogradec – Korçë, duke bërë kështu të pakalueshëm këtë aks. Në këtë kontekst, personat që shoqëronin trofeun drejt qytetit juglindor e patën të pamundur për të vazhduar rrugën. Kështu, u desh ndërhyrja e kryebashkiakut, Niko Peleshi, i cili shkoi vetë deri në Pogradec dhe shoqëroi trofeun e titullit kampion deri në Korçë. Më pas gjithçka vazhdoi sipas programit që kishin bërë organizatorët e festës, duke harruar për të paktën disa orë, problematikën që ka shkaktuar politika gjatë këtyre ditëve në Shqipëri. Festa vazhdoi me të ftuarit, këngëtarët dhe paradën e futbollistëve kampionë të këtij sezoni.

Klubi harron Muçen

Çudia dje në festën e Skënderbeut, ishte mungesa e ish-trajnerit të kësaj skuadre, Shkëlqim Muça. Ndonëse u tha nga drejtuesit se ai u largua në fundin e fazës së dytë, para ndeshjes me Flamurtarin, me konsensus. Dje ishte harruar të ftohej në ceremoninë e titullit, për të cilën natyrisht ka edhe ai kontributin e tij.

© Panorama.al

Te lidhura