Aktivisti Erjon Murataj deklaroi se protesta e qytetarëve, që vijon prej mbi një muaji, i ka shpallur luftë establishmentit politik. Në një intervistë për News24, ai komentoi edhe dhunën policore ndaj protestuesve përpara Kuvendit, ndërsa protestonin kundër deputetëve të ndodhur në seancë.
Duke e cilësuar dhunën policore si skandaloze, ai deklaroi se qytetarët dhe aktivistët e arrestuar janë dhunuar edhe në paraburgim.
“Protestuesit e dhunuar është skandaloze. Ajo që ka ndodhur sot se në paraburgim janë dhunuar protestuesit e arrestuar tregon frikën e kësaj qeverisje e pushteti nga kjo protestë ku në institucionet që paguhen nga taksa e shqiptarëve dhunohen nga ata që supozohet të jenë mbikëqyrës të rendit.
Kemi marrë vesh se ka pasur të dhunuar në paraburgim dhe nuk kemi reagim zyrtar. Kontrolli i brendshëm. Zero reagim. Ne sot në shesh do ta presim Ramën me tortë që të japë dorëheqjen dhe ta marrë me vete edhe Berishën.”, tha ai.
Duke komentuar sulmet e kryeministrit Edi Rama dhe figurave të tjera të PS-së ndaj protestuesve, duke i cilësuar si grekë apo agjentë iranianë, ai tha me ironi se tani qeveria do t’i etiketojë edhe si nigerianë.
“Protesta i ka shpallur luftë establishmentit 35 vjeçar. Presim epitetin nigerian. Nuk ka kuvend kombëtar. Dje është bërë mbledhja e një grupi pune. Kuvendi do të votohet para atij sheshi.”, shtoi ai mes të tjerash.
© Panorama.al












