Lidhur me protestën e sotme të Vetëvendosjes, Policia e Kosovës nëpërmjet një komunikate ka bërë publik sot Urdhrin Operativ si dhe shkresën e adresuar qytetareve të Kosoves. Në komunikatën e PK-së thuhet se “me qëllim të informimit të opinionit publik lidhur me protestën e nesërme nga subjekti politik Vetëvendosja, Policia e Kosovës ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme duke hartuar Urdhrin Operativ të quajtur “ Lëvizja dhe Qarkullimi i Lirë 2”.
Qëllimi strategjik i këtij urdhri operativ është;
* Siguria e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, Mbajtja e Rendit dhe Sigurisë Publike dhe Zbatimin e ligjit.
* Shtimin e masave të sigurisë për qarkullim të lirë të njerëzve dhe mallrave përgjatë rrugëve nga vendkalimi kufitar Merdare për në Prishtinë e tutje, si dhe nga vendkalimi kufitar Dheu i Bardhë për në Gjilan e tutje etj.
* Fokusimi dhe garantimi në mbarëvajtjen e qarkullimit të trafikut me qëllim të qarkullimit të lirë në rrugë si dhe moslejimi i vendosjes së pengesave në rrugë dhe në vendkalime kufitare etj.
Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe planit të hartuar, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike, lëvizjen e lirë të të gjithë qytetarëve si dhe mallrave përmes vendkalimit kufitar Merdare dhe Dheu i Bardhë dhe në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
Policia e Kosovës apelon tek të gjithë qytetarët që t’u shmangen të gjitha veprimeve të kundërligjshme dhe të mos bien pre e provokimeve.
Policia e Kosovës po ashtu i është drejtuar përmes një shkrese qytetarëvë, ku ka kujtuar obligimet e Policisë për ruajtjen e rendit dhe ligjit, si dhe të drejtat e qytetarëvë sipas ligjit për tubimet publike.
© Panorama.al











