Protesta e PD kundër mbylljes së TikTok-ut, Berisha: Rama mori vendimin, sepse të rinjtë e kritikojnë dhe e tallin! Ja pse ata nuk e duan kryeministrin

Mar 10, 2025 | 13:58

Kreu i Partisë Demokratike, foli sot për protestën që PD do të organizojë më 15 mars për të shprehur kundërshtimin për vendimin e qeverisë për mbylljen e përkohshme për një periudhë 12 mujore të platformës së rrjeteve sociale TikTok.

Berisha tha se protesta e 15 marsit do të jetë një protestë kundër censurës, ndërsa zbuloi se të rinjtë nuk e duan kryeministrin Rama për shkak të arrogancës që ai ka.

Berisha: Protesta kundër censurës po afron. Është një protestë që është mirëpritur jashtë mase nga nxënësit, studentët dhe të rinjtë, jashtë mase!
Ata, e konsiderojnë censurën një akt brutal direkt kundër tyre. Pra, qendrimi ndaj Tik Tokut është një qendrim censure. Sepse, nuk e mohoj që smartfoni ka një ndikim tek të rinjtë dhe te fëmijët, në kuptimin e konsumimit të kohës më shumë se sa duhet. Por, nuk është Tik Toku si i tillë. Jo!

Të gjithë, ata që kanë fëmijë e dinë se fëmija edhe pa dalë aplikacioni i Tik Tokut, preferonte të navigonte, lundronte në smartfon në google e këto të tjera.
Pra, është një akt hakmarrës i Edi Ramës ndaj kritikave që i bëjnë të rinjtë. Se ta keni një gjë parasysh. I riu, për definicion, nuk mund ta ketë kurrë arrogancën. Kjo ështëa rsyeja që të rinjtë nuk e pëlqejnë Edi Ramën. Nuk e pëlqejnë, nuk e duan, jo. Arrogant thonë. Dhe, pikërisht për këtë arsye ai mbyll Tik Tokun, se atë e kritikojnë, e ironizojnë, e tallin në Tik Tok. Pra, është një akt censure e tmerrshme, nuk pajtohet njeri me këtë gjë. Kështu që, do jetë një protestë kundër censurës, natyrisht e lidhur me mbylljen e Tik Tokut.

© Panorama.al

Te lidhura