Protesta e opozitës, ministri Lamallari vizitë në spital policëve të plagosur: Dhuna ndaj efektivëve dhe përdorimi i të miturve, të papranueshme

Mar 22, 2026 | 22:28

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, vizitoi në Spitalin e Traumës efektivët e Policisë së Shtetit të plagosur gjatë protestës së opozitës, duke dënuar ashpër aktet e dhunës ndaj forcave të rendit.

lamallari proteste spital

Ai theksoi se përdorimi i molotovëve dhe mjeteve të tjera të rrezikshme ndaj policëve, të cilët ndodheshin në krye të detyrës për garantimin e rendit dhe sigurisë, është i papranueshëm dhe i patolerueshëm. “Sulmet ndaj uniformës së shtetit nuk mund të tolerohen,” u shpreh ministri.

Lamallari ngriti shqetësim edhe për përfshirjen e të miturve në akte dhune, duke e cilësuar këtë si një formë të rëndë manipulimi dhe shfrytëzimi. Sipas tij, nxitja e fëmijëve për të ndezur molotovë apo për të hedhur fishekzjarre ndaj institucioneve dhe policisë përbën shkelje të rëndë ligjore dhe përgjegjësi penale për organizatorët.

Deklarata e plotë e ministrit Lamallari:

Në Spitalin e Traumës për të parë nga afër punonjësit e Policisë së Shtetit të plagosur nga molotovët dhe mjetet e rrezikshme teksa ishin në krye të detyrës për të garantuar rendin dhe sigurinë e qytetarëve. Sulmet ndaj uniformës së shtetit janë të patolerueshme!

Mjerim i madh e pabesi të vësh përpara të miturit, t’i shtysh të ndezin molotovë dhe të hedhin fishekzjarre ndaj institucioneve e punonjësve të Policisë së Shtetit. Kjo nuk është protestë, por akt i pastër manipulimi dhe shfrytëzim kriminal i të miturve.

Autorët, organizatorët dhe nxitësit e dhunës do të mbajnë përgjegjësi. Ne do të qëndrojmë fort në mbrojtje të ligjit, institucioneve dhe çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë.

© Panorama.al

Te lidhura