Protesta e opozitës, Koçiu: Policia nuk ushtroi dhunë, veproi në përputhje me ligjin! Shoqërimi i të miturit? U mor për verifikim! Hodhi gurë ndaj efektivëve!

Jan 27, 2026 | 13:13

Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu komentoi nga Kuvendi akuzat se policia ka ushtruar dhunë ndaj protestuesve gjatë protestës kombëtare të opozitës mbrëmjen e 24 janarit. Sipas saj, policia ka vepruar në përputhje me ligjin.  

kociu

Ministrja u shpreh se ishin efektivët e policisë ato që u përballën me dhunë, dhe në përgjigje, reaguan me përdorimin e gazit lotsjellës dhe ujin për shpërndarjen e tyre.

“Policia e shtetit e kreu detyrën e saj më së miri. Policia nuk ushtroi dhunë ndaj protestuesve, ajo që ndodhi ishte që policia u përball me dhunë. Gjatë tubimit, punonjësit e policisë u sulmuan me molotov, lëndë piroteknike dhe sende të forta para institucionet të rëndësishme dhe 11 u lënduan dhe u trajtuan në spital.

Policia ka vepruar në përmbajtje të plotë të rregullave, ligjit dhe ka bërë thirrje për ndalimin e dhunës dhe ruajtjen e karakterit paqësor të protestës dhe pasi këto thirrje u shpërfillën dhe rreziku u bë evident, atëherë institucionet dhe qytetarët ndihen të kërcënuar në këtë situatë, u ndërmorën masa për shpërndarjen e turmës sipas parashikimeve ligjore.”, u shpreh ministrja.

Ajo shtoi se protesta është një e drejtë kushtetuese, por hedhja e molotovëve dhe sulmet ndaj forcave të rendit cenojnë ligjin si dhe rendin kushtetues.

“Akuzat se policia ka përdorur forcë të tepruar apo mjete përtej nevojës janë të pavërteta dhe të pabazuara. Çdo veprim është kryer siç e kërkon ligji. Dua të theksoj se e drejta për protestë është kushtetuese por dhuna nuk është një e drejtë politike. Hedhja e molotovëve, sulm ndaj policisë nuk është protestë por shkelje e ligjit dhe e rendit demokratik. Nuk mund të mbrohen autorët e dhunës.”, shtoi ajo.

Duke u ndalur te shoqërimi i 14 vjeçarit në polici, ministrja theksoi se ai u dërgua në komisariat për verifikim pasi qëllonte me gurë ndaj efektivëve, por rezultoi se ishte 14 vjeç. Sipas saj, ai është mbajtur në një ambient të posaçëm deri në mbërritjen e përfaqësuesit ligjor, ndërsa akuzoi opozitën se e përdori atë si “mburojë” politike.

“Gjatë veprimeve të Policisë së Shtetit, siç është bërë e ditur, për parandalimin e shkeljeve të rrezikshme, është konstatuar një i mitur duke gjuajtur me gurë në drejtim të punonjësve të policisë. Me qëllim mbrojtjen e jetës së punonjësve dhe të vetë të miturit, ai është shoqëruar për verifikime. Bëhej fjalë për një shtetas 14-vjeçar. I mituri nuk është trajtuar në mënyrë të paligjshme, nuk është mbajtur në ambiente të përbashkëta me persona të rritur apo të ndaluar, por ka qëndruar në një ambient të posaçëm dhe të përshtatshëm. Pas mbërritjes së përfaqësuesit ligjor, i mituri është lënë i lirë. Askush nuk është mbi ligjin. Mos përdorni fëmijët si mburojë politike për të justifikuar dhunën. Kush nxit dhunë duhet të mbajë përgjegjësi penale dhe politike, ndërsa policia ka për detyrë të garantojë rendin dhe të mbrojë jetën e qytetarëve”, përfundoi ministrja.

Kujtojmë që në pranga u vunë 18 protestues, 17 nën hetim ndësa dy të tjerë u shpallën në kërkim për hedhje molotovësh dhe sende të forta ndaj policisë. 11 efektivë mbetën të lënduar dhe morën trajtim në spital.

Mes personave nën hetim ishin edhe 3 deputetë të opozitës, Gazment Bardhi, kreu i grupit parlamentar të PD, Luçiano Boçi dhe Klevis Balliu.Gjithashtu nën procedim u vu edhe Sekretari Organizativ i PD-së, Ervin Minarolli.

© Panorama.al

Te lidhura