Eksperti i IT-së Gent Progni, ka marrë fjalën në protestën e 31-të radhazi para Kryeministrisë, ku foli për incidentin e ndodhur gjatë ditës në protestën para Parlamentit dhe hodhi akuza ndaj policisë.
Në fjalën e tij, Progni tha se protestuesit hodhën 100 vezë drejt automjetit të Erion Braçes si përgjigje ndaj premtimeve që ai nuk ka mbajtur.
Po ashtu ai shtoi se nuk ishin ata që u përleshën me policinë në fillim, por kanë qenë efektivët ata që kanë sulmuar protestuesit.
Ndër të tjera, Progni tha se grushti që mori gjatë përplasjes me policinë, ishte grusht për të gjithë protestën. Po ashtu, sipas tij, shefi i Shqiponjave ka shtyrë dhe sharë protestuesit.
Gent Progni: A e patë sot se si gënjenin pa pikë turpi, kur thoshin se protestuesi e gjuajti me vezë policinë përpara? Ne i gjuajtëm me vezë, të them të drejtën, makinës së Erion Braçes, sepse e mbani mend shumë mirë kur na gënjeu.
Na ka thënë: “E doni naftën pa akcizë apo jo?” E mbani mend në zgjedhje. “A e doni uljen e TVSH-së apo jo? A i doni inputet bujqësore apo jo? A doni ulje të çmimeve të ushqimeve?”
Një mashtrues ordiner, që sot na del si opozitar, dhe prandaj ia mbushëm makinën e tij me 100 vezë. Dhe, për mendimin tim, duhet të kishim bërë më shumë.
Dhe pa asnjë arsye, shefi i Shqiponjave, e mbani mend policinë e shqiponjave që vrau Klodian Rashën, na erdhi, na shtynte, na shante pa pikën e kulturës. Ai grusht që unë mora sot është grushti që kemi marrë e gjithë protesta. Duke qenë se kemi kulturë, unë ia ktheva vetëm me një vezë.
© Panorama.al











