Protesta antiqeveritare hyn në ditën e 50-të, Partia Demokratike Europiane: Qytetarët paqësorë meritojnë të dëgjohen, jo të tallen! Kërkohet një ripërtëritje e thellë demokratike

Jul 19, 2026 | 16:06

Protesta kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama në Tiranë, ka hyrë në ditën e saj të 50-të, ndërsa mbështetja nga ndërkombëtarët për ndryshim politik në vend vijon të rritet.

eu protesta demokratet europiane

Në një reagim, Partia Demokratike Europiane thekson se qytetarët shqiptarë që po protestojnë në mënyrë paqësore duhet të dëgjohen dhe jo të shpërfillen apo të tallen.

“Mbrëmë, rrugët e Tiranës u mbushën sërish. Për 50 ditë radhazi, Revolucioni i Flamingove në Shqipëri ka vazhduar thirrjen për dorëheqjen e Edi Ramës, duke refuzuar njëkohësisht edhe një opozitë që shumëkush e sheh si pjesë të të njëjtit establishment politik të diskredituar”, thuhet në reagimin e tyre.

Sipas Partisë Demokratike Europiane, kërkesa e protestuesve nuk lidhet vetëm me një ndryshim qeverie, por me një proces më të gjerë të ripërtëritjes demokratike.

“Kërkesa e tyre nuk është thjesht për një ndryshim qeverie, por për një ripërtëritje të thellë demokratike, të ndërtuar mbi transparencën, llogaridhënien dhe sundimin e ligjit.

Protestuesit paqësorë meritojnë të dëgjohen, jo të tallen apo të shpërfillen. Flamingot nuk duhet të largohen kurrë. Ato duhen dëgjuar. Sepse pikërisht aty fillon demokracia”, thuhet në mesazh.

Demokratët Europianë

© Panorama.al

Te lidhura