TIRANE – Përgjimet telefonike ndaj disa personave të dyshuar si shpërndarës të dozave të kokainës në kryeqytet kanë çuar policinë në gjurmët e një rrjeti prostitucioni. Vëzhgimet ambientale kanë provuar përfshirjen e vajzave, që shfrytëzoheshin si prostituta në shpërndarjen e lëndës narkotike për klientët që kryenin mardhënie seksuale. Një prej prostitutave të tyre është arrestuar pak ditë më parë në kushtet e flagrancës në një hotel në autostradën Tiranë-Durrës, teksa ishte me një klient italian. Dy ditë pas arrestimit, Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë “arrest shtëpie” për Z.M., 20 vjeçe, të akuzuar për “prostitucion”. Në deklarimet e saj, Z.M. ka pohuar se ushtronte prostitucion për arsye ekonomike dhe se klientët e saj ishin të rastësishëm. Por, nga përgjimet telefonike ka rezultuar se klientët siguroheshin nëpërmjet telefonit nga i dashuri i saj. Sipas Prokurorisë, L. ishte një nga vajzat që ushtronte prostitucion në lokalet e shtrenjta të Tiranës dhe, njëkohësisht, kishte njohje me një nga djemtë e dyshuar si shpërndarës droge. Po sipas akuzës, ky i fundit, duke shërbyer si taksi, njëkohësisht bënte edhe shpërndarjen e lëndës narkotike nëpër përdorues, të cilët shoqërohen me shtetasen L. “Janë mbajtur nën vëzhgim dhe përgjim pikërisht ky grup vajzash, të cilat frekuentonin lokale të shtrenjta dhe, njëkohësisht, në disa raste, u jepnin klientëve të tyre edhe lëndë narkotike. Në kuadër të përgjimeve të këtij procedimi, është interceptuar aktiviteti i dyshimtë i shtetases Z.M., e cila ka frekuentuar persona të ndryshëm duke kryer marrëdhënie seksuale kundrejt pagesës, e cila kapte shifrat e rreth 100 eurove. Kështu, më datë 11.08.2011, rreth orës 00.30, shërbimet e policisë, të cilat kanë mbajtur nën vëzhgim shtetasen Z.M., kanë vënë re se shtetasja në fjalë ka ardhur në hotel “N…” me një mjet taksi dhe më pas është ngjitur në katin e dytë të këtij hoteli. Pas pak, aty është bërë ndërhyrja e shërbimeve të policisë, të cilat kanë kapur në flagrancë shtetasen e mësipërme, duke kryer marrëdhënie me një shtetas italian. E pyetur rreth këtij fakti, Z.M. sqaron se ushtron prostitucion prej një viti e gjysmë, duke e justifikuar këtë me arsye ekonomike. Ajo pranon se, në rastin në fjalë ka kryer një aktivitet të tillë kundrejt shumës prej 10.000 lekë të rinj. Z.M. sqaron edhe mënyrën e ingranimit të saj në këtë aktivitet dhe gjetjen klientëve. Ajo i pretendon si të rastësishëm, ndërkohë që nga interceptimet telefonike ato realizoheshin me miratimin e të dashurit të saj nëpërmjet telefonatave”, thuhej në materialet e Prokurorisë. ar.ba
Arrestimi i italianit
Gjatë vëzhgimeve ambientale të personave të dyshuar për shpërndarjen e drogës, policia ka ndaluar një shtetas italian në zonën pranë ish-Bllokut. Shtetasja L. i ka dhënë shtetasit italian R.C. një sasi lënde narkotike, ndërkohë që agjentët e policisë po e mbanin në vëzhgim. Sasia narkotike, afro 0.8 gramë, iu sekuestrua dhe pas analizave rezultoi se ishte kokainë. Italiani më pas u vu nën akuzë për “prodhim dhe shitje të narkotikeve”.











