
TIRANE – Ylli Kelmendi, një personazh i njohur për Drejtësinë shqiptare, i proceduar disa herë dhe ish-miku i Mirit të Xhikes, u përfshi dje në një tjetër incident me forcat e rendit të Tiranës. Incidenti ndodhi kur dy përmbarues i trokitën në derë për të ekzekutuar një vendim të Gjykatës së Tiranës për lirimin e banesës ku Kelmendi banon prej vitesh. Prona që përfshin sipërfaqen e truallit dhe banesën, të cilat i ishin ofruar Ylli Kelmendit për të jetuar nga miku i tij Fatmir Rama para se të vritej në vitin 2003, u është njohur nga gjykata vëllezërve të Mirit të Xhikes, Luan e Besnik Rama. Por Kelmendi ka protestuar kundër vendimit, duke qëndruar për rreth dy orë mbi tarracën e banesës ku jeton, në rrugën “Ali Visha” në Tiranë. Përmbaruesit dhe dy punonjës policie të Komisariatit Nr. 1, që ishin të pranishëm për mbarëvajtjen e ekzekutimit të vendimit të Gjykatës, kanë lajmëruar ndërhyrjen e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, pasi kanë hasur në rezistencë nga Ylli Kelmendi. Janë dashur rreth 2 orë negociata nga ana e policisë, më pas edhe nga i vëllai i tij, i cili është ngjitur në tarracë për të biseduar me të dhe në fund Kelmendi është bindur që të lirojë pronën. Por menjëherë pasi ka zbritur në tokë, ai është shoqëruar nga forcat e FNSH drejt Komisariatit Nr. 1, ku është marrë në pyetje dhe mësohet se ka nisur procedim penal në gjendje të lirë ndaj tij. Më 4 shkurt të vitit 2011, Gjykata Civile e Tiranës shpalli vendimin që u njihte vëllezërve të Mirit të Xhikes, Luan e Besnik Ramës, pronën e vëllait të tyre të vrarë, në të cilën jetonte Ylli Kelmendi. Sipas vendimit të Gjykatës, vëllezërit Rama arritën të provonin plotësisht vërtetimi i pronësisë mbi një sipërfaqe trualli prej 314 metrash katrorë dhe ndërtesë banimi 57 metra katrorë, me nr.4/154.pasurie, që ndodhet në Tiranë, në rrugën “Ali Visha”, nr.10/1. Për këtë arsye, Gjykata vendosi detyrimin e të paditurit Ylli Kelmendi që të lirojë dhe dorëzojë banesën e ndodhur në rrugën “Ali Visha” te paditësit Luan Rama dhe Besnik Rama, të cilët figurojnë pronarë sipas certifikatës për vërtetim pronësie.











