PRISHTINË- Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, në bashkëpunim me Këshillin Evropian për Punë të Jashtme dhe Ambasadën e Britanisë së Madhe, nisin konferencën ndërkombëtare “Gërmia Hill”, e cila do të mbahet në Prishtinë.
Zyrtarët e Ministrisë së Jashtme kanë deklaruar se qëllimi i këtij organizimi, është sensibilizimi i opinionit publik dhe i përmirësimit të imazhit, duke përdorur si mjet diplomacinë publike.
Është paralajmëruar pjesëmarrja e mbi 100 personaliteteve nga mbarë bota, përfshirë edhe ministra dhe ish-ministra të punëve të jashtme, të cilët për dy ditë do të diskutojnë çështjet më parësore të politikës së jashtme evropiane.
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, thotë se konferenca të tilla do të jenë tradicionale, në mënyrë që Kosova t’i shtojë aktivitetet e veta diplomatike që si synim kanë sigurimin e mbështetjes nga diplomacitë e vendeve të ndryshme botërore.
“Me sugjerim të kryeministrit e kemi ndërmend që kjo konferencë të jetë tradicionale në Prishtinë. Ne do të dalim me një koncept edhe pas konferencës që Republika e Kosovës, në mënyrë tradicionale, të mbajë konferenca ndërkombëtare, që të prezantohet stabiliteti politik dhe arritjet në Republikën e Kosovës”, thotë Hoxhaj.
Ministri i Jashtëm thotë po ashtu se angazhimet e diplomacisë së Kosovës gjatë muajit nëntor, kanë qenë dhe janë të fokusuara në Evropë, për shkak të vendimeve që Bashkimi Evropian pritet të marrë gjatë fillimit të dhjetorit për vendet e rajonit në lidhje me proceset integruese.
“Ne kemi rënë në ujdi që gjatë muajit nëntor ta kemi fokusin në Evropë. Ka qenë sugjerim i kryeministrit që deri më 9 dhjetor, kur merren shumë vendime të rëndësishme për proceset integruese të Ballkanit, të jemi më aktivë në Evropë. Kemi arritur që gjatë këtyre javëve të takojmë shumë personalitete”, thotë Hoxhaj.
Të ftuar për pjesëmarrje në konferencën dyditore janë edhe ministri i Jashtëm francez, Bernard Kushner, si dhe ministra të jashtëm nga vendet si: Shqipëria, Sllovenia, Finlanda, Maqedonia etj.
Fjalimet hyrëse do t’i mbajnë presidentja Atifete Jahjaga dhe kryeministri Hashim Thaçi.
© Panorama.al











