Prokurorja e Përgjithshme e SHBA-së, Pam Bondi, ka zbuluar një listë me 305 persona të njohur publikë, emrat e të cilëve shfaqen të paktën një herë në dokumentet që lidhen me çështjen e Jeffrey Epstein.
Mes emrave të përmendur janë presidenti amerikan Donald Trump, themeluesi i Microsoft-it Bill Gates dhe ylli i televizionit Kim Kardashian.
Njoftimi u bë në kuadër të publikimit gradual të miliona e-maileve, fotografive dhe dokumenteve nga administrata Trump në lidhje me rastin e financierit të dënuar për abuzim seksual me të mitur.
Çfarë përfshin lista
Në një letër drejtuar Kongresit më 14 shkurt, Bondi sqaroi se lista përfshin persona që “janë ose kanë qenë zyrtarë shtetërorë apo figura të ekspozuara politikisht” dhe që përmenden në dokumentet e bëra publike sipas ligjit. Ajo theksoi se përmendja e një emri nuk nënkupton fajësi apo përfshirje në veprimtari të paligjshme që lidhen me krimet e Epstein.
Ndër emrat e tjerë të publikuar përfshihen:
Barbra Streisand,
Keir Starmer,
Amy Schumer,
Jeff Zucker,
Benjamin Netanyahu,
Princess Diana,
Margaret Thatcher,
Diana Ross,
Melinda Gates,
Tucker Carlson,
Beyonce dhe
Meghan Markle.
Sipas Bondi dhe zëvendësit të saj, Todd Blanche, emrat shfaqen “në kontekste të ndryshme” brenda dokumentacionit.

Miliona dokumente dhe materiale filmike
Ligji për Transparencën e Dosjeve Epstein, i nënshkruar nga Trump më 19 nëntor 2025, parashikon publikimin e të gjitha dokumenteve jo të klasifikuara që lidhen me Epstein dhe bashkëpunëtoren e tij, Ghislaine Maxwell. Redaktimet lejohen vetëm për mbrojtjen e identitetit të viktimave, materialeve të abuzimit me të mitur, hetimeve aktive dhe çështjeve të sigurisë kombëtare.
Sipas Departamentit të Drejtësisë, janë shqyrtuar mbi gjashtë milionë dokumente, mijëra video dhe dhjetëra mijëra imazhe. Në publikimin përfundimtar të 30 janarit u përfshinë mbi tre milionë dokumente, përfshirë 180 mijë imazhe dhe 2 mijë video me kohëzgjatje totale rreth 14 orë.
FBI vlerëson se numri i viktimave të Epstein kalon shifrën 1.000.
Në dokumente përfshihen e-maile dhe materiale që, sipas autoriteteve, tregojnë për kërkesa sistematike ndaj vajzave të reja për dërgim materialesh eksplicite, si dhe referenca për video me përmbajtje abuzive.
Todd Blanche deklaroi se mbetet një numër i vogël dokumentesh nën mbrojtje gjyqësore dhe pritet miratimi për publikimin e tyre, duke shtuar se “procesi i rishikimit ka përfunduar”.
© Panorama.al














