Prokuroria pushon dosjen ndaj pronarit të “Albanian Airlines”

Jan 18, 2012 | 12:01
Ali Evsen, pronari i “Albania Airlines”

Tirane – Një letër-porosi e mbërritur nga Spanja nxjerr të pastër biznesmenin Ali Evsen, pronar i kompanisë së fluturimeve “Albanian Airlines”, i cili ishte vendosur në hetim muaj më parë nga Prokuroria e Tiranës. Pak ditë më parë, Prokuroria e kryeqytetit ka vendosur pushimin e hetimeve dhe mbylljen e dosjes ndaj biznesmenit turk Evsen, me argumentin se ai nuk ka kryer ndonjë vepër penale. Vendimi i Prokurorisë është marrë pas mbërritjes në Tiranë të një letër-porosie nga Spanja, ku thuhej se Ali Evsen nuk rezultonte i përfshirë në transferta apo veprime të dyshimta financiare. Vjeshtën e vitit të kaluar, Ali Evsen u ndalua nga autoritetet në Spanjë së bashku me biznesmenin tjetër, Hussein Salem. Ky person njihej si mik i ngushtë i ish-presidentit të Egjiptit, Hosni Mubarak, dhe dyshohej se kishte pastruar fitimet e paligjshme të tregtisë së gazit natyror dhe karburanteve. Për shkak se ndodhej në shoqërinë e Mubarakut, biznesmeni Ali Evsen, me aktivitet të gjerë dhe prej vitesh në Shqipëri, u ndalua nga autoritetet spanjolle dhe më pas u lirua me garanci pasurore, derisa çështja u sqarua. Pak kohë më parë në Tiranë qëndroi prokurori spanjoll i çështjes dhe ndihmësi i tij. Ata verifikuan llogaritë bankare të Evsen, të cilit iu bllokuan në Shqipëri më se 8 milionë euro nëpër banka, por rezultoi se gjithçka kishte qenë e pastër dhe e ligjshme.        tr.so

© Panorama.al

Te lidhura