Prokuroria merr në hetim policët, nuk i dhanë ndihmë gjyqtarit

Sep 14, 2011 | 11:39
Skerdilajd Konomi me bashkeshorten

Efektivat e policisë, të cilët mbërritën të parët në vendin e ngjarjes ku gjeti vdekjen gjyqtari i Vlorës Skerdilajd Konomi, rrezikojnë ndjekje penale.Mosdhënia e ndihmës së shpëtimit, është akuza për të cilën po hetohen efektivat e policisë, të cilët mbërritën të parët te makina e gjyqtarit që ndodhej në flakë, pas shpërthimit të bombës me telekomandë. Grupi hetimor ka marrë disa informacione nga dëshmitarët, por edhe disa imazhe filmike që tregojnë se pas nxjerrjes së trupit të pajetë nga makina, në gjendje gjysmë të zhveshur, gjyqtari është lënë rreth 25 minuta i shtrirë në asfalt. Nga imazhet e filmime mësohet se efektivat e policisë, pasi kanë nxjerrë kufomën nga makina që digjej, e kanë vendosur me shpinë në asfalt dhe kanë pritur mbërritjen e ambulancës, e cila ka vonuar më shumë se gjysmë ore. Sipas hetuesve, efektivat e policisë duhej që menjëherë të dërgonin në spital gjyqtarin 33-vjeçar për t’i dhënë ndihmën e parë.
Zjarrfikësit gabuan
Një tjetër element problematik në vendin e ngjarjes, ku gjeti vdekjen gjyqtari, ka qenë mënyra e veprimit të zjarrfikëseve. Sipas burimeve nga hetimi i çështjes, asnjë gjurmë nuk është gjetur në makinën e gjyqtarit dhe rreth saj, për shkak se zjarrfikësit kanë hedhur sasi të madhe uji duke zhdukur gjithçka që mund të ndihmonte hetimin. Sipas burimeve nga hetimi, kjo ka ndodhur për shkak se zjarrfikësit nuk kanë përdorur lëndë kimike shkumë, e cila në sasi më të vogël ndikon kimikisht në shuarjen e zjarrit dhe uljen e temperaturës. Në mungesë të kësaj lënde, zjarrfikësit kanë hedhur sasi të madhe uji çka ka fshirë çdo shenjë të mundshme që do të shkonte në ndihmë të hetimit.
Krimi profesionist
Grupi hetimor i vrasjes së gjyqtarit Skerdilajd Konomi nuk ka dyshim se atentati i ndodhur javën e shkuar në qendër të Vlorës, është vepër e elitës së krimit shqiptar të ditëve të sotme. Sipas hetuesve, vrasësit kanë hyrë brenda rrethimit të banesës së gjyqtarit dhe mund ta kryenin vrasjen aty, por kanë zgjedhur mënyrën më të dukshme dhe, mbi të gjitha, nuk kanë lënë asnjë gjurmë. Zyrtarisht, grupi hetimor tha dje se nuk janë gjetur gjurmë në parking, nuk janë gjetur gjurmë në makinë dhe nuk janë konstatuar shenja apo prova në vendin e ngjarjes ku ndodhi shpërthimi i automjetit. Sipas policisë, organizimi i atentatit ka qenë i mirëmenduar deri në detaje, ndërsa dyshimet janë se telekomandimi i bombës është bërë me celular ose me pajisje elektromagnetike në një distancë jo më larg se 300-400 metra nga vendi ku po lëvizte automjeti i gjyqtarit. Sipas policisë, nuk përjashtohet mundësia që, ndërsa automjeti shpërtheu në tym e flakë, disa metra më tutje, atentatori ka parë krejt skenën dhe është siguruar për efektshmërinë e skemës kriminale. Për shkak të këtij dyshimi, hetuesit kanë verifikuar disa regjistrime filmike të vendit të ngjarjes, por nuk kanë arritur të shquajnë deri tani ndonjë person të dyshimtë. Hetimi po vazhdon me dy pista kryesore që kanë të bëjnë me vrasjen për shkak të detyrës dhe me ekzekutimin për shkak të problemeve të pronave, që gjyqtari do të trashëgonte në Durrës, pas vendimit të Gjykatës së Lartë.

“Krimi, pasojë e mungesës së ligjeve dhe mosfunksionimit të Parlamentit”

Arvizu dhe Spahiu, dje në Gjykatën e Korçës

KORÇE – Nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, e cilësoi vrasjen e gjyqtarit Skerdilajd Konomi pasojë e mungesës së reformave, që vijnë si rrjedhojë e mungesës së ligjeve apo mosfunksionimit të Parlamentit. Sipas Spahiut, mungesa 2-vjeçare e opozitës në Parlamentin shqiptar ka shkaktuar mjaft probleme dhe pengesa. Spahiu ishte i pranishëm dje në Korçë, bashkë me ambasadorin amerikan, Aleksandër Arvizu, me qëllim përurimin e Qendrës së Ndërmjetësimit pranë kësaj Gjykate. E pranishme ka qenë dhe zv.ministrja e Drejtësisë, Brikena Kasmi, e cila deklaroi se ngjarja tronditëse për ekzekutimin e gjyqtarit Skerdiljad Konomi nuk duhet t’i dekurajojë në dhënien e drejtësisë. “Sot më shumë se kurrë, jo vetëm jemi të bashkuar për krijimin e alternativave të reja në dhënien e drejtësisë, por po bashkëpunojmë fort për vënien në vend të drejtësisë dhe dënimin e autorëve dhe thyesve të ligjit për të garantuar një Gjyqësor dinjitoz, të pavarur dhe të paprekshëm”, u shpreh ajo. Nga ana e tij, diplomati amerikan e ka konsideruar të mbingarkuar sistemin gjyqësor në vend. Sipas tij, gjyqtarët përballen me një mbingarkesë të numrit të çështjeve që trajtojnë. Kjo ka bërë që nga ana e SHBA të mundësohet hapja e qendrës së ndërmjetësimit pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, e cila do të mundësojë shkurtimin e procedurave të tejzgjatura që hasen në gjykatë. Ndërkaq, regjistrimi dhe dokumentimi i plotë i gjithë seancave gjyqësore sipas ambasadorit do të rrisë transparencën në gjykatë. “Me hapjen e kësaj qendre parashikohet regjistrim audio i seancave gjyqësore, një element transparence që përmirëson punën e sistemit gjyqësor, i cili është i mbingarkuar me dosje”, tha Arvizu. Përmes këtij programi, gjyqtarët do të referojnë çështje tregtare dhe familjare te Qendra e Ndërmjetësimit, duke ndihmuar kështu edhe në reduktimin e çështjeve gjyqësore.               dh.d

Opozita: Kuvendi, një minutë heshtje për gjyqtarin
Parlamenti ka mbajtur dje një minutë heshtje për vrasjen e gjyqtarit të Gjykatës së Vlorës, Skerdilajd Konomi. Në fillim të seancës parlamentare ka qenë nënkryetari socialist i Kuvendit, Namik Dokle, i cili ka kërkuar mbajtjen e një minute heshtjeje në nder të tij, kërkesë kjo që është pranuar nga kryeparlamentarja Topalli. Ndërkohë, gjatë seancës, deputeti i PS-së, Fatmir Xhafa, tha se “ngjarja tragjike e së premtes është vetëm një hallkë në një zinxhir të gjatë krimesh të tjera të pazbardhura, që dëshmojnë të kundërtën. Ngjarja e së premtes është në vazhdën e një sërë ngjarjesh të mëparshme që kanë vepruar mbi njerëzit e Drejtësisë, janë një dëshmi e hidhur se sa poshtë ka rënë autoriteti i Drejtësisë”, tha Xhafa.

Policia: Gati 100 mijë eurot për informatorin
Policia e Vlorës vazhdon të bëjë apel për personat që mund të kenë dijeni për ngjarjen e rëndë të 9 shtatorit, kur humbi jetën 33-vjeçari Skerdilajd Konomi. Për çdo person që ka dijeni për krimin makabër, policia vë në dispozicion shumën gjigante të parave, duke premtuar dhe ruajtjen e anonimatit. Edhe pse kanë kaluar pesë ditë nga ngjarja e ndodhur në mes të Vlorës, nuk ka asnjë person të dyshuar që të mbahet në qeli. Deri tani, të vetmit persona të marrë në pyetje janë familjarë dhe shokë të viktimës.

TRAZHGIM SOKOLAJ

© Panorama.al

Te lidhura