Prokuroria konfirmon një letër nga Dritan Prifti

Jan 21, 2012 | 14:08

TIRANE- Prokuroria e Përgjithshme konfirmoi marrjen e një letre nga deputeti Dritan Prifti, duke përgënjeshtruar përmbajtjen e saj që sot është publikuar në gazetën Rilindja Demokratike.

Nëpërmjet një komunikate për shtyp, Prokuroria bën me dije; “Duke marrë shkas nga elementët denigrues dhe të pavërtetë që janë shprehur në këtë media, Prokuroria e Përgjithshme, bën me dije se deputeti Dritan Prifti, ka dërguar një letër Prokurorit të Përgjithshëm, por se përmbajtja e saj është tërësisht e ndryshme nga ajo çfarë thuhet në këtë gazetë.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, letra është trajtuar zyrtarisht e është protokolluar sapo ka ardhur në Zyrën e Protokollit në Prokurorinë e Përgjithshme, dhe si dokument është e do të mbetet në arshivën e këtij institucioni.

Prokuroria e Përgjithshme, shprehet gjithashtu se,  është e vendosur të kryejë detyrën e saj kushtetuese pavarësisht insinuatave të ndryshme që synojnë të devijojnë angazhimin e prokurorëve dhe punonjësve të Prokurorisë në hetimin e çështjeve që janë dhe në fokus të vëmendjes së opinionit publik.

© Panorama.al

Te lidhura