
Njësia Task-Force Antikorrupsion sekuestroi dje në Ministrinë e Shëndetësisë dosjen me dokumentacionin e tenderit për blerjen e pajisjeve spitalore, për të cilin Banka Botërore anuloi financimin për parregullsi.Burime të Prokurorisë së Përgjithshme thanë se në kuadër të verifikimeve të filluara, kryesisht pas informacioneve që janë publikuar në media, Njësia Task-Force në Prokurorinë e Tiranës, sekuestroi dje në Ministrinë e Shëndetësisë gjithë dokumentet e tenderit me vlerë 3.6 milionë dollarë. “Sekuestrimi i materialeve është bërë mesditën e djeshme rreth orës 13:00. Dosja me dokumentacionin e tenderit do të mundësojë verifikimin e procedurave që janë ndjekur nga Ministria e Shëndetësisë që nga shpallja e tenderit dhe më tej, te mbledhja e dokumentacionit nga kompanitë aplikuese, relacioni i bërë për vlerësimin e ofertave dhe, në fund, arsyetimi me të cilin është propozuar të përzgjidhet një firmë që kishte bërë ofertë 600 mijë dollarë më të shtrenjtë se konkurrentet”, thanë burimet e Prokurorisë së Përgjithshme. Sipas tyre, faza e parë e këtij verifikimi është njohja me dokumentacionin e Ministrisë së Shëndetësisë në lidhje me tenderin në fjalë. Pjesë e dokumenteve që janë marrë dje nga zyrat e Ministrisë, mësohet se janë edhe letërkëmbimet e këtij dikasteri me Bankën Botërore, për financimin e tenderit për blerjen e pajisjeve spitalore. Kjo çështje u bë mediatike pasi “Gazeta Shqiptare” raportoi ndërprerjen e financimit të tenderit nga Banka Botërore. Koordinatorja rajonale për Europën Juglindore në Bankën Botërore, Jane Armitage, i ka dërguar një letër Ministrit të Financave, Ridvan Bode, në të cilën shpreh shqetësimin për sa i përket procedurës së ndjekur nga Ministria e Shëndetësisë për përzgjedhjen e fituesit të tenderit. Banka Botërore, nga ana tjetër, është prononcuar në lidhje me këtë çështje, duke thënë se oferta më e ulët në tenderin e sipërpërmendur të pajisjeve mjekësore ishte teknikisht e papranueshme. Për këtë arsye, Banka këshilloi të rishikohej raporti i vlerësimit të ofertave. “Pas rishikimit, fituese u rekomandua një kompani, oferta e së cilës ishte 600 000 USD më e lartë sesa oferta me çmimin më të ulët, teknikisht e pranueshme. Skualifikimi i ofertës më të ulët u bë për arsye që nuk lidheshin me aftësi dhe burime të tenderuesit për të marrë përsipër kontratën në fjalë. Shqetësimi i vlerësuesve kishte të bënte vetëm me ofruesin lokal të shërbimeve”, është shprehur BB.
Drejtoresha e BB, Armitage, në Shqipëri
Drejtoresha e Bankës Botërore për Shqipërinë dhe koordinatorja rajonale për Evropën Juglindore, Jane Armitage, ka mbërritur në Shqipëri. Ajo vjen në kuadër të një sërë aktiviteteve të planifikuara por nga ana tjetër menjëherë pas skandalit për tenderin e Shëndetësisë ku Banka Botërore anuloi financimin prej 1.1 milionë dollarësh. Armitage në një letër drejtuar ministrit Bode vinte në dyshim procedurat e ndjekura nga ministri Vasili për të zgjedhur kompaninë fituese me një ofertë 600 mijë dollarë më të lartë sesa kompania tjetër.
TRAZHGIM SOKOLAJ
© Panorama.al











