
Si do bëhen aplikimet për tapitë, transaksionet me pronat, afatet, dëmshpërblimi në rast gabimi dhe hipotekimi i karabinasë.
Projektligji i regjistrimit të pasurive zgjidh problemin e 4 mijë banesave të ndërtuara para vitit 1991
Procedurat për regjistrimin e pasurive të paluajtshme dhe mënyra se si administrohet dhe funksionon Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme do t’i nënshtrohen një ndryshimi total. Projektligji i ri, që ka marrë miratimin nga Këshilli i Ministrave dhe pritet të diskutohet në komisionet parlamentare, ka bërë një rikonceptim total të mënyrës së organizimit dhe shërbimit që i ofrohet qytetarit.
Ndryshimet
Për ministrin e Drejtësisë, Eduard Halimi, ligji sjell një sërë risish që i shërbejnë uljes së burokracive, procedurave më të thjeshta, më të shpejta dhe në kohë më të shkurtër. Por, cilat janë në thelb disa nga risitë e ligjit të ri që pritet të hyjë në fuqi në mars. E para lidhet me mënyrën e organizimit të ZRPP, e cila tani kalon si një zyrë që do të vetëfinancohet nga të ardhurat e saj, ndërkohë që drejtimi do të bëhet nga një bord i veçantë. “ZRPP parashikohet të drejtohet tashmë nga një bord drejtues (një organ kolegjial në të cilin parashikohet të ketë përfaqësim nga Këshilli i Ministrave, nga Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Financave”, shprehet ministri Halimi. Risia e dytë lidhet me dixhitalizimin e të gjitha të dhënave të administruara në Zyrën e Regjistrimit. Kjo do t’u shërbejë të gjithë të interesuarve të verifikojnë në mënyrë online të dhënat mbi pasurinë që u intereson. Procedurat online pritet që të ulin ndjeshëm gabimet që mund të vijnë si efekt i dyndjes së kërkesave për informacion pranë ZRPP. Por, edhe në rastet kur qytetarit i shkaktohet një dëm nga informacioni i gabuar apo rrjedhja e tij, ligji i ri parashikon një fond për dëmshpërblim. Gjithashtu, në këto ndryshime lihen hapësira edhe për regjistrimet e pasurive që nuk janë regjistruar asnjëherë më parë.
Për qytetarët
Të gjithë ata qytetarë që do të regjistrojnë për herë të parë pasurinë e paluajtshme pranë ZRPP-së, do të pajisen me një “kod” që do t’u shërbejë për të aksesuar faqen e zyrës për verifikimet që mund t’iu duhen atyre në çdo kohë. Ligji i ri shmang kontaktin e qytetarit me administratën duke parashikuar dërgimin e certifikatës së regjistrimit me postë. Një tjetër risi që sanksionon ligji lidhet me uljen e burokracive. “Procedura që zgjasnin nga 20-25 ditë dhe kryerje transaksionesh në pesë hapa, do të reduktohen në 2-5 ditë dhe vetëm me një ndalim, one stop, te noteri”, shprehet ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi. Ligji bën ndryshime të rëndësishme edhe në mënyrën se si përkufizohet bërja e transaksioneve. Nëse një qytetar vendos të shesë pasurinë e paluajtshme, atëherë ai nuk do ta ketë më të nevojshme për t’u paraqitur pranë ZRPP-së, por gjithçka do të kryhet nga noteri.
Risitë e projektligjit
Risitë
1. Së pari, rregullimi i organizimit të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme si një institucion i pavarur buxhetor, i vetëfinancuar nga të ardhurat e krijuara gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tij, për ofrimin e shërbimit të regjistrimeve të titujve të pronësisë, është parashikuar një formë e re e organizimit të ZRPP-së, si një institucion juridik publik, jobuxhetor, në varësi të ministrit të Drejtësisë. ZRPP parashikohet të drejtohet tashmë nga një bord drejtues (një organ kolegjial në të cilin parashikohet të ketë përfaqësim nga Këshilli i Ministrave, Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Financave).2. Së dyti, dixhitalizimi i veprimtarisë së ZRPP-së, i cili përfshin dixhitalizimin e të gjitha të dhënave të administruara në Zyrën e Regjistrimit të veprimtarisë gjatë regjistrimit fillestar dhe jo vetëm, në kuadër dhe të implementimit të projektit mbi administrimin dhe mbrojtjen e tokës (LAMP) të financuar nga Banka Botërore, duke mundësuar dhe verifikimin online nga institucionet publike/subjektet private të gjendjes së një prone të regjistruar në ZRPP, pas pajisjes së këtyre të fundit me kodet respektive të sigurisë.
3. Së treti, dixhitalizimi i procedurave dhe ndërtimi i një portali në ZRPP për të marrë online çdo informacion. Portali do të jetë i aksesueshëm nga çdo qytetar 24 orë në 24, për çdo praktikë të tijin me anë të një “usercod”.
4. Së katërti, nëpërmjet kësaj iniciative ligjore është synuar të rregullohet dhe çështja e garantimit të informacionit të siguruar nga regjistrimi i pasurive të paluajtshme, duke përcaktuar në mënyrë të qartë rastet e përgjegjësisë së ZRPP-së në sigurimin e informacionit të shpërndarë nga kjo e fundit, në funksion të mbrojtjes së të drejtave të pronësisë dhe garantimit të sigurisë së informacionit të administruar në regjistrat e ZRPP-së. Në këto kushte, lind i nevojshëm parashikimi i krijimit të një fondi sigurie (ose fondi i garancisë, ose fondi i dëmshpërblimit), i cili përbën një komponent themelor zhvillimit të një tregu funksional të pronës.
5. Së pesti, nëpërmjet kësaj iniciative është synuar të mirëpërcaktohen rregullat për regjistrimin e disa llojeve të veçanta të pasurive si pallatet e reja, regjistrimi i të cilave në referim të dispozitave aktuale të ligjit ka pasjellë probleme duke përjashtuar mundësinë e të interesuarve për t’i regjistruar ato. Kështu, janë parashikuar dy dispozita të veçanta për regjistrimin e pasurive individualisht të përcaktuar te pallatet e reja të ndërtuara sipas përcaktimeve të bëra në ligjin “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, duke parashikuar dhe regjistrimin e pjesëve të përbashkëta të këtyre objekteve në bashkëpronësi të pronarëve të njësive të veçanta të objektit shumëkatësh.
Cila do të jetë procedura e plotë e dhënies së certifikatës së pronësisë?
1. Kur një pronë regjistrohet për herë të parë, veprimet do të kryhen drejtpërdrejt te Zyra e Regjistrimit nga personi që ka një titull pronësie, akt noterial, vendim gjyqësor, apo akt administrativ. Personi do të pajiset me një kod, numër pin si ai i kartave dixhitale në momentin e aplikimit, pastaj do ta verifikojë online gjendjen e kërkesës së tij 24 orë. Certifikata e pronësisë do t’i vijë në shtëpi nga shërbimi postar.2. Ndërsa në rastet e transaksioneve, domethënë shitjeve që do të ndodhin më pas, qytetari nuk do ketë nevojë të shkojë më në ZRPP, pasi këto veprime do të kryhen nga noteri.
Lehtësitë për qytetarët
1. Qytetari nuk do ta shohë më Hipotekën si institucionin që i jep ose refuzon pronën. Ai do ta shohë ZRPP-në si institucionin që ruan në arkiv, në thesar, pasurinë e tij dhe që e garanton se askush nuk e prek titullin e tij, përveçse nëpërmjet një procesi gjyqësor. Procedura të shpejta, heqje tërësisht e veprimeve burokratike, reduktim i korrupsionit.2. Procedura që zgjasnin nga 20-25 ditë dhe kryerje transaksionesh në pesë hapa, do të reduktohen në 2-5 ditë dhe vetëm me një ndalim, one stop, te noteri.
Institucionet që do të kenë akses në të dhënat e pasurive të paluajtshme:
1. Kjo do të jetë çështje që do të vendoset pas miratimit të ligjit në Parlament nga ana e Këshillit të Ministrave, por ekspertët mendojnë se noterët, bankat dhe institucionet e Drejtësisë do ta kenë këtë akses. Kjo do të jetë një çështje që do të diskutohet nga ministri i Drejtësisë me grupet e interesit.2. Ligji do të hyjë në fuqi në muajin mars dhe parashikon një shtrirje të përshkallëzuar sipas qyteteve në projekte pilot. Së pari në Tiranë e më pas në Durrës e kështu me radhë.
3. Regjistri elektronik, ose arkiva elektronike në Tiranë është drejt përfundimit dhe po punohet për ta përfunduar atë brenda afatit të parashikuar. Por sistemet dixhitale duhen testuar me qëllim eliminimin e çdo risku, hyrja në fuqi dhe implementimi i sistemit do të jetë i përshkallëzuar.
Shmang problemet mes shitësit dhe blerësit
Ndërtuesit, regjistrim në Hipotekë në fazën e karabinasë
Çdo ndërtues që do të marrë një leje ndërtimi pranë bashkisë, tani do të jetë i detyruar që ta regjistrojë atë paraprakisht pranë ZRPP-së. Neni 48 i projektligjit “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme” saktëson se kjo do të bëhet për të ndihmuar si në aspektin e kreditimit të investitorit, ashtu dhe në shmangien e mosmarrëveshjeve që mund të lindin më vonë mes shitësit dhe blerësit të apartamentit. “Pas përfundimit të objektit në fazën e karabinasë, regjistruesi bën regjistrimin e përkohshëm të karabinasë në një regjistër të veçantë, të ndryshëm nga regjistri ku është regjistruar leja e ndërtimit, duke kryer lidhjen me truallin në të cilin po kryhet ndërtimi, regjistrim i cili është i vlefshëm deri në përfundimin e strukturës për efekt të kreditimit të zhvillimit në cilësinë e investitorit dhe/ose subjekteve me të cilat investitori ka lidhur aktet noteriale”, thuhet në projektligj. Ajo që duket se vulos shmangien e konflikteve është procedura që ndiqet në regjistrimin e karabinasë, ku regjistrohen saktësisht edhe aktet noteriale. Pas këtij regjistrimi nga ana e ZRPP-së shpërndahen “certifikata” të përkohshme për të gjithë aktorët e përfshirë, duke filluar nga investitori deri te qytetarët me të cilët ndërtuesi ka lidhur aktet noteriale. Këto dokumente që shpërndahen me afat të përkohshëm mbeten në fuqi deri në momentin kur bëhet regjistrimi përfundimtar i pallatit që tani nuk është më në fazën e karabinasë. Lidhur me mënyrën se si procedohet për këtë rast specifik të regjistrimit të lejes së ndërtimit pranë ZRPP-së qysh në fazën e parë të marrjes së saj, është pikërisht Këshilli i Ministrave që vendos kriteret.
Halimi: Dëmshpërblim në rast gabimi
Gjoba për deklarime të rreme të pronësisë pranë ZRPP-ve
Ministria e Drejtësisë i ka propozuar Parlamentit ndryshimin rrënjësor të ligjit “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”. Drafti në fjalë pritet të shqyrtohet në komisionet parlamentare ditët në vijim. Risi në këtë projektligj do të jetë zgjidhja e problematikës së hasur për banesat që janë krijuar para vitit 1991, të cilat nuk janë regjistruar pranë Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Me këtë nismë të re, Ministria e Drejtësisë synon të rregullojë me ligj pamundësinë e regjistrimit të shtëpive të vjetra të ndërtuara para vitit 1944 apo dhe para vitit 1991, të cilat nuk figurojnë të regjistruara në regjistrat e ZRPP-së, edhe pse dokumentacioni teknik provon ekzistencën e tyre dhe ndërtimin e tyre para vitit ’91. Sipas të dhënave zyrtare, rezulton se deri me sot në listë janë rreth 4 mijë banesa në të gjithë vendin, që nuk figurojnë me dokumentacion në regjistrat e ZRPP-ve.
Dëmshpërblimet
Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për herë të parë do të garantojnë informacionin dhe do të dëmshpërblejnë qytetarët në raste kur do të hasen gabime në regjistrimin e një prone. Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, tha për “Panorama” se me projektligjin e ri parashikon krijimin e një fondi garancie në rastet kur administrata shkakton një dëm në kurriz të pronarit të truallit apo banesës. Sipas Halimit, qëllimi i ndryshimeve që propozohen është garantimi i pronës dhe mbrojtja e interesave të qytetarëve. “Ka një fond garancie, që në rast se qytetarit i vjen një dëm i caktuar nga veprimet e papërgjegjshme të administratës, atëherë nga ky fond mbulohen dëmet që i shkaktohen qytetarëve”, theksoi ministri. Me dixhitalizimin tërësor të regjistrave të ZRPP-ve, ministri i Drejtësisë garanton se do të eliminohen problematikat e hasura me parë, lidhur me dhënien e certifikatave të pronësisë, të cilat shpeshherë kanë rezultuar me mbivendosje në trualli që shkaktonin dëme dhe gjyqe të pafundme. “Garancia që jepet është shumë e rëndësishme, pasi qytetarit mund t’i jepej më parë një vërtetim pronësie dhe pastaj dilte që kishte mbivendosje, dhe këto pasoja nuk kishte kush t’i paguante dhe i paguante qytetari”, theksoi Halimi. Në nenin 67 të projektligjit thuhet se: “Me kërkesë të çdo pale të interesuar, regjistruesi merr vendim të veçantë, nëse një e drejtë për dëmshpërblim për dëme të shkaktuara që vijnë si rezultat i një regjistrimi të një informacioni jo saktë. Me miratimin e vendimit të regjistruesit nga kryeregjistruesi, ky i fundit cakton masën e dëmshpërblimit për dëmin e shkaktuar në lidhje me çështjen”. Ndërkaq, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme do të ketë një bord drejtues që do të përbehet nga 5 anëtarë. Ky Bord do të këtë si detyrë llogaritjen e dëmit dhe caktimin e dëmshpërblimit të qytetarëve për rastet që ka pasur regjistrime të informacioneve jo të rregullta për pasurinë e paluajtshme.
Kundërvajtjet
Projektligji i propozuar nga Ministria e Drejtësisë parashikon dhe gjoba në rastet e deklarimeve të rreme të pronësisë pranë ZRPP-ve. Për çdo shkelje që sipas ligjit nuk përbën vepër penale, aplikohen gjoba nga regjistruesit, të cilat variojnë nga 5 mijë lekë deri në 50 mijë lekë të rinj. Në ligj është parashikuar dhe ankimi te kryeregjistruesi në rast se personi nuk është dakord për sanksionin e dhënë nga regjistruesi. Ky ankim duhet të bëhet brenda 30 ditëve, gjithashtu ankimi mund të bëhet dhe në gjykatën e rrethit ku është kryer kundërvajtja me një afat prej 30 ditësh nga data e njoftimit.
Projektligji: Dixhitalizimi, më 1 mars 2012
Drafti i propozuar nga Ministria e Drejtësisë “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, pas miratimit në Parlament parashikohet të hyjë në fuqi pas 15 ditëve në “Fletoren Zyrtare”. Me përjashtim të nenit 7, që ka të bëjë me regjistrin e Pasurive të Paluajtshme në formë elektronike. Për këtë nen është parashikuar një afat dytësor për qarkun e Tiranës. Neni 7 i ligjit do të hyjë në fuqi më 1 mars të vitit 2012 në kryeqytet. Ndërsa në të gjithë territorin e Shqipërisë, regjistri elektronik i Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme do të hyjë në fuqi më 31 dhjetor të vitit 2012.
Gjobë për vonesat
Vonesat që mund të bëhen në dokumentacionin për regjistrimin e pasurisë së paluajtshme do të paguhen me gjoba. Projektligji sanksionon se nëse një kërkesë për regjistrim paraqitet më vonë se 30 ditë nga data e realizimit të tij, “përveç tarifës së regjistrimit për çdo ditë vonesë që ka kaluar nga kjo datë, paguhet kamatvonesë 10 për qind e tarifës së regjistrimit, por jo më shumë se 300 mijë lekë”
Kontratat e qirasë
Të gjitha kontratat e qirave, me një afat kohor më të gjatë se 1 vit, do të regjistrohen në Hipotekë. Në rastet kur objekti jepet me qira për një periudhë kohore më të gjatë se 9 vjet, kjo do të bëhet duke kryer ndryshime në Certifikatën e Pasurisë së Paluajtshme. Në çdo rast, dhënia me qira e një apartamenti, magazine, zyre etj., noteri do të jetë i detyruar që të bëjë edhe ndryshime në Certifikatën e Pronësisë së qiradhënësit.
Mjediset e përbashkëta në ndërtesa
Përkatësia apo “pronësia” e mjediseve të përbashkëta është një tjetër pjesë që rregullon projektligji i ri i Ministrisë së Drejtësisë duke përcaktuar qartë procedurën e regjistrimit. Sipas ligjit të gjitha mjediset e përbashkëta në një ndërtesë do të konsiderohen “pronësi e përbashkët e pronarëve të njësive individuale, në përputhje me kuotën e pjesëmarrjes në bashkëpronësi”.
FATION BINJAKU & NERTILA MAHO
© Panorama.al











