Programi i PS, Rama premton 300 mijë vende të reja pune

Nov 2, 2011 | 14:16

Kryetari i PS-së, Edi Rama, gjatë prezantimit të programit të ri të PS premtoi punësim për 300 mijë shqiptarë që në mandatin e parë. Ekonomia zë vendin kryesor në këtë program, si pika më e dobët e zhvillimit të vendit. Në parashtrimin e tij, kryesocialisti radhiti shumë defekte të qeverisë në politikat e saj ekonomike, madje e akuzoi atë për monopole dhe politika korruptive. “Programi i ri riafirmon angazhimin tonë solemn të Paktit Qytetar për 300 mijë vende të reja pune brenda mandatit të parë qeverisës dhe për formim profesional për çdo shqiptar në kërkim të një pune”, u shpreh Rama, duke risjellë sërish premtimin e bërë dhe në zgjedhjet lokale të 8 majit 2011. Programi i PS-së është i ndarë në katër kolona kryesore, në Rimëkëmbjen e ekonomisë, Ripërtëritjen e shoqërisë, Rivendosjen e demokracisë dhe Ribashkimin me Europën. Gjatë fjalës së tij, Rama ka mbështetur idetë e anëtarit të Kryesisë socialiste, Ben Blushi, në një intervistë në “Panorama” lidhur me taksat, borxhin publik dhe rishpërndarjen e pasurisë. Blushi është shprehur për vendosjen në Kushtetutë të nivelit të borxhit publik, fakt që u theksua dhe në fjalën e Ramës. “Duke kuptuar rëndësinë që borxhi publik mbart për brezat e ardhshëm, jemi të përgatitur profesionalisht e të gatshëm politikisht që përgjegjësitë për kontrollin e borxhit publik t’i ngremë në nivelin e detyrimeve kushtetuese”, u shpreh Rama. Duke u shprehur i vendosur në një sistem të ri taksimi, Rama u shpreh se taksat do të jenë progresive, ku të pasurit do duhet të paguajnë më shumë se të varfrit. “Situata alarmante kërkon urgjentisht vendosjen e një drejtësie sociale për 95% të popullsisë. Politikat tona fiskale do të jenë në shërbim të drejtësisë sociale, pa cenuar zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë. Parimi ynë themelor është se rishpërndarja funksionon përmes progresivitetit. Kush është më i pasur, do të ketë një barrë më të lartë fiskale sesa një më i varfër”, u shpreh Rama, duke qenë në një linjë me Blushin. Duke i cilësuar të rrezikshme për të ardhmen e vendit statistikat e rreme sipas tij të treguesve ekonomikë, Rama propozon që INSTAT të jetë nën kontrollin e Parlamentit. Një pjesë të rëndësishme në shpalosjen e programit të ri të PS, zuri dhe qasja e kësaj partie ndaj politikave sociale. “Shërbim shëndetësor universal dhe solidar për të gjithë; çrrënjosjen e korrupsionit nga spitalet dhe nga rrjeti i shpërndarjes së barnave; Pagë minimale dhe minimun jetik të garantuar, me pensione jo më të ulëta se 40% e pagës mesatare. Buxhetin e arsimit jo më pak se 5% të PBB-së, si dhe pension social për çdo shqiptar në moshën 75-vjeçare, pavarësisht historisë së tij të punësimit”, ishin disa nga prioritetet e PS nesër në pushtet. Kryesocialisti premtoi zgjedhje të lira e të ndershme, rikthim të parlamentarizmit, respektit për opozitën kur ai të jetë në maxhorancë qeverisëse. “Konkurrencë e ndershme në interes të publikut dhe pezullim të funksionit publik për çdo zyrtar që përballet me drejtësinë dhe një administratë publike të depolitizuar, profesionale dhe të përgjegjshme”, premtoi kryesocialisti.

Rimëkëmbja e ekonomisë

• 300 mijë vende të reja pune brenda mandatit të parë qeverisës dhe për formim profesional për çdo shqiptar në kërkim të një pune.

• Dobishmëri publike në shfrytëzimin e burimeve natyrore dhe anulimin e të gjitha koncesioneve të paligjshme, duke rikthyer transparencën në të gjitha procedurat e konkurrimit.

• Një politikë të re fiskale në funksion të zhvillimit ekonomik dhe social • Ulje të kostos së jetesës për 95% të shqiptarëve, duke hequr barrën e taksës së sheshtë dhe duke vendosur drejtësi sociale përmes tatimit progresiv

• Një politikë të re fiskale që ul kostot e prodhimit bujqësor. Një rrjet kombëtar të grumbullimit dhe të tregtimit të produkteve bujqësore dhe 5-fishim të financimit publik për fshatin

• Uljen e TVSH-së për produktet ushqimore bazë. duke filluar nga zerimi i TVSH-së për bukën, vezët, qumështin dhe ilaçet. Sipërmarrje të suksesshme shqiptare të bazuar në rikthimin e lirisë për konkurrencën dhe jo në borxhe • Çmontim të monopolit dhe kartelit të grurit, sheqerit, orizit, vajit, barnave dhe karburanteve.

• Zgjidhje përfundimtare të çështjes së pronës.

• INSTAT nën kontrollin e Parlamentit të Shqipërisë

• Një Shqipëri pa plehra brenda mandatit të parë qeverisës e një mjedis i pastër për sot dhe për të ardhmen.

• Inspektorat Kombëtar i Pastrimit, një strukturë e domosdoshme për të filluar në radhë të parë normalizimin e situatës

Ripërtëritja e shoqërisë

• Shërbim shëndetësor universal dhe solidar për të gjithë; çrrënjosjen e korrupsionit nga spitalet dhe nga rrjeti i shpërndarjes së barnave

• Pagë minimale dhe minimum jetik të garantuar, me pensione jo më të ulëta se 40% e pagës mesatare.

• Ujë të pijshëm dhe kanalizime, energji elektrike, telefoni dhe internet të arritshëm, por edhe të përballueshëm për të gjithë Një fond strehimi në ndihmë të familjeve të reja dhe të pastreha Buxheti i arsimit do ta kemi 5% të PBB-së.

• Një sistem i pavarur për vlerësimin dhe renditjen e shkollave të larta në radhë të parë.

• Pension social për çdo shqiptar në moshën 75-vjeçare, pavarësisht historisë së tij të punësimit. •

Status social dhe ekonomik për veteranët e luftës dhe ish të përndjekurit politikë.

• Program të cilin do ta përpunojmë në proces, një shtet një polici. Rivendosja e demokracisë

•Përmbushja e standardeve të zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe rikthimi i parlamentarizmit dhe i respektit për opozitën. Drejtësi e shpejtë dhe profesionale, çmontimi i sistemit të korrupsionit dhe të kulturës së pandëshkueshmërisë

• Konkurrencë e ndershme në interes të publikut dhe pezullim të funksionit publik për çdo zyrtar që përballet me drejtësinë. Administratë publike të depolitizuar, profesionale dhe të përgjegjshme.

• Rigjallërim të autonomisë vendore dhe decentralizim të plotë fiskal. Ribashkimi me Europën

• Partneritet strategjik me SHBA-të dhe BEnë.

• Marrëdhënie të konsoliduara me fqinjët tanë, anëtarë të BE-së dhe të NATO-s, si Italia dhe Greqia.

• Zgjerimin e bashkëpunimit më thellë dhe të gjithanshëm me Gjermaninë dhe Austrinë.

• Bashkëpunim me OSBE, Këshillin e Europës, FMN, Bankën Botërore dhe OBT

• Ndërtim i një partneriteti shumëplanësh me shtetin e ri të Kosovës, adresimin e çështjes çame, respektim të të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në vendet fqinje, me rëndësi strategjike për paqen dhe demokracinë në rajon.

 

Programi i PS, PD: Rama nuk tha pse po i bllokon ligjet

Partia Demokratike ka reaguar dje pas fjalës së mbajtur nga kreu i PS-së, Edi Rama, në Asamblenë e kësaj force politike. Në një deklaratë të zëdhënëses së selisë blu Albana Mustafaraj, thuhet se Rama foli për një vend të pastër, por politikat e tij e bënë Tiranën qytetin më të ndotur në Shqipëri. Sa i përket rritjes ekonomike, sipas PD-së, Rama nuk i bëri asgjë kur ishte kryebashkiak. “Ai foli me një ton të ri, por përsëri sulmet ishin ato të vjetrat, të lodhura. Ai pretendoi se kishte ide të reja, por ishte po ajo retorikë e vjetër, e lodhur. Sa herë që flet Edi Rama ne mësojmë më shumë për ato gjëra që ai nuk i thotë, sesa për ato që i thotë. Sot Edi Rama foli shumë për mosmarrëveshjet, por përsëri nuk dha asnjë përgjigje për të qenë se pse po i bllokon të gjitha ligjet me 3/ 5 në Parlament”, thuhet në deklaratën e PD-së. Sipas selisë blu, “ai nuk e përmendi as për një herë të vetme arsyen apo bazën se pse e kundërshton votimin e 16 ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar në Parlament”.

© Panorama.al

Te lidhura