“Procesi zgjedhor kaloi pa incidente madhore”, Policia e Kosovës: U shoqëruan në komisariat 7 persona

Feb 9, 2025 | 20:33

Policia e Kosovës ka bërë një njoftim zyrtar lidhur me mbarëvajtjen e procesit të votimeve sot në Kosovë.

policia e kosoves

Policia thotë se procesi zgjedhor ka kaluar i qetë dhe pa incidente madhore që mund të kishin penguar procesin.

Gjithashtu Policia bën me dije se në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit janë iniciuar 6 raste, prej tyre 4 “vepra penale kundër të drejtave të votimit” dhe dy raste penale “sulm ndaj personit zyrtar” dhe “kanosje”.

Autoritetet policore njoftuan se 7 persona janë shoqëruar në stacionin policor, ku 4 prej tyre janë në mbajtje e 3 janë liruar.

Po ashtu, janë trajtuar edhe disa raste tjera, për të cilat në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorët kompetent janë evidentuar si shënime zyrtare. Vlen të potencohet se Policia e Kosovës ka trajtuar çdo informacion i cili ka pasur të bëjë me procesin zgjedhor, si dhe ka trajtuar edhe raste tjera që nuk ndërlidhen me procesin zgjedhor”, thuhet në njoftimin e policisë së Kosovës.

Qytetarët e Kosovës patën sot mundësinë të shprehin vullnetin e tyre gjatë orëve të votimit, ndërsa  komisionet zgjedhore kanë nisin procesin e numërimit të votave.

Në garë janë 28 subjekte politike, të cilat garojnë me 1280 kandidatë për 120 karriget në Kuvendin e Kosovës.

Kandidatët kryesorë për Kryeministër të Kosovës janë Albin Kurti, Bedri Hamza, Lumir Abdixhiku, Ramush Haradinaj.

Qendrat e votimit u hapën sot në orën 07:00 dhe u mbyllën në oren 19:00

 

© Panorama.al

Te lidhura