Komisioni Qendror i Zgjedhjeve Kosovë njoftoi se pjesëmarrja në zgjedhjet parlamentare deri në orën 15:00 ishte 28.32 për qind.

Zëdhënësi Valmir Elezi tha se, krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021, pjesëmarrja deri në këtë orë ishte më e ulët, pasi para katër vjetësh ishte 32.32 për qind.
“Në 91.20 për qind të vendvotimeve, deri në orën 15:00 kanë votuar 28.32 për qind, apo 558.246 votues nga 1.970.944. Deri në të njëjtën kohë, në zgjedhjet e vitit 2021 kanë votuar 32.32 për qind”, tha Elezi në një konferencë për media që nisi pak pas orës 16:00.
Kujtojmë se KQZ ka thënë më herët se procesi është duke u zhvilluar qetë dhe nuk është raportuar për ndonjë incident të madh.
Ka pasur raportime për vonesa në hapjen e disa vendvotimeve dhe shqetësime për shënjimin e gishtërinjve me ngjyrë matrikuluese, por KQZ-ja nuk i ka adresuar këto çështje.
Katër kandidatët për kryeministër, Albin Kurti, Bedri Hamza, Lumir Abdixhiku dhe Ramush Haradinaj, e kanë shfrytëzuar të drejtën e votës dhe u kanë bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të veprojnë njëjtë.
Thirrje të ngjashme ka bërë edhe presidentja e shtetit, Vjosa Osmani.
Në këto zgjedhje po marrin pjesë edhe serbët lokalë, ndonëse kishin bojkotuar zgjedhjet prej nëntorit të vitit 2022, kur Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, pati dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.
Një pjesë e serbëve që financohen nga shteti i Serbisë, kanë votuar kolektivisht në një qendër votimi në Mitrovicë të Veriut.
Zgjedhjet janë duke u mbikëqyrur nga rrjeti i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim (DnV) dhe vëzhgues të angazhuar nga misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë.
© Panorama.al











