Procesi për babanë-tutor, gruaja mbron burrin në gjyq

Nov 5, 2011 | 13:03
Pëllumb Mullaj

Burrë e grua vihen përballë njëri-tjetrit në çështjen e shfrytëzimit për prostitucion prej babait të dy vajzave të mitura. Por dje, Pëllumb Mullaj, i akuzuar se ka shfrytëzuar vite më parë 2 vajzat e tij të mitura për qëllime prostitucioni, këtë herë është përjashtuar nga veprimet për të cilat ai akuzohet, pikërisht nga bashkëshortja e tij. Ashtu sikundër janë zhvilluar prej fillimit të gjitha seancat, edhe këtë herë Marjana P., nëna e vajzave, pas dyerve të mbyllura të sallës ka rrëfyer se nuk ka pasur dijeni për asnjë prej veprimeve për të cilat akuzohet 51-vjeçari. Gruaja ka hedhur akuzat e saj mbi njërin prej të arrestuarve ku ka pohuar se ka qenë në njohje të ngacmimeve seksuale që ai u bënte vajzave të saj. Sipas rrëfimit të nënës, ka qenë pikërisht 82-vjeçari Nevruz Kollani, që vajzat e thërrisnin me pseudonimin “Gjyshka”, ai i cili shpesh ka ngacmuar vajzat e saj duke përfituar nga mosha e tyre, por edhe nga vështirësitë ekonomike. “Vajzat i kisha ndaluar që ta takonin, por ato nuk më dëgjonin dhe për shkak të gjendjes ekonomike shkonin në banesën e tij, pasi ai u blinte rroba, ushqime dhe çokollata”, është shprehur nëna e vajzave. Në gjykim, në lidhje me këtë çështje përveç babait, Pëllumb Mullaj, janë dhe 4 persona të tjerë, të cilët në vitin 2004 akuzohen se kanë kryer marrëdhënie me të miturat, përkatësisht 8 dhe 10 vjeçe, kundrejt pagesës. Gjykimi për 51-vjeçarin Mullaj ka nisur mbi bazën e akuzës së ngritur nga Prokuroria për shfrytëzim prostitucioni të dy të miturave. Sipas informacioneve, kanë qenë vetë vajzat ato të cilat në vitin 2011 përmes një organizate kanë kërkuar ndihmë për denoncimin e rastit. Prostituimi për më tepër se dy vjet i tyre i ka detyruar t’i drejtohen një OJF-je në ndihmë të vajzave dhe grave të dhunuara. Pas ndihmës së marrë nga kjo e fundit, vajzat i janë drejtuar policisë më 18 prill të këtij viti, duke kërkuar që t’i shpëtonin tmerrit të tutorit, i cili rezultoi më tej të ishte edhe babai i tyre.

7 vjet
më parë ka ndodhur sipas dëshmisë së vajzave shfrytëzimi i tyre nga ana e babait, i cili i çonte te disa klientë kundrejt parave

Dëshmia
Të njëjtin deklarim si ai i djeshmi në Gjykatën e Korçës ka bërë dhe muaj më parë nëna e dy të miturave. Sipas saj, vajzat nuk janë shfrytëzuar nga babai. Megjithatë, gruaja prej kohësh nuk i takon më të bijat, të cilat strehohen në një qendër për gra dhe vajza të dhunuara.

KORCE/ DHORJELA DEMKOLLI

© Panorama.al

Te lidhura