Procesi në GJKKO ndaj Veliajt dhe të tjerëve, prokurori Dado: Kryebashkiaku është njohur me aktet e dosjes, të vijojë gjykimi! Avokati Haxhia: Njoftimi t’i bëhet direkt, jo nga toga

Mar 9, 2026 | 11:54

Në procesin ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj dhe të tjerëve, janë zhvilluar debate në seancë në GJKKO mes prokurorit të SPAK dhe palës mbrojtëse, ku ka pasur kërkesa dhe pretendime të ndryshme.

erion veliaj

Prokurori Olsi Dado i kërkoi Gjykatës që procesi të vijonte normalisht meqë të pandehurit që mungonin, mes tyre edhe bashkëshortja e kryebashkiakut, Ajola Xoxe, që është shtatzënë, ishin të përfaqësuar nga avokatët. Ai gjithashtu dha shpjegime se Veliaj ishte njohur me aktet e dosjes, madje edhe me argumentet shtesë

“Nga sa relatuat ju pak më parë, në lidhje me mungesën e Gentian Sules, “Agikons” dhe “Fusha shpk”, Gjykata të vlerësojë nëse jemi në kushtet për nenin 263 të Kodit të Procedurës Penale. Në lidhje me të pandehurin Erion Veliaj që kërkon të njihet me aktet, ne vlerësojme që janë njohur me aktet, por arsyetimit të tij dhe mbrojtësve të tij, ne i kemi shtuar edhe disa argumente shtesë që i pandehuri është njohur me aktet”, u shpreh përfaqësuesi i akuzës.

Trupa gjykuese i kërkoi SPAK-ut nëse i qëndronte vendimit të seancë paraprake dhe Dado e pohoi, duke kërkuar që gjyqi të vijonte.

Dado u shpreh se:

“Për të pandehurit që nuk janë të pranishëm kërkojmë që të vijojë gjykimi, duke qenë se janë të pranishëm avokatët e tyre”.

Në seancë foli edhe avokati Maks Haxhia, i cili vuri në dukje disa shkelje dhe pretendoi se kryebashkiaku Erion Veliaj nuk ishte njoftuar direkt për procesin sipas procedurës, por nëpërmjet togës së Drejtorisë së Burgjeve.

“Unë marrë shkak nga njoftimi që i është bërë zotit Veliaj, do t’i lutesha Gjykatës që të njoftohet i pandehuri, por jo drejtoria e burgjeve. Nuk mund të njoftohet nëpërmjet togës së shoqërimit por të njoftohet në mënyrë të drejpërdrejtë i pandehuri”, tha ai.

Një tjetër kërkesë në seancë ishte edhe prania e medias dhe një gjyq i hapur. Mësohet se për kërkesën e medias për të marrë pjesë me kamera në sallën e gjykimit, gjykata u tërhoq për vendim të ndërmjetëm.

Sot u mbajt seanca e parë e themelit pasi GJKKO kaloi më 9 shkurt për gjykim dosjen në ngarkim të kryebashkiakut të Tiranës.

Biznesmeni Elman Abule, pjesë e dosjes, është paraqitur në gjykatë.

Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt, pasi akuzohet se, së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa, ndërtuan një skemë komplekse korrupsioni dhe pastrimi parash për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga fondet e bashkisë dhe ryshfete nga biznesmenë kontraktorë të saj, duke përdorur një rrjet kompanish dhe organizatash jofitimprurëse.

SPAK ka renditur ndaj Veliajt 13 akuza, si korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg.

Sipas Prokurorisë, kryebashkiaku i kryeqytetit dhe bashkëshortja e tij kanë përfituar rreth 1 milion euro nga kjo skemë korruptive, para që janë përdorur kryesisht për blerje luksoze në internet nga Ajola Xoxa.

Veliaj ka kërkuar prej kohësh lirimin nga qelia, kërkesë e cila është rrëzuar nga të tre shkallët e gjyqësorit. Ai i është drejtuar edhe Gjykatës Kushtetuese për ndryshimin e masës së sigurisë, ndërsa gjykata e ka pranua shqyrtimin e kërkesës në seancë.

Kujtojmë që Gjykata Kushtetuese rrëzoi më 3 nëntor të vitit të kaluar vendimin e Këshillit të Ministrave për shkarkimin e Erion Veliajt nga detyra e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, duke e gjetur atë të papajtueshëm me Kushtetutën.

© Panorama.al

Te lidhura