Prizren, qindra në protesta kundër projektligjit për Qendrën Historike

Jan 30, 2012 | 11:36

Qindra qytetarë kanë protestuar dje në Prizren në mbrojtje të Qendrës Historike të qytetit, kundër miratimit të një projektligji të konsideruar diskriminues. Protesta u mbajt në sheshin “Shadërvan” dhe aty kanë marrë pjesë qytetarë nga qytete të ndryshme të Kosovës, por edhe nga Shqipëria. Ata kërkonin mbrojtjen e kompleksit historik të qytetit, të njohur falë Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Protestuesit kërkuan mosaprovimin e ligjit të ri nga Kuvendi, i cili e ndryshon statusin e qendrës së vjetër të qytetit. Protesta u organizua nga OJQ-të dhe qytetarët kanë qëndruar në shesh në temperatura nën zero. Qendra Historike e Prizrenit njihet për vlerat e mëdha kulturore, historike, etnografike dhe fetare. Miratimi i projektligjit konsiderohet nga protestuesit si “fatal” për historinë e shqiptarëve. Në kompleksin e qendrës historike janë të ndërthurura objektet e kultit: xhamitë, kishat dhe manastiret. Objekti më i vjetër është Xhamia e Sinan Pashës e shek. XV. Protestuesit shprehen se në bazë të projektligjit, i gjithë kompleksi do t’i kalojë në administrim Kishës serbe, e cila varet direkt nga Serbia. Kompleksi në fjalë përfshin gjithë Prizrenin e Vjetër dhe pjesën përreth lumit, ku janë trashëguar shekuj me radhë vlerat e kulturës shqiptare. Deri tani, hapur kundër këtij projektligji nga partitë opozitare ka dalë Lëvizja Vetëvendosje. Organizatorët e protestës së të dielës kanë deklaruar se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për anulimin e ligjit nëse ai, siç pritet, do të miratohet. Protestuesit kanë mbajtur 15 minuta heshtje, si shenjë proteste dhe mospajtimi me projektligjin për Qendrën Historike të Prizrenit. Projektligji për Hoçën e Madhe dhe ai për Qendrën Historike të Prizrenit figurojnë në listën e atyre ligjeve që burojnë nga Plani i Ahtisarit, miratimi i të cilave konsiderohet i nevojshëm për rrugën e Kosovës drejt përfundimit të periudhës tranzitore të pavarësisë së mbikëqyrur.          (J. Hallaci)

© Panorama.al

Te lidhura