TIRANE- Tre persona kanë rënë në pranga nga një aksion i Policisë Bashkiake dhe komisariatit numër 1 në Tiranë. Shtetasit, Dritan Marku, Ardian Dervishaj dhe Shkelzen Shehu janë ndaluar në kushtet e flagrancës, duke prerë pemë dhe dëmtuar Parkun e Madh të Tiranës pranë Liqenit Artificial.
Sipas njoftimit të Policisë Bashkiake, këta shtetas kanë prerë një numër të madh pemësh, dhjetra pisha gjatë muajve të fundit, në orët e vona të natës.
Të ndaluarit pretendonin se prisnin pemët e rrëzuara, por sipas Bashkisë, pas verifikimit, doli se justifikimi i tyre nuk qëndronte.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar mjetet e tyre të punës, dy sharra elektrike, dy radio ndërlidhëse si dhe një furgon me targa të falsifikuara që përdorej për transportin e drurit.
Akuza që rëndon mbi ta është prerje e pemëve dekorative.
© Panorama.al











