
Përfundon me përleshje historia disavjeçare e tregut industrial në Fier. Tre tregtarë u shoqëruan në komisariat pas përplasjes fizike me Policinë Bashkiake dhe atë të rendit, një fadromist përfundoi në spital me një çarje në ballë, ndërsa disa efektivë të rendit pësuan dëmtime. Dje, që në orët e para të mëngjesit, bashkiakët shkuan bashkë me fadromat për të shkatërruar tregun e paligjshëm. Por tregtarët i kanë bërë rezistencë, pasi kërkuan plotësimin e disa kushteve për tregtim, në rast të prishjes së vendit ekzistues. Rreth orës 14:00, një grup prej tyre u rikthye në vendin e tregtimit duke qëlluar me gurë e mjete të forta rrethanore fadromistët dhe policinë. Blutë ndërhynë për të qetësuar situatën, por ata hasën në rezistencën e dhunshme të personave që u përfshinë në këtë konflikt. Mësohet se nga gurët është plagosur fadromisti, një manovrator. Dëme të konsiderueshme iu shkaktuan edhe mjeteve që prishnin tezgat dhe llamarinat pa leje. Po ashtu, siç bënë të ditur burime nga Policia, dëmtime të lehta nga gurët dhe objektet e tjera të

hedhura nga tregtarët kanë marrë edhe uniformat blu. Ata kanë shkuar në ndihmë të bashkiakëve pa asnjë mjet mbrojtës, por gjithsesi, sipas burimeve, ata kanë pësuar vetëm disa gërvishtje të lehta, pa qenë e nevojshme që të shkojnë për ndihmë mjekësore në spital. Plagë më të rënda pësoi fadromisti, i cili në orët e pasdites mori ndihmë në spital pasi kishte pësuar një çarje serioze në ballë nga gurët. “U shoqëruan tre personat më problematikë, të cilët organizonin tregtarët të sulmonin”, bënë të ditur burime të Policisë. Rreth orës 17:30, Policia Bashkiake dhe ajo e rendit e kanë përfunduar misionin e tyre në mbrojtje të punëtorëve që merreshin me prishjen e tregut, pasi gjithçka që ishte aty, u shkatërrua. Tregu do të zhvendoset pas një vendimi të Këshillit Bashkiak për t’ia lënë vendin sipërfaqes që duhet të shfrytëzohet për ndërtimin e stadiumit të lojërave me dorë, si dhe për t’i hapur rrugën sistemimit të lumit Gjanicë. “Vendimi i Këshillit të Bashkisë e çliron këtë hapësirë publike. Në këtë mënyrë merr fund edhe rreziku që i sillej çdo tregtari dhe qytetit. Në çdo shi Gjanica dilte nga shtrati pasi ishte i dëmtuar në këtë pjesë nga tregu. Bashkia u ka ofruar tregtarëve një tjetër treg”, u shpreh nënkryetari i Bashkisë, Florjan Muçaj. Mësohet se 270 tregtarë do të shpërngulen në një treg privat në afërsi të qendrës tregtare “Univers”, pranë rrugës “Aulona”. Një ndër kërkesat e tyre ishte tarifa më e ulët për vendin, si dhe menaxhimi nga Bashkia dhe jo nga privati që e ka ndërtuar.
FIER/ MAJLINDA RAMA











