
Prifti u përgjigjet avokatëve të Metës: Më sulmojnë me dëshmitarë të dënuar. Ish-ministri: Kompania e gruas sime fitoi dy ankande te Albpetrol, nuk kam ndikuar në vendimmarrje
Dritan Prifti reagoi dje ndaj akuzave të avokatëve të Ilir Metës, të cilët e fajësuan ish-ministrin për favorizim të kompanisë së gruas së tij në ankandet e Albpetrol-it kur drejtonte Ministrinë e Ekonomisë. Ish-ministri kërkoi përsëri ekspertizë ndërkombëtare për videon, duke premtuar publikisht se ditën e sotme, 30 kopje të videos që ka dorëzuar në Prokurori do t’i shpërndajë në Ambasadën Amerikane dhe gjithë vendeve të BE-së. “Do të kërkoj që ta ekspertojnë videon e pamanipulueshme dhe të shikojnë ku janë gjykatat shqiptare dhe pseudoekspertët”, tha Prifti. Ai më pas foli rreth akuzave që janë bërë për favorizimin e kompanisë së gruas së tij në ankandet e Albpetrol-it. “Unë si ministër Ekonomie nuk kam ndikuar kurrë për t’i dhënë tenderë, ankande, koncesione apo privatizime ndonjë personi familjar apo të lidhur me familjen time”, tha Prifti. Ai shprehu bindjen se nëse do të kishte punuar në këtë mënyrë, nëse do t’i jepte tenderë në mënyrë të paligjshme njerëzve të afërt apo Ilir Metës, sot do të ishte akoma ministër Ekonomie. “Kompania ‘TEA’, për të cilën akuzohem, ka konkurruar për ankande të shitjes së naftës bruto të Albpetrol-it dhe ka fituar me ofertën më të mirë dhe çmimin më të lartë në tenderë ku janë ftuar zyrtarisht të gjitha kompanitë që kanë licencë për këtë lloj biznesi në Shqipëri”, theksoi Prifti. Ai nënvizoi se e ka porositur Albpetrol-in, kur ka qenë ministër, që të ftohen në ankande të gjitha kompanitë që operojnë në Shqipëri, pa asnjë përjashtim. Duke iu referuar dëshmisë në Gjykatën e Lartë, Prifti tha se zv.drejtori i Albpetrol-it në gjyq ka pohuar që s’ka pasur kurrë asnjë favorizim në këto ankande. Ish-ministri Prifti deklaroi më tej se pronari i TEA ka blerë aksione vetëm në shkurt 2011 nga disa ortakë të tjerë, në kompaninë ku është ortake edhe Meri Prifti (gruaja e Dritan Priftit). “Avokati i djallit nuk e thotë faktin që në shkurt 2011 unë kisha mbi 5 muaj që nuk isha ministër dhe që kisha kaluar në vullnetin tim të plotë në opozitë”, vijoi Prifti. Ai akuzoi edhe dëshmitarin Bekim Halilaj për ndryshim të thënieve dhe për deklarime të pavërteta. “Çdo media e ka mundësinë të hyjë në internet, të shoh QKR-në dhe të shohë që gruaja ime nuk ka pasur kurrë ortak në asnjë biznes gjatë periudhës që unë kam qenë ministër. Në ekstraktin e QKR-së është e shkruar qartë se Meri Prifti, në datën 14.12.2009 i ka shitur aksionet dhe është larguar si ortake. Në ekstraktin e QKR-së është shkruar qartë se ortaku i ri ka blerë aksione në këtë kompani nga dy aksionerë të tjerë, jo nga gruaja ime, në datën 12.02.2011, kur unë kisha mbi 5 muaj larguar si ministër”, tha Prifti. Sipas tij, Bekim Halilaj, në gjyq, por edhe më pas në media, ka gënjyer. “Bekimin unë e njoh nga Ilir Meta. Bekimi është një person i dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë me tre vjet burg për mashtrim. Ilir Meta me gojën e tij më ka thënë se si Bekim Halilaj ka bërë kontrabandë nafte nga Greqia me Maqedoninë në kohën e embargos. Bekimi këtë ma ka pohuar edhe vetë me mburrje. Këtë njeri e njohin kush është. Ky njeri ka dalë në mbrojtje të Ilir Metës në gjyq. Për këtë njeri kërkonte Ilir Meta favore të jashtëligjshme”, theksoi Prifti. Ai akuzoi se biznesmeni në fjalë është bërë i njohur i tij pas vitit 2009 nga Ilir Meta. Prifti kërkoi publikisht që Prokuroria të verifikojë tabulatet e tij për të parë nëse ka folur me këtë person para vitit 2009. “Po ashtu, i bëj thirrje Prokurorisë të verifikojë edhe tabulatet e Metës me këtë person dhe veçanërisht pasi unë publikova videon, pasi kanë folur çdo ditë në telefon”, theksoi ish-ministri i Ekonomisë. Duke u rikthyer përsëri te dëshmia në Gjykatën e Lartë, Prifti foli për disa zhvillime të ditëve të fundit. “Ilir Meta dje i ka thënë një mikut tim se do më shkatërrojë mua bashkë me gjithë ata që më mbështesin. Sigurisht që nuk kam aspak frikë. Ilir Meta është një frikacak, të cilin unë e kam parë të lidhë kokën me peshqir dhe të mbulohet me jorgan sa herë ka telashe. Ai tani mbrohet nën jorganin e Sali Berishës dhe koalicionit që ka uzurpuar pushtetin. Le ta provojë me mua. Jam gati të përgjigjem deklaratë për deklaratë, video për video, grusht për grusht apo dhëmbë për dhëmbë. Kur të dojë dhe si të dojë”, tha Prifti.
Prifti: Akuzat ndaj Nanos nuk u hetuan
Dritan Prifti hodhi poshtë dje pretendimet e avokatëve të Metës, të cilët, sipas ish-ministrit, janë përpjekur ta bëjnë dëshminë e tij të pabesueshme. “Avokatet tentuan t’i kujtonin Gjykatës se unë kam akuzuar publikisht edhe Fatos Nanon për pastrim parash dhe akuza nuk u vërtetua. Avokatët fshehën faktin se akuzat e mia kundër Fatos Nanos kurrë nuk u hetuan zyrtarisht, unë nuk u thirra asnjëherë për të dëshmuar zyrtarisht. Këto akuza i ka pranuar dhe mbështetur si të vërteta në media edhe Ilir Meta”, tha Prifti.
Luan Rama: Gjyqi ndaj Metës, i montuar
Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, tha dje se dëshmitë e dhëna në Gjykatën e Lartë, të bazuara në dokumente zyrtare dhe autentike, kanë treguar procesin e montuar ndaj Ilir Metës. Luan Rama tha se procesi ka pasur zhvillime interesante që provojnë me shkresa dhe dokumente zyrtare jo vetëm falsitetin e të gjithë procesit politik kundër z. Meta, por edhe pathemelësinë, manipulimin e provave dhe falsifikimin e tyre për të mashtruar opinionin publik. “Vetë dëshmitari i prokurorisë, Bekim Halilaj, ka provuar dje me një mori shkresash dhe dokumentesh zyrtare që akuzat e Prifti janë jo vetëm një mashtrim, por edhe një manipulim konkretizuar kjo edhe me atë që dokumentohet edhe në video-përgjimin e tij”, tha sekretari i Përgjithshëm i LSI-së. Sipas Luan Ramës, dëshmitari i prokurorisë, biznesmeni Bekim Halilaj, ka thënë se një sasi nafte prej 30 000 tonësh ose konvertuar në vlerë, rreth 10 milionë dollarë, i është dhënë në mënyrë të fshehtë që më 10 shkurt, tri javë më përpara sesa është realizuar video-përgjimi dhe gjithashtu tri javë më përpara sesa ishte caktuar data e ankandit, kompanisë “TEA Construction”. Sipas Luan Ramës, kjo kompani ka një lidhje që vjen e provuar sipas dëshmitarit Halilaj dhe dokumenteve që ai referon. Pronari i kompanisë “TEA construction”, me një marrëveshje që nuk e ka ditur komisioni që zhvillonte ankandin dhe që mban datën 10 shkurt, për të përftuar sasinë e naftës. Ai është gjithashtu ortak në fabrikën e tullave me bashkëshorten e dëshmitarit tjetër të prokurorisë, Prifti. Sipas sekretarit të Përgjithshëm të LSI-së, mjafton ky fakt për të kuptuar lidhje, marrëdhënie, konflikt interesi, pazare korruptive apo afera korruptive që nga zhvillimet e djeshme e shndërrojnë tashmë procesin gjyqësor ndaj z. Meta në proces të mbyllur për të çelur një proces gjyqësor ndaj dëshmitarit kryesor të prokurorisë. Duke cituar marrëveshjen e datës 12 shkurt 2010, Rama tha se nënshkrimi është bërë ndërmjet shoqërisë tregtare “ARMO”, “ALBPETROL” dhe shoqërisë “TEA construction” më datë 10 shkurt 2010. Video-përgjimi, sipas Luan Ramës, është realizuar shumë ditë më pas.
Trazhgim Sokolaj











