Vdekja e 26 personave dhe plagosja e mbi 300 të tjerëve më15 mars 2008, pas shpërthimit të fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec, mund të kyçë përjetë në burg të pandehurit Ylli Pinari, Mihal Delijorgji dhe Dritan Minxolli.
Prokuroria e Tiranës i kërkoi dje gjykatës deklarimin e tyre fajtorë dhe dënimin e tyre me burgim të përjetshëm. Sipas prokurorisë, nga gjyki- mi u provua fajësia e ish-kreut të MEICO-s, Pinari, biznesmenit Delijorgji dhe ish drejtorit të fabrikës, Minxolli, për akuzën e “vrasjes në rrethana cilësuese, të kryer në bashkëpunim, kundër 26 personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave të tjerë”, “shkatërrim i pronës me eksploziv”, në bashkëpunim, që ka shkaktuar shkatërrimin e pronës me pasoja të rënda materiale në vlerë 2 243 843 616 lekë, e cila përfshin shkatërrimin e pronës private në vlerë 2 141 343 616 lekë, shkatërrimin e pronës publike në vlerë 102 500 000 lekë dhe për disa vepra penale më të lehta. Për të njëjtat vepra penale, prokuroria kërkoi shpalljen fajtor dhe dënimin me 23 vjet burg për të pandehurin Sokol Ngjeci.
Në seancën e djeshme, asnjë nga të pandehurit për të cilët u kërkua dënim kapital nuk ishte i pranishëm në seancë. Vitet e dënimit të tyre u dëgjuan nga mbrojtësit e tyre ligjorë. Nga më të rënduarit, prezent në sallë ishte vetëm i pandehuri Ngjeci. Në përfundim të pretencës avokatët kërkuan kohë të konsiderueshme për përgatitjen e mbrojtjes, ku nuk mungoi as një kërkesë për mbi dy muaj kohë. Kryesuesi i seancës, gjyqtari Ridvan Hado, caktoi datën 16 nëntor për seancën e radhës. Në përfundim të seancës, Zamira Durda, familjare e viktimave të Gërdecit, pohoi se prisnin kërkesa për dënime më të rënda..
KËRKESA
Katër prokurorët e dosjes “Gërdeci” në Gjykatën e Tiranës i dhanë fund dje leximit të materialit voluminoz prej 500 faqesh të konkluzioneve përfundimtare të organit të akuzës, leximi i të cilit nisi disa javë më parë. Pas më shumë se tre vjetësh shqyrtimi gjyqësor, prokurorët kërkuan deklar- imin përgjegjës dhe fajtorë për tragjedinë për 28 nga 29 të pandehurit e dosjes. Vetëm për të pandehurin Lavdi Shatro, prokuroria tërhoqi akuzën dhe i ktheu aktet në prokurori për hetimet të mëtejshme. Përveç tri burgimeve të përjetshme dhe dënimit me 23 vjet burg për të pandehurin Ngjeci, prokuroria nuk u kursye në vitet e burgut edhe për ish-drejtuesit e lartë të Ushtrisë. Prokuroria kërkoi dënimin me 8 vjet burg dhe 5 vjet ndalim për ushtrimin e detyrës për ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha. Ndalim të së drejtës për ushtrimin e detyrave sh- tetërore për 5 vjet u kërkua edhe për ish-komandantin e Forcës së Bashkuar, Shpëtim Spahiu, për të cilin prokuroria kërkoi dënim me 8 vjet burg. Nga 8 vjet burg u kërkuan edhe për Shkëlzen Madanin e Dashnor Çaushin. Për ish- drejtuesin e Komandës Mbësh- tetëse, Zija Bahja, u kërkua 6 vjet burg, ndërsa për ish-usht- arakun e lartë të FA, Agim Lala, u kërkua dënim me 4 vjet burg. Sipas prokurorisë, pothuajse për të gjithë të pandehurit u kërkua heqje e së drejtës për të ushtruar detyrë shtetërorë apo publike në harqe kohore që varionin nga 2 deri në 5 vjet. Të pandehurit ish-shtarakë akuzoheshin për “shpërdorim detyrë” nga kuadri komandues. Për shoqërinë “Alba- demil shpk”, si person juridik, prokuroria kërkoi gjobitjen e saj me 75 milionë lekë, si edhe me “heqjen e së drejtës të ush- trimit të çdo lloj veprimtarie që ka lidhje me armët dhe muni- cionet luftarake dhe lëndët plasëse” për një periudhë kohe 20 vjet.
Skrapi i Gërdecit i kalon shtetit
TIRANE – Prokuroria u shpreh dje edhe në lidhje me provat materiale të konfiskuara që duhet të kalojnë në favor të shtetit. Sipas prokurorisë, për llogari të shtetit duhet të kalojnë disa shuma të konsiderueshme parash, në lekë, euro dhe dollarë, si edhe një pistoletë “mini- blou”. Po ashtu, i gjithë skrapi i mbledhur në Gërdec pas shpërthimit duhet t’i kalojë shtetit. “E gjithë sasia e ma- terialeve skrap, gëzhoja tunxhi të kalibrave të ndryshëm, të dëmtuara ose jo, predhave dhe shtimjeve të dëmtuara ose jo, të mbledhura pas pastrimit dhe përpunimit të zonës së shpërthimit. Të gjitha mbetjet metalike (skrap) të gjetura në vendngjarje, të cilat nuk kanë lidhje me municionet luftarake”, thuhej në pretencë. Sekuestrimi konservativ i disa dhjetëra pronave të paluajtshme dhe llogarive bankare do të qëndrojë në fuqi deri në zgjidhjen e padisë civile në procesin penal.
Armand Bajrami
Pretenca per denimet
Ylli Pinari burgim i përjetshëm
Mihal Delijorgji burgim përjetë (heqje e të drejtës së ushtrimit të detyrave drejtuese për 10 vjet)
Dritan Minxolli burgim të përjetshëm
Sokol Ngjeçi 23 vjet burg
Ardian Mullahi 7 vjet burg 1 mln lekë gjobë (heqje e të drejtës për të ushtruar funksione publike)
Shkëlzen Madani 8 vjet burg 2 mln lekë gjobë (heqja e të drejtës së ushtrimit të funksioneve publike për 5 vjet)
Dashnor Caushi 8 vjet burg (heqja e të drejtës së ushtrimit të funksioneve publike për 5 vjet)
Armand Tartari 4 vjet e 6 muaj burg (heqja e të drejtës së ushtrimit të funksioneve publike për 3 vjet)
Luan Hoxha 8 vjet burg (heqje e të drejtës për të ushtruar detyrën për një periudhë 5 vjet)
Agim Lala 4 vjet burg (ndalimi i të drejtës për të ushtruar ndonjë detyrë shtetërore, për 3 vjet”
Hilmi Laçaj 4 vjet burg (ndalimi i të drejtës për të ushtruar ndonjë detyrë shtetërore, për 3 vjet)
Ndue Marku 3 vjet e 400 mijë lek gjobë (heqja e të drejtës për të ushtruara funksione publike për 3 vjet)
Shpëtim Spahiu 8 vjet burg (ndalimi i të drejtës për të ushtruar detyrë shtetërore për 5 vjet)
Zija Bahja 6 vjet burg (ndalimi i të drejtës për të ushtruar detyrë shtetërore për 4 vjet)
Agim Babameto 4 vjet burg (ndalimi i të drejtës për të ushtruar detyrë shtetërore për 2 vjet)
Rezart Tërshana 4 vjet burg (ndalimi i të drejtës për të ushtruar detyrë shtetërore për 2 vjet)
Besnik Dauti 3 vjet e 6 muaj burg (ndalimi i të drejtës për të ushtruar detyrë shtetërore për 2 vjet)
Fatbardh Kuçi 3 vjet e 6 muaj (ndalimi i të drejtës për të ushtruar detyrë shtetërore për 2 vjet)
Gëzim Oshafi 3 vjet e 6 muaj (ndalimi i të drejtës për të ushtruar detyrë shtetërore për 2 vjet)
Jorgo Mino 4 vjet burg (ndalimi i të drejtës për të ushtruar detyrë shtetërore për 2 vjet)
Denis Hajdari 3 vjet e 6 muaj (ndalimi i të drejtës për të ushtruar detyrë shtetërore për 2 vjet)
Fari Toska 4 vjet burg (ndalimi i të drejtës për të ushtruar detyrë shtetërore për 2 vjet)
Zenun Ferro 4 vjet e 6 muaj burg (ndalimi i të drejtës për të ushtruar detyrë shtetërore për 2 vjet)
Hysni Çoçka 4 vjet burg(ndalimi i të drejtës për të ushtruar detyrë shtetërore për 2 vjet)
Adriatik Mema 1 vit burg e 200 mijë lekë gjobë (pezullim, prove për 3 vjet)
Juliana Margariti 2 vjet e 6 muaj burg e 300 mijë lekë gjobë (heqja e të drejtës për të ushtruar funksione publike për 2 vjet)
Lavdi Shatro tërhiqet akuza, aktet në prokurori për hetime të mëtejshme.
Fiqiret Mato 2 vjet burg e 1 milion lekë gjonë (heqja e të drejtës për të ushtruar funksione publike për 2 vjet)
Albademi shpk. 75 milionë lekë gjobë (heqje e të drejtës për t’u marrë më veprimtari që kanë lidhje me armët për 20 vjet)
© Panorama.al











