Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nga protesta që po mban përpara Kryeministrisë, bëri thirrje për drejtësi për ish krerët e UÇK-së, për të cilët Prokuroria e Hagës ka kërkuar 180 vite burg në total për ta.
Berisha tha se ish krerët mbrojtën mijëra shqiptarë të Kosovës nga gjenocidi serb. Sipas tij, para gjykatës duhet të jenë Rama dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç.
“Dje në Hagë, prokuroria paraqiti një pretencë kundër ish-udhëheqjes politike të Kosovës, identike me pamflete e propagandës së verbër ultranacionaliste serbe. Nga kjo platformë, në emër tuaj, i shpreh besimin e plotë gjykatësve, u bëj thirrje të vlerësojnë gjithçka mbi bazën e ligjit. Të shpallin pafajësinë e atyre burrave që me guxim dhe heroizëm mbrojtën dhjetëra mijëra shqiptarë nga gjenocidi më i egër, gjenocidi serb.
Zotërinj gjykatës, Ballkani ka njohur gjenocide të tmerrshme dhe dy janë sot faqezinjtë më të mëdhenj të tyre, Aleksandër Vuçiç në Beograd që mori pjesë në safarin e qytetarëve në Sarajevë dhe që nuk njoh gjenocidin serb në Bosnje, i dyti argati i tij, Edi Rama, i cili ka përzënë 1 milionë shqiptarë. I cili me kushtet e kalkulueshme për largimin dënohet për krime kundër njerëzimit dhe gjenocid në përputhje me konventën e OKB, nenin pesë të saj.
Ndaj dhe zotërinj gjykatës, për të bërë drejtësinë, duhet që këto dy monstra të ulen në Hagë para jush dhe jo luftëtarët e lirisë.”, tha Berisha.
© Panorama.al











