Kandidati i partisë “Mundësia” për zgjedhjet e 11 majit, Erald Kapri foli pasditen e sotme në News 24 lidhur me fushatën elektorale.

Kapri i cili kandidon në Tiranë, shprehet se sondazhet tregojnë që Mundësia del forcë e tretë, ndërsa pret që kjo parti të formojë edhe një grup parlamentar.
“Presim të kemi grup parlamentar.”
Më tej foli edhe për zonën e tij elektorale në qarkun e Tiranës, Kavajën.
“Edhe pse ka 30 mijë vota, ndikimi i kandidatëve të pushtetit, Kavaja është e mbushur me banderola elektorale. Në këto zona ka patur betejë të fortë elektorale. Ne u themi të vërtetën. Partitë e tjera kanë hapur thesin. Askush nuk thotë ku do gjejnë paratë. Buxheti aq është. Ka vetëm një rrugë, që biznesi të ecë përpara. Kështu ka ecur perëndimi. Themi për një ekonomi të çliruar. Populli shqiptar është punëtor, ambicioz, kudo në perëndim kanë çarë. Shtetin ta shikosh si partner. Pagat rriten vetëm përmes punës dhe një qeverie të vogël”, tha profesor Kapri.
Sakaq, tregoi qasjen dhe filozofinë e Mundësia që për të fokusohet te lënia e lirë e njerëzve që të bëjnë biznes dhe të zhvillojnë sipërmarrjet e tyre.
“Gjithë industria dentare sjellin mijëra turistë në Shqipëri. Në turizëm qeveria më shumë po prish punë. Njerëzit e dinë vetë ku lëviz paraja. Ti lëmë njerëzit të lirë. Kush ka dëshirë të punojë, të punojë. Themi vetëm përmes biznesit dhe iniciativës private zhvillohet ekonomia. Jemi ende vendi më i varfër në Europë, me ta ardhurat më të ulëta. Edhe kaq e kanë zhvilluar njerëzit, me punën e tyre. Na kanë vlerësuar si nga fushatat më të bukura. Kandidatët tanë shpërndajnë fletëpalosje.”
Ai tregoi edhe si po zhvillohet fushata e Mundësia dhe ndihëm që i dha Inteligjenca Artificiale.
“Gjejmë dhe zgjidhje inovative. Ne bëmë me IA, paguam vetëm 10 dollarë, bëmë një këngë që i përshtatet fushatës sonë. Ne jemi ekip, zoti Shehaj drejton gjithë partinë. Për këngën ishte një djalë i stafit që e propozoi. Jemi me këmbë në tokë. Nuk themi që do fitojmë 71 mandate. Nëse marrim një grup parlamentar është një sukses i jashtëzakonshëm. Sondazhi i Nottos tregoi se jemi parti që po rritemi.
Besojmë se më 11 maj do jetë një grup parlamentar i Mundësisë. Jemi për ndryshim të vërtetë. Nuk kërkojmë zëvendësim të një qeverisje të korruptuar me një qeverisje më pak të korruptuar. Rotacion ka nëse ka kontrast të madh me Edi Ramën. Këtë kërkojmë”, u shpreh Kapri.
© Panorama.al











