Ambasadori danez Karsten Ankjaer Jensen ka garantuar kreun e shtetit, Bamir Topi për mbështetjen që Danimarka do t’i japë Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit në BE.
“Mbretëria e Danimarkës do të vazhdojë të mbështesë vendin tonë në përpjekjet e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian duke uruar që të Shqipëria të arrijë ta marrë e ta meritojë statusin e vendit kandidat dhe do të ishte një gjë shumë e mirë sikur kjo të ndodhte në këtë vit të njëqindtë të pavarësisë së saj”- tha ambasadori gjatë takimit të sotëm me presidentin Bamir Topi.
Gjatë këtij takimi, Kryetari i Shtetit theksoi se integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian është objektivi kryesor i politikës së jashtme shqiptare që reflekton dhe synon të përmbushë aspiratën e gjerë të qytetarëve shqiptarë për të qenë pjesë edhe zyrtarisht e familjes evropiane.
Topi nënvizoi se për realizimin e kësaj aspirate, duhet angazhimi maksimal i shtetit shqiptar dhe institucioneve të tij dhe një bashkëpunim intensiv me Presidencën daneze dhe delegacionin e Bashkimit Evropian në Tiranë.
“Objektivi ynë është përshpejtimi i procesit të integrimit të plotë të Shqipërisë dhe ne shpresojmë në marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian brenda këtij viti, pasi të kemi plotësuar kriteret e duhura, ku më kryesori është dialogu dhe bashkëpunimi politik institucional.” – theksoi Topi.
Ambasadori i Mbretërisë së Danimarkës, Karsten Ankjaer Jensen, e informoi dhe i paraqiti Presidentit Topi përparësitë e programit të presidencës daneze të radhës së Bashkimit Evropian, ku një vend të veçantë do të zerë vazhdimësia e procesit të zgjerimit, si dhe mbështetja dhe ndihmesa ndaj Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor për t’u anëtarësuar në gjirin e familjes evropiane.
© Panorama.al











