Presidenti i SHBA-së përmirëson transportin e tij tokësor dhe ajror! Pas “Cadillac-ëve” të rinj, në verë Trump merr edhe një “Air Force One”

Jan 23, 2026 | 11:14

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, po pajiset me mjete të reja transporti, si tokësore ashtu edhe ajrore.

trump

Këtë javë, në Davos të Zvicrës, Shërbimi Sekret i SHBA-së (Secret Service – USSS) nisi ta transportojë Trumpin me automjete të reja SUV të markës Cadillac, gjë që u konfirmua nga vetë agjencia përmes rrjeteve sociale.

Automjetet duket se janë Cadillac Escalade, megjithëse kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht nga Shërbimi Sekret.

“Jemi të entuziazmuar që vazhdojmë bashkëpunimin tonë afatgjatë me General Motors, duke i shtuar këto automjete flotës sonë të mbrojtjes”, deklaroi drejtori i Shërbimit Sekret, Sean Curran.

Në muajin mars, pas një takimi mes Trumpit dhe drejtoreshës ekzekutive të GM, Mary Barra, Curran vizitoi një nga ambientet e GM në Warren të Michiganit, ku u diskutua zhvillimi i gjeneratës së ardhshme të SUV-ve të blinduara. Gjatë bisedës me Barra, Trump hodhi idenë e përdorimit të SUV-ve Cadillac.

Tradicionalisht, presidenti udhëton shpesh me një Chevrolet Suburban të blinduar, kur nuk përdor limuzinën presidenciale. Në shtator të vitit 2024, Departamenti i Sigurisë Kombëtare dhe Shërbimi Sekret i dhanë GM-së një kontratë prej 14,8 milionë dollarësh për zhvillimin e gjeneratës së re të limuzinës presidenciale, e njohur me nofkën “The Beast” (“Bisha”), vlera totale e së cilës mund të arrijë deri në 40,8 milionë dollarë deri në vitin 2029, shkruan Reuters.

Në muajin gusht, kontrata u ndryshua për të përfshirë një opsion shtesë të financuar me 13,5 milionë dollarë. Në mars, Shërbimi Sekret publikoi një fotografi nga kjo vizitë, ku shihej një Cadillac Escalade SUV me flamurin presidencial, pranë një fotografie të madhe të vulës presidenciale. Automjeti i paraqitur në foto i ngjan atij që Trump përdori këtë javë për udhëtimin e tij.

Ndërkohë, Forcat Ajrore të SHBA-së njoftuan të enjten se Trump do të pajiset me një avion të ri deri në verë. Të martën në mbrëmje, për udhëtimin drejt Davosit, ai u detyrua të përdorte një avion më të vogël Boeing 757 në vend të Boeing 747-it të zakonshëm, për shkak të një “problemi të vogël në sistemin elektrik” të avionit presidencial.

Në muajin maj, Trump pranoi nga qeveria e Katarit një Boeing 747 luksoz për ta përdorur si Air Force One të përkohshëm, deri në dorëzimin e dy avionëve të rinj nga Boeing, të cilët janë përballur me vonesa të mëdha. Avioni nga Katari, 13-vjeçar dhe me një interier luksoz, aktualisht po i nënshtrohet modifikimeve që kushtojnë qindra miliona dollarë.

Forcat Ajrore deklaruan se parashikojnë që “dorëzimi të bëhet jo më vonë se vera e vitit 2026” dhe shtuan se janë “në koordinim të ngushtë me institucionet përkatëse qeveritare për të siguruar që avioni të përmbushë standardet e duhura të sigurisë dhe kërkesat operacionale të misionit”.

Muajin e kaluar, Forcat Ajrore njoftuan se dorëzimi i avionit të parë nga dy Air Force One të rinj të porositur nga Boeing do të shtyhet edhe një vit tjetër, deri në mesin e vitit 2028.

© Panorama.al

Te lidhura