“Presidenti i Kosovës të zgjidhet nga populli”- Kryeparlamentarja Haxhiu mbështet kërkesën e Vjosa Osmanit: Do eliminonte ngërçin institucional

Mar 5, 2026 | 18:14

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e ka mbështetur kërkesën e presidentes Vjosa Osmani, që presidenti i Kosovës të zgjidhet përmes votës së popullit.

haxhiu osmani kurti

Në një reagim në Facebook, Haxhiu tha se i ka pranuar amendamentet kushtetuese nga Osmani, të cilat parashohin që presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli.

“Në këtë mënyrë eliminohen ngërçet që po e pengojnë funksionimin e institucioneve dhe që po e pamundësojnë stabilitetin e tyre. I bashkohem thirrjes së Presidentes për votimin e këtyre amendamenteve”, shkroi Haxhiu.

Anëtari i Komisionit për Legjislacion nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka thënë se janë ngarkuar nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, që t’i shqyrtojnë amendamentet e propozuara nga presidentja Osmani.

Sipas Rrustemit, miratimi i këtyre amendamenteve eliminon “ngërçet që po e pengojnë funksionimin e institucioneve”.

“Në përkrahje të këtyre amendamenteve, me këtë mënyrë eliminohen ngërçet që po e pengojnë funksionimin e institucioneve dhe që po e pamundësojnë stabilitetin e tyre”, ka shkruar ai në Facebook.

Mbledhja për shqyrtimin e amandamenteve do të mbahet në orën 18:00, sipas Vigan Qorrollit, anëtarit të komisionit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Kujtojmë se Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se i ka kërkuar Kuvendit të bëjë ndryshime kushtetuese për ta mundësuar zgjedhjen e presidentit të vendit përmes votës së popullit.

“Duke parë dështimet e njëpasnjëshme në zgjedhjen e Presidentes/it, sapo kam proceduar në Kuvend amendamentet kushtetuese për zgjedhje të drejtpërdrejta të Presidentit/es, të cilat ishin hartuar nga Komisioni për amendamentimin e Kushtetutës në vitin 2011”, shkroi Osmani.

Ajo u bëri thirrje të gjitha partitë politike t’i votojnë këto amendamente kushtetuese.

“Tash e tutje, le të flasë populli”, shkroi Osmani në Facebook.

Sipas Kushtetutës, presidenti i Kosovës zgjidhet nga Kuvendi përmes votimit të fshehtë të deputetëve.

Thirrja e Osmanit vjen pasi partitë politike nuk arritën marrëveshje për një president konsensual dhe Osmani nuk gjeti mbështetjen e tyre për një mandat të dytë.

© Panorama.al

Te lidhura