Prej tri ditësh pa energji elektrike, banorët e Prrenjasit denoncojnë neglizhencën: Askush nuk na tregon se kur do të rikthehen dritat!

Jun 29, 2026 | 13:24

Banorët e lagjes Ish-Miniera, në Zonën Industriale të Prrenjasit, po përballen me një situatë të vështirë, pasi prej pasdites së të premtes kanë mbetur pa energji elektrike, ndërsa denoncojnë mungesën e informacionit të saktë dhe komunikimin jo profesional nga institucionet përgjegjëse.

Pogradec transformatori (1)

Sipas banorëve, ndërprerja e energjisë ndodhi rreth orës 17:20 të së premtes. Menjëherë pas defektit, ata kontaktuan nënstacionin elektrik të Prrenjasit dhe strukturat e OSHEE-së në Elbasan, ku fillimisht u është komunikuar se furnizimi me energji do të rikthehej rreth orës 20:00.

Megjithatë, pas pritjes dhe telefonatave të shumta, situata ndryshoi. Rreth orës 21:00, banorët u informuan se shkak i ndërprerjes ishte djegia e një transformatori.

Sipas tyre, u ishte premtuar se problemi mund të zgjidhej gjatë së dielës, nëse punonjësit e nënstacionit të Prrenjasit do të ndërhynin për zëvendësimin e tij.

Por edhe dita e diel kaloi pa asnjë zgjidhje. Banorët thonë se kontaktuan edhe OSHEE-në në Tiranë, ku u është komunikuar se nuk kishte asnjë informacion për këtë avari. E njëjta përgjigje, sipas tyre, është marrë edhe nga OSHEE Elbasan, ku është pretenduar se nuk kishte njoftim nga nënstacioni i Prrenjasit për vazhdimësinë e defektit.

prrenjas

Edhe gjatë ditës së sotme, situata mbetet e pandryshuar. Banorët shprehen se nga strukturat përkatëse në Tiranë dhe Elbasan u është bërë e ditur se nuk ekziston ende një plan konkret për rikthimin e energjisë elektrike, pasi ndërkohë janë raportuar edhe djegie transformatorësh në qytetin e Elbasanit, ç’ka ka vështirësuar më tej ndërhyrjet.

Mungesa e energjisë ka prekur një zonë të gjerë (zona në rreth në foton sipër), duke përfshirë lagjen Ish-Miniera, Zonën Industriale të Prrenjasit, Gjimnazin “Halit Berzeshta”, si edhe zonën e njohur të ish-Hoteleve të Punëtorëve. Banorët shprehen se prej tre ditësh po përballen me vështirësi të shumta në jetën e përditshme, ndërsa bizneset dhe institucionet në zonë kanë pësuar pengesa serioze në aktivitetin e tyre.

Nga ana tjetër, OSHEE ka reaguar lidhur me situatën, duke sqaruar se ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me banorët. Sipas institucionit, transformatori është vendosur që ditën e djeshme, por pas rreth një ore funksionimi ai është djegur sërish, duke bërë të pamundur furnizimin normal me energji elektrike.

OSHEE bën me dije se aktualisht është duke u transportuar një vinç, i cili do të përdoret për montimin e një transformatori tjetër, me shpresën që furnizimi me energji të rikthehet sa më shpejt.

Ndërkohë, banorët kërkojnë një reagim më të shpejtë dhe mbi të gjitha transparencë në komunikim, duke theksuar se për ditë me radhë kanë marrë informacione kontradiktore dhe nuk kanë një afat të qartë se kur do të përfundojë kjo situatë.

Ata apelojnë që institucionet përgjegjëse të marrin masa urgjente për rikthimin e energjisë elektrike dhe normalizimin e jetës në zonë.

© Panorama.al

Te lidhura