Pranohet padia e katër familjarëve ndaj Mediut

Jan 24, 2012 | 12:13
Nga gjyqi për tragjedinë e Gërdecit

Gjykata e Lartë pranoi dje padinë e disa prej të dëmtuarve nga shpërthimi tragjik i 15 marsit 2008 në Gërdec kundër ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu.  Nga 27 persona që e akuzonin për “plagosje të rëndë nga pakujdesia” ish-ministrin e Mbrojtjes, aktualisht ministër i Mjedisit, gjykata pranoi vetëm kërkesën e katër prej tyre. Të dëmtuarit e ligjëruar si palë në proces iu përgjigjën negativisht më pas pyetjes së Gjykatës për zgjidhje të çështjes me pajtim. Nga ana e avokatit të tyre iu kërkua trupit gjykues që të procedohej me kërkesën në Parlament për heqjen e imunitetit të ministrit Mediu. Gjykata nuk u shpreh për këtë kërkesë. Përveç Mediut, në padinë e të dëmtuarve në këtë proces akuzohen edhe Ylli Pinari, Mihal Delijorgji, Dritan Minxolli, Sokol Ngjeci, si dhe Ministria e Mbrojtjes dhe Këshilli i Ministrave. Të dëmtuarit akuzues, banorë të Gërdecit, të plagosur dhe dëmtuar nga shpërthimi tragjik i 15 marsit 2008, kërkojnë “shpërblimin e dëmit pasuror dhe jopasuror” dhe gjykimin e të sipërpërmendurve për akuzën penale të “plagosjes nga pakujdesia”. Në nisje të seancës së djeshme, Kolegji Penal i kryesuar nga gjyqtari Fatos Lulo, u shpreh se Gjykata e Lartë kishte kompetencë vetëm për shqyrtimin e kërkesës ndaj Fatmir Mediut. Për të akuzuarit e tjerë në proces, gjykata shpalli moskompetencë. “Për të akuzuarit e tjerë, Mihal Delijorgji, Ylli Pinari, Dritan Minxolli, Sokol Ngjeci, Ministria e Mbrojtjes dhe Këshilli i Ministrave, është kompetente Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë”, u shpreh kryesuesi i seancës. Në vijim, pas një tërheqjeje në dhomën e këshillimit, Kolegji Penal legjitimoi vetëm katër prej 27 kërkuesve.

© Panorama.al

Te lidhura