
BERAT – Shkrumbohet autobusi me të cilin po udhëtonin 38 maturantë nga Berati për në qytetin turistik të Sarandës. Ngjarja shkaktoi panik tek nxënësit dhe stafi pedagogjik që i shoqëronte ata, por fatmirësisht arritën të dilnin në kohë, pa u lënduar asnjëri prej tyre. Sipas Policisë, ngjarja ndodhi dje rreth orës 14:00 në vendin e quajtur “Kthesa e Kutallisë”. Dy klasa të maturës së shkollës “Babë Dudë Karbunara” ishin organizuar për të kaluar fundjavën në Sarandë, ku do të vizitonin pikat turistike të saj, si Butrintin, Ujin e Ftohtë etj., por gjatë rrugës ndodhi incidenti i rëndë që për pak u shndërrua në tragjedi. Sipas dëshmisë së nxënësve dhënë në polici, gjatë rrugës papritmas, shoferi i autobusit ka vënë re flakë në pjesën e pasme të mjetit. Ai ka ndaluar menjëherë duke dhënë edhe alarmin. Shoferi Arben Rusta u ka kërkuar pasagjerëve të tij të zbrisnin menjëherë. Situata shkaktoi panik, ku maturantët nxituan të dalin bashkë me bagazhet e tyre. Për pak minuta autobusi është boshatisur, e ndërkaq, po brenda pak minutash, flakët janë shtuar duke bërë që mjeti të shkrumbohej menjëherë. Pronari i autobusit ka sinjalizuar policinë dhe zjarrfikësen. Por ndonëse kjo e fundit mbërriti pa u vonuar, mjeti ishte shkrumbuar i gjithi. “Pasi u sigurova që brenda nuk kishte më nxënës, dola nga mjeti dhe njoftova repartin zjarrfikës për ndihmë. Por ndonëse ata erdhën, flakët e kishin bërë punën e tyre”, u shpreh shoferi Rusta. Ndërkaq, nxënësve u janë dashur disa minuta të mbledhin veten pas situatës së krijuar. Policia i transportoi ata sërish në Berat me furgonë të saj, por edhe me makina të rastit. “Ne ishim organizuar dy klasa bashkë dhe paguam shoferin e autobusit që të shkonim në qytetin e Sarandës. Deri në vendin ku ra zjarri, ishim shumë të qetë dhe po argëtoheshim me njëri-tjetrin. Papritmas dëgjuan shoferin që na urdhëroi të dilnim të gjithë menjëherë, pasi autobusi ishte përfshirë në flakë. Na tha dilni shpejt se do të digjemi. Të gjithë u shokuam, morëm çantat dhe dolëm jashtë. Ishim përfshirë në panik, por na qetësuan disi mësuesit, pastaj erdhën dhe banorët e zonës”, u shpreh njëri nga maturantët që u ndodh dje në autobusin ku ndodhi ngjarja. d.xh
Hetimi
Në vendin e ngjarjes mbërriti edhe një grup hetimor dhe nisi këqyrjen për të evidentuar shkakun e djegies së autobusit.
Nga hetimet paraprake, grupi hetimor ka hedhur si pistë kryesore faktin se zjarri mund të ketë ardhur si pasojë e ndonjë mase elektrike në aparaturën e linjës elektroaute.











