Postsocializmi, Shqipëria me sindromën e inferioritetit

Sep 22, 2011 | 11:44
Nga konferenca shkencore në UET

Pasi kanë kaluar 20 vjet nga ndryshimi i pushteteve, ia vlen të bësh një analizë të së tashmes, bazuar në të shkuarën.Studiues, antropologë socialë, të fushës së ekonomisë, ligjit, religjionit dhe gjeografë humanë nga Shqipëria, Franca, Bullgaria, Greqia, Italia etj, janë mbledhur në një konferencë antropologjike disaditore në Universitetin Europian të Tiranës, ku po rrahin mendime, rezultate të mbledhura në terren, për të analizuar periudhën post-socialiste, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të tjera të Europës Juglinodre. Sipas organizatorit të kësaj konference, antropologut Nebi Bardhoshi, konferenca është përmbyllja e një projekti kërkimor trevjeçar, të financuar nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor në Francë. “Përkundër asaj që përcillet përmes mediave, apo asaj çfarë shkruhet a gjykohet në rang elitar, duhet parë se çfarë ndodh në zonat kufitare, në fshat… Prandaj, projekti quhet ‘Ballkani i parë nga poshtë'”, thotë Bardhoshi. Krahas zhvillimeve të projektit, antropologu jep edhe mendimin e tij personal se si duhet të sillemi kundrejt simboleve të komunizmit, si në rastin e Piramidës, që sipas tij, nuk duhet të prishet.
Cili do të ishte objekti i studimit të një antropologu social në një shoqëri në tranzicion, si kjo jona?
Koncepti i tranzicionit, konsideruar sikur përmes të cilit duhet të kalojmë se s’bën drejt demokracisë, me të drejtë është kritikuar dhe po rishikohet edhe nga studiuesit e këtij projekti. Shoqëria nuk kalon përmes një vije lineare, por ka trajektore deri dhe individuale. Jeta e individit kalon trajektore nga më të ndryshmet, kështu që nuk mund të përfshihet dot brenda tranzicionit, që është simbolikë e një vije lineare shkak-pasojë. Prandaj, në fokusin tonë ka qenë jeta e përditshme e njerëzve, kryesisht në zonat kufitare, periferike, si gjenden ata në këtë sistem apo më mirë në këto sisteme. Them sisteme, sepse Ballkani është kthyer në arenën e përplasjes së qendrave.
Dhe çfarë ju ofron kërkimi juaj në terren?
Ditën e parë të konferencës ishim në Krujë. Qysh në hyrje të saj sheh se është ekstremisht e ndotur nga tregu i guroreve. Ndërsa mendon se do shkosh në vendin më historik në Shqipëri, sheh se ai është vendi ndoshta më keq i shfrytëzuar për arsye ekonomike. Dhe kjo legjitimohet nën emrin e një jete më të mirë dhe ndihesh ngushtë dhe s’di të përgjigjesh a duhet kjo. Rrugës sheh shtëpi të ndërtuara shumë mirë, të njëllojta që janë simbolikë e vëllazërisë… Shkuam vizituam një teqe dhe pamë si ishte rikonstruktuar, vizituam Heroin Kombëtar. Pra, nga njëra anë heronj religjiozë, nga ana tjetër heronj kombëtarë, pastaj ndotje, çka përbënte dhe fokusin e projektit: raporti i njeriut me terrenin dhe mjedisin, nga ana tjetër nevoja për t’u pasuruar, pastaj shikon një rrugë me emrin “Xhorxh Bush” e nga ana tjetër Rrugën e Dokëve, vëllazëri e asaj zone. Pra, jeta jonë është kaq e ndërlikuar, saqë sado që mundohemi të japim ca përgjigje, prapëseprapë mendoj se do ngremë më shumë pyetje se do japim përgjigje.
Kjo do të thotë se Shqipëria e theu “horizontin e pritjes” së studiuesve të huaj…
Studiuesit kanë për Shqipërinë një ide të pasur me stereotipa, si për gjithë vendet e Ballkanit. Ballkani apo ballkanizimi është parë si një term që shpreh copëzimin, konfliktin, orinetalizimin. Ne vetë e trajtojmë veten si popuj të zgjedhur, që e kemi humbur pak shansin, por do ta kapim sërish. Nga njëra anë është një lloj vetëvlerësimi dhe, nga ana tjetër, një ndjenjë inferioriteti. Kjo është analizuar shumë mirë nga prof. Kristiano Xhordano, sipas së cilit jo vetëm Ballkani, por edhe rajonet jugore të Italisë, Spanjës, Francës janë si një produkt i margjinalizimit qendër-periferi. Sipas mendimit tim, Shqipëria përbën rastin tipik të margjinalizmit, vetëmargjinalizimit dhe të përjetimit të margjinalizuar. Kjo ide skizofrenike që ne kemi për veten, nga njëra anë si shumë të përparuar, të lashtë, ndoshta më i lashti dhe nga ana tjetër si më i vonuari, të jep përshtypjen se vuajmë nga sindroma e të margjinalizuarit, e cila është përdorur dhe keqpërdorur për ushtrimin e pushtetit. Ne vetë e kemi zgjedhur vendin më të ulët në “klasifikimin” e shoqërive, por s’duam ta pranojmë këtë.
Duke iu referuar situatës aktuale, cili është reagimi i shqiptarëve ndaj pushtetit të shkuar?
Duke iu referuar periudhës së postsocializmit, lind pyetja se pse ka një lloj tendence për ta fetishizuar socializmin, pse ka një lloj nostalgjie për të. Mos është tendenca për të ruajtur nga e kaluara vetëm të mirat e saj dhe të harrojmë të këqijat? Ka një tendencë edhe në Shqipëri, apo një lëvize “trendi”, që shfaq një lloj nostalgjie për socializmin dhe ruajtjen e kulturës materiale. Si në rastin e bareve apo restoranteve me relike të së shkuarës, si një radio “Iliria”, p.sh…
Meqë jemi tek kultura materiale, cili duhet të ishte qëndrimi ynë ndaj simbolikave të forta të socializmit, si p.sh. në rastin e Piramidës?
Po i referohem Piramidës, për të mos iu shmangur pyetjes suaj dhe po ju jap mendimin tim personal (jo të projektit) në lidhje me këtë simbol. Ka dy drejtime në Tiranë, njëri për zhdukjen e kësaj memorieje komuniste, sepse nuk u duhet brezave dhe një tjetër, që thotë ta mbrojmë, sepse kjo është trashëgimia jonë. Personalisht, mendoj se ruajtja e trashëgimisë materiale nuk do t’i sillte asgjë të keqe memories sociale, përkundrazi, në qoftë se objekti ekziston fizikisht, ne mund të flasim më shumë për komunizmin dhe do të jemi më pak të limituar kur flasim për diktaturën. Imagjinoni, sikur ne të zhdukim vazhdimisht memorien e së keqes, si do ta ndërtojmë memorien e së mirës? Ato nuk bëjnë dot pa njëra-tjetrën. Ato duhet të mbahen dhe duhet pasur kurajë për të folur mbi to. Duke zhdukur objektivisht dhe materialisht këtë kujtesë, s’jemi duke bërë gjë tjetër, veçse po i shërbejmë harresës të së keqes dhe jo e kundërta, siç pretendohet. Por është interesante gjithashtu ta analizosh se nga njëra anë flitet për shembjen e Piramidës, për të cilën personalisht mendoj se nuk ka përse të shembet, dhe nga ana tjetër flitet me të drejtë për ngritjen e një muzeu të gjenocidit në Burgun e Spaçit. Të dyja janë shumë interesante për të parë panoramën e plotë të asaj që ka ndodhur me qëllim që të mos ndodhë më.

ALMA MILE

© Panorama.al

Te lidhura