Pollo: Topi, i pari President që caktoi hartë çmimesh për emërimet në Gjyqësor

Jan 23, 2012 | 9:52

Ministri i inovacionit Genc Pollo me Presidentin e Republikes, Bamir Topi

“Në 3 raundet e para, mundësi për konsensus të maxhorancës me opozitën për Presidentin”

Ministri i Inovacionit, Genc Pollo, akuzoi Presidentin Bamir Topi për shpërdorimin e detyrës edhe në emërimet e gjyqtarëve kundrejt ryshfeteve.
Pollo, gjatë një interviste për “Panorama”, pohon se Topi në vend që të tregonte mirënjohje ndaj shumicës parlamentare, ai ka punuar kundër saj, duke krijuar një parti të vogël. Madje, Pollo shkon me tej, teksa pohon se zullumet e Presidentit nuk kanë të sosur, pasi emërimet në Drejtësi mundësohen nga një listë çmimesh në varësi të posteve. Politikani me eksperiencë shprehet edhe për marrëdhëniet me opozitën dhe debatin e fundit për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.
Zoti Pollo, me rifillimin e aktivitetit politik, pas festave të fundvitit, po zhvillohet një debat për zgjedhjen e Presidentit, që do të bëhet në muajin korrik. Maxhoranca ka deklaruar se ai do të zgjidhet me 71 vota, ndërsa ambasadorët e huaj kanë përsëritur qëndrimin për një President konsensual. Përse po kërkohet nga shumica që të kalohet direkt në raundin e katërt, kur janë edhe tri raundet e para, ku mund të tentohet konsensusi me opozitën?
Druaja që intervistën do ta fillonit me këtë pyetje. Po ju them që në fillim që unë nuk kam dëshirë të flas publikisht për personalitetet që mund të kandidojnë, deri 2-3 muaj para datës së votimit, që është edhe periudha e arsyeshme e debatit intensiv dhe e vendimmarrjes efektive.
Mos doni të thoni që kjo çështje nuk ju intereson apo nuk doni të përfshiheni?
Jo, nuk është kështu. Presidenca është një ofiq i rëndësishëm, por urtësia këshillon që gjithçka duhet në kohën dhe në vendin e vet. Tematizimi publik në mënyrë intensive, siç po e shohim, nëse opozita ka të drejtën e vetos, çmoj që është i pavolitshëm për momentin.
Por Kryeministri Berisha është shprehur për këtë, duke deklaruar që maxhoranca do t’i përshtatet Kushtetutës.
Po, është e vërtetë. Kryeministri që në krye të herës ka përcaktuar koordinatat e maxhorancës: që së pari do të veprohet sipas Kushtetutës; kjo është e vetëkuptueshme në çdo demokraci, por meqë opozita jonë ka demonstruar cene e huqe në raport me legalitetin, është një gjë që lipset t’i kujtohet herë pas here. Si dhe së dyti, që maxhoranca do të mbështesë kandidatin e saj, çka është një diçka natyrale për një forcë politike kryesore. Por të mos harrojmë që bëhet fjalë për diçka që do të ndodhë pas 6 muajsh. Ndërkohë që ka gjëra të tjera imediate, shumë të rëndësishme dhe që kërkojnë angazhim të plotë.
Cilat janë këto gjëra imediate që duhet të përfundojnë brenda muajit janar?
Gjëja më e rëndësishme që Kuvendi i Republikës duhet të bëjë është miratimi i projektligjeve me 3/5-at, në radhë të parë përmirësimi i Kodit Zgjedhor, miratimi i ligjit për Gjykatën Administrative, si dhe modernizimi i Kodit Penal e Civil, po ashtu edhe plotësimi eventual i Rregullores së Kuvendit. Është miratimi i këtyre ligjeve në Kuvend që do t’i vlejë popullit e shtetit, si dhe do të përmbushë kushtin kryesor për të marrë statusin kandidat. Më në fund, në vjeshtë të 2011-s, opozita u ndriçua për udhën e mbarë dhe në nëntor, në Kuvend, maxhoranca e opozita ranë dakord që t’i miratojnë këto ligje, brenda marsit të këtij viti. Por, surpriza e pakëndshme është se PS-ja votoi kundër përfshirjes së këtyre projektligjeve në kalendarin e Kuvendit, çka është kusht që ato të shqyrtohen me komisionet përkatëse.
Pse e bëjnë këtë?
Mendoj se në PS, si dhe tek Edi Rama ka një dyzim linje e mendimi, ndoshta edhe personaliteti, si dhe bagazh të rëndë që refuzon politikën normale, konsensuset parimore dhe kompromiset e arsyeshme.
Por a do të zgjidhet me apo pa konsensus?
Kushtetuta ka krijuar mundësinë e një konsensusi në zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Në tri raundet e para është mundësia për një konsensus të maxhorancës me opozitën. Ndërsa në dy raundet vijuese jepet mundësia e një konsensusi brenda maxhorancës. Që të dyja, plotësisht legjitime.
Në PS mund të mendojnë se statusi kandidat në vitin 2012 i jep hov fushatës së Kryeministrit Berisha në vitin 2013. A nuk ndodhi kështu edhe me anëtarësimin në NATO në vitin 2009?
Atëherë i bie se sa kohë të kemi opozitë, d.m.th. politikë plurale e demokratike, nuk mund të avancojmë drejt BE-së e nuk do të mundim të anëtarësoheshim në NATO. Jo, ky është kontradiksion logjik. Në procese të tilla madhore të gjithë janë të ftuar të kontribuojnë e opozita ka një rol të rëndësishëm, duke shprehur në radhë të parë mbështetje të procesit të integrimit e anëtarësimit. Sa për përfitimin për politikë të brendshme, ju e mbani mend që në nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me BE-në, në vitin 2006 në Luksenburg, pas Kryeministrit Berisha, spikaste ndër anëtarët e delegacionit z.Pandeli Majko, kurse në samitin e NATO-s në 2009, në Bukuresht, dallohej Valentina Leskaj (këtë të fundit do ta kujtoni më lehtë nga video “This is a miracle of freedom”), që të dy kryetarë të Grupit Parlamentar Socialist. Përfshirja e tyre në delegacion ishte një gjest publik nga ana e Kryeministrit, e njohjes dhe e vlerësimit të rolit të PS-së në këtë arritje. Por, magjia prishej kur delegacioni kthehej në Tiranë. Ka ndodhur që përfaqësuesit e opozitës janë udhëzuar të evitojnë pritjen festive në Rinas dhe prandaj u është dashur të shmangen, fshihen andej-këtej. Ndodhi edhe që tubimit popullor për të festuar hyrjen në NATO, Edi Rama iu përgjigj me një antimiting në bulevard, para Kryeministrisë (pikërisht aty ku më vonë ngriti çadrat e ngujimit grevurist dhe lancoi agresionin e 21 janarit), ku deklaronte se “anëtarësimi në NATO është vonuar 20 vjet nga politikanët e vjetër të tranzicionit”. Pra, ne paskëshim qenë gati për të që në 1989-n? Koncept historik interesant, apo jo?
Por opozita e ka për detyrë të kritikojë qeverinë, apo jo?
Por nuk është e udhës të vetëpërjashtohet në raste të tilla. Përkundrazi, mund të nxjerrë në pah meritat e veta. Kështu kam parë të veprohet, në raste të ngjashme, në Perëndim. Mund të mos arrish që, në sy të publikut, të ndash meritat 50 me 50 me qeverinë. Por nuk ka pse t’i lësh 100 me zero. Por për këtë duhen edhe liderë të fortë, të aftë për marrëveshje e qëndrime të tilla.
Gjithsesi kritikat ndaj Presidentit Topi nga maxhoranca nuk kanë të sosur.
Ka pasur kritika ndaj z.Topi për qëndrim joluajal ndaj maxhorancës që e emëroi President, për qëndrim antikushtetues, kur u sulmua dhunshëm qeveria, për reduktim të Presidencës në një pedanë për tek një parti minore. Të gjitha këto qëndrojnë. Por, çuditërisht, nuk është përmendur zullumi i kryer, me çka është funksioni kryesor dhe real i Presidentit dhe i KLD-së së kryesuar prej tij: me menaxhimin e pushtetit të tretë. Dhe ky zullum është përcaktimi për herë të parë të hartës së çmimeve për postet e gjyqësorit, d.m.th. të ryshfetit përkatës për çdo emërim në këto poste. Kam biseduar me gjyqtarë, të njohur të mi; njerëz me profesionalizëm e integritet, të cilët plot trishtim më kanë thënë se Gjyqësorit do t’i duhet kohë e përpjekje që të dalë nga bataku ku po e zhysin që nga viti 2007. Për turp të Republikës sonë, një gjë të ngjashme e kanë thënë edhe raportet e Bashkimit Europian. Megjithëse ka qenë me origjinë politike të ndryshme, menaxhimi i Gjyqësorit është bërë në mënyrë më korrekte nga presidentët Meidani e Moisiu dhe nga nënkryetari i KLD-së, z. Ilir Panda. Periudha e faqezinjve, me shinikun në njërën dorë dhe me fletë-emërimin në dorën tjetër, duhet lënë pas përfundimisht.
Por t’i kthehemi Presidentit. Ka ambasadorë që kanë bërë thirrje për konsensus…
Unë kam lexuar se ambasadorë, të pyetur për këtë çështje, kanë thënë se kjo nuk është një çështje e tyre, por e aktorëve politikë shqiptarë. Për ta unë kam shumë respekt. Ndërkohë dëshiroj dashamirësisht t’u sugjeroj kolegëve tuaj, të cilët zhbirilojnë diplomatët, apo edhe çdo të huaj që u del në rrugë, me pyetje lidhur me çështje të ditës të politikës sonë, se duhet të kultivojnë disi më shumë vetërespektin individual dhe kolektiv. Dhe nuk ka vit më të përshtatshëm për ta bërë këtë se në vitin e 100-vjetorit të pavarësisë.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura