Politikani rastësor dhe karriera e dyshimtë politike

Jan 30, 2026 | 9:00

gezim-tushiGËZIM TUSHI

Ka kohë që në opinionin publik dhe gjykimin e shëndoshë të qytetarëve ka një pranim konsensual të faktit që politika shqiptare brenda kontureve ekzekutive ka shenja të një polikrize permanente e afatgjatë. Ky realitet shfaqet së pari si fenomen ontologjikisht e lidhur me veten e saj si përmbajtje thelbësisht me anomali e fraktura të pakuptimta, nga njëra anë por edhe fenomenologji, si performancë dhe realitet i lidhur me statusin e politikanëve tanë profesionistë dhe performancën e tyre atipike.

Unë besoj se qytetarët tanë të familjarizuar me këtë politikë të kalcifikuar e kanë kuptuar se këtë krizë e bën më të dukshme, të prekshme, të diktueshme, të vërtetuar edhe në trajtë empirike, fakti i evidentimit të personalizuar të nivelit kulturor, performancës morale, dinjitetit, ndershmërisë, angazhimit dhe përkushtimit të klasës politike dhe figurave kryesore, që janë në “bordin” e saj në të gjithë nivelet. Pakënaqësitë e shoqërisë të strukturuara herë si elektorat besnik apo kundërshtar, e herë si komunitet politik dikotomik apo i homogjenizuar në përmasën kompakte të opinionit publik apo si reagim qytetar, tashmë janë të shfaqura hapur. Madje kohët e fundit, pakënaqësitë për klasën politike, për shkak të shumë anomalive të sjelljes politike, uljes së kuotave të kredibilitetit personal për shkak të shfaqjeve flagrante të korrupsionit politik e financiar.

Mund të bëhen shumë analiza, deduksione e të nxirren konkluzione konstruktive për të shpjeguar shkaqet e kësaj situate. Por besoj se ndër arsyet e shumta që meritojnë të vlerësohen për diagnostikimin e këtij realiteti politik toksik, njëri është më themelori, më i qarti dhe më i personalizuari. Sepse me sa duket, ndryshimet kushtetuese krijuan prerogativën gati absolute të zgjedhjes dhe përzgjedhjes së figurave si pjesë e elitës politike komplekse në përzgjedhjen e njerëzve të katapultuar subjektivisht si deputetë, kryetarë bashkie apo punonjës të aparateve politike respektive. Edhe pse liderët e partive kryesore nuk kanë dëshirë të evidentojnë këtë shkak që ka sjellë këtë pasojë në elitën politike shqiptare, është fakt i vërtetuar se përzgjedhja nominale e “njeriut politik”, duke qenë në të gjitha rastet prerogativë ekskluzive e liderëve të partive politike, jo gjithnjë ka qenë proces demokratik, i ekuilibruar, i merituar, i suksesshëm dhe mbi të gjitha meriokratik. Politika brenda vetes së saj, por sidomos qytetarët pikërisht nga kjo anomali selektive e përzierë me nepotizëm dhe subjektivizmin e lidershipit, po përballen me një skarcitet të pajustifikuar të disa individëve të hipur me zor apo të katapultuar me arbitraritet gati “monarkik” në elitat respektive të majta apo të djathta. Unë nuk e di sa e ndjejnë përgjegjësinë personale, mbi të gjitha sa janë të ndërgjegjshëm ata që kanë marrë përgjegjësinë e përzgjedhjes së politikanëve të këtij vendi.

Qoftë kur i zgjedhin individualisht, apo nëpërmjet miratimit formal nga “strukturat e heshtura” oportuniste dhe qëndrimin politikisht kontemplativ, ndaj këtij procesi shumë të rëndësishëm, të zgjedhjes, përzgjedhjes dhe seleksionimit të “klasës politike” në të majtë apo të djathtë të politikës shqiptare. Duke parë dhe vlerësuar realitetin politik, performancën individuale të elitës parlamentare apo lideshipin e pushtetit vendor, qytetari në mënyrë fare evidente përballet me figura anonime apo që në mënyrë rastësore janë në vendin e gabuar, që shfaqen si figura pa personalitet, me skarcitet të lartë duke qenë thjesht kalimtar pa statusin dhe staturën e duhur të politikanit profesionist. Nuk është fenomen rastësor, por më duket se politika po përshtatet, i pëlqen dhe i pranon shumë njerëz që janë dhe përfundojnë në njerëz publikë të sforcuar e rastësorë, që duke qenë në jetën e tyre thjesht askushët, artificialisht bëhen dikushët (politikanë profesionistë).

Skakiera politike shqiptare, sidomos kohët e fundit është e inonduar me njerëz që nuk kanë asnjë afinitet me politikën, njohuritë dhe modalitetet e saj, edhe pse me mungesa kulturore, politike e profesionale, inkorporohen pa meritë, shpesh edhe duke qenë qesharakë e komukë, por arrijnë të futen në arenën e politikës duke u shfaqur në nivelin kritik të “karrierës së dyshimtë”.

Që për këto arsye me gjithë sforcimet për të “bërë vend” në aulat e politikës, me gjithë kombinatorikat empirike konformiste e sjellje jo dinjitoze, dëshmojnë nuk i shmangin dot jo vetëm anomalitë të sjelljes empirike, por edhe mangësi kulturore dhe në të njëjtën kohë duke shfaqur publikisht aftësi politike apo menaxheriale të kufizuara, të cilat përveçse i bëjnë figura të margjinalizuara, pa autoritet publik, por edhe qesharakë. E ka sintetizuar në mënyrë brilante sociologu amerikan Daniel Bell, i cili me shumë mprehtësi evidenton të vërtetën, shpeshherë më natyrë universale se, “Vetëm në politikë, ku pozicioni mund të arrihet vetëm nëpërmjet aftësisë për të rekrutuar ndjekës, ose nëpërmjet patronazhit, ekziston një shkallë relativisht e lirë për t’u ngjitur pa kredenciale zyrtare”. Daniel Bell, “Ardhja e shoqërisë postindustriale”, f 555.

Nuk e di, por duke parë ecurinë dhe ekuacionin e traonditur të përzgjedhjes së “klasës apo elitës politike”, të duket se në këtë strukturë ka një superim të militantizmit mbi aftësitë, përvojën, performancën, karrierën suksesive të së kaluarës dhe sukseset e personalizuara të së sotmes, të cilat në politikën tonë profesioniste, e kanë dëmtuar rëndë ekuacionin universal të vlerësimit të meritokracisë politike, si një raport themelor që bashkon unitetin kolateral midis politikës, pushtetit dhe raportit të tyre të determinuar me karakterin dhe aftësitë e njeriut politik. Personalisht mendoj se duhet të marrë fund njëherë e mirë përzgjedhja e kandidatëve për të gjithë shkallët e politikës, e cila në shumë rasteve bëhet në mënyrë sempliste, nën ngutjen e fitores elektorale. Përzgjedhjet nuk bëhen aq shumë të menduara e meritokratike, sa nën tundimin semplist të emergjencave elektorale.

Një mënyrë e tillë e përzgjedhjes së njerëzve me karriera të dyshimta apo atribute të pamerituara, e kanë rrëzuar vlerën ekzistenciale të politikës në Shqipëri, duke e ndërtuar atë me disa “rregullore” që tregojnë se thelbi i politikës si meritokraci është duke u reduktuar “dhunshëm”. Kjo ka bërë që në tërë skakierën politike dhe administrative, të përballemi me njeriun që më shumë se është politikan apo administrator profesionist, është thjesht shërbëtor apo “çirak i partisë” që e ka zgjedhur dhe të cilës i bindet verbërisht. Në këto kushte, nuk ka nevojë të shtrohet pyetja: A janë politikanët tanë njerëz të lirë në veprimtarinë e tyre politike, apo janë në mënyrë determinate në vartësinë mekanike të lidershipit të tyre? A e kanë ata statusin e njeriut të lirë, që si politikan duhet të ketë iniciativë, të veprojë për ndryshimin e jetës shoqërore, duke sjellë situata të reja sociale.

Apo vetëm janë qenie politike që veprojnë verbërisht? Edhe pse në hapat e para politika jonë ka filluar të preket nga disa patologji të alambikuara, që shpesh kanë nuancat e recidivizmit të mënyrave dhe formave të politikës së vjetër klasore e totalitare të së kaluarës, të cilat jo vetëm janë të papranueshme moralisht, por edhe për shkak të toksicitetit social, bëhen minuese të sistemit të vlerave, meritës paradigmatike e objektive të meritokracisë. Kjo sepse ka pasur raste kur janë inkorporuar në politikë pinjollët e krerëve të lartë të aristokracisë komuniste, duke mbivlerësuar të ashtuquajturin kapital gjenetikisht i trashëguar për të qenë politikan, për t’u marrë me politikë aktive. Edhe pse kjo trashëgimi nuk ka qenë objektivisht e garantuar tek pinjollët e sotëm të tyre. Por jo vetëm kjo, patologjia ka filluar të marrë trajta të reja akoma më bezdisëse dhe neveritëse, kur brenda partive ku kanë pasur poste e pozita prindërit e tyre, involvohen shpesh arbitrarisht, pa garancinë e duhur të vlerave intelektuale e kapacitetin individual, të fëmijëve të tyre. Disa të vendosur në poste kryesore politike e publike, në parti apo edhe si deputet në parlament.

Në këtë mënyrë meritokracia kthehet në një enclave nepotike, përmes të cilës penetrojnë në jo pak raste, politikanë që shfaqen me aftësi e vlera të munguara apo të dyshimta. Fenomeni i njerëzve me “karrierë të dyshimtë” apo të pamerituar, nuk është ekskluzivitet patologjik që shfaqet në aulat e politikës sonë profesioniste, është dukuri universale e politikës së sotme pragmatiste e makiaveliste, nepotike e subjektiviste, që sikurse thotë Barak Obama, ndihet edhe në senatin amerikan, ku gara, seleksionimi meritokratik dhe vlerësimi publik i vlerave të politikanit, është në standarde të larta. Por besoj se në politikën tonë, prania e politikanëve anonimë, pa vlera të spikatura politike, intelektuale e qytetare, të përfshirë në mënyrë rastësore apo të dyshimtë në skakierën politike, nuk është aq e rrallë.

Përkundrazi, ka një masë jo të vogël të njerëzve që merren me politikë, pa pasur asnjë lidhje kulturore, politike apo ontologjike me këtë fushë, e cila është serioze, me përgjegjësi, dhe jo lojë për t’u zbavitur, apo plotësuar tekat e krenarisë së paligjshme. Problemi është se ambicia personale dhe megalomania e të qenit me çdo kusht njeri me status politik dhe publik, duke mos qenë në gjendje të kuptojnë kuotat e tyre për të qenë kompatibël me paradigmat dhe standardet kulturore e profesionale të politikës, i kanë krijuar vetes bindjen e verbër se ata janë të duhurit për të qenë politikanë e njerëz publikë, se kanë kualifikimin e duhur për të qenë oratorë të politikës, përfaqësues autentikë të elektoratit (një pjesë e të cilës është kulturalisht, teorikisht dhe politikisht shumë më lartë se ata). Politika dhe politikani gjykohen nga frytet e tyre, ka thënë babai i Europës Robert Shuman. Kështu që ideja se mjafton ambicia, konformizmi, militantizmi abuziv, hipokrizia militanteske, vendosmëria prej fanatiku politik, ka dëmtuar figurën publike e performancën politike të shumë politikanëve dhe deputeteve, ka dëmtuar marrëdhëniet e tyre politike, personale e sociale. Madje edhe dinjitetin e tyre…

/Gazeta Panorama 

© Panorama.al

Te lidhura