Politika, ky nocion shumë i vjetër, është bërë “ushqim i përditshëm” për shqiptarët. Kudo e kushdo flet për politikën dhe politikanët e Shqipërisë. Diskutimet nuk bëhen për vlerësimin dhe kënaqësinë që ajo u sjell, por për bezdinë që u krijon. Komente pa fund, në familje e auditorë, në zyra e kafene. Të duket sikur njerëzit hanë, pinë dhe jetojnë vetëm për t’u marrë me politikë. Politizim i tejskajshëm, me fryrje, shfryrje e fyerje. “Kjo nuk është politikë”, “na lodhi kjo politikë”, “politikë naive”, “politikë antishqiptare”, “politikanë antiperëndimorë”, “politikanë mediokër”, “politikanët e xhepit të tyre”. Këto janë disa prej shprehjeve më qarkulluese në dialogët dhe monologët e përditshëm. Ato fillojnë me emisionin e z. Bashkim çdo mëngjes dhe vazhdojnë në disa kanale televizive deri në mesnatë. Ankesa, ankesa dhe vetëm ankesa për politikën dhe politikanët. “Si do të zgjidhet kjo punë, more Bashkim?”, i drejtohen qytetarët nevojtarë, duke harxhuar edhe lekët e pensionit me telefonata. “Më thoni se ku dhe kujt i jeni drejtuar për këtë problem?”, u përgjigjet Bashkimi nga ana tjetër. Në emisionin e Bashkimit marrin pjesë pozitarët dhe opozitarët. Aty bëhet vërtet politikë për njerëzit në nevojë. Ndonjëherë, kur nuk respektohen normat e etikës komunikuese midis bashkëbiseduesve, Bashkimi, si një moderator i përsosur, ndërmjetëson dhe normalizon situatën me prirje konfliktuese. Nevojtarët ndihen më të lehtësuar vetëm nga paraqitja publike e shqetësimeve që kanë, sepse askush nuk i dëgjon, askush nuk i pret. Politikanët çdo ditë debatojnë, por jo për hallet e qytetarëve, por për “hallet” e partive që përfaqësojnë dhe për t’u mbrojtur nga akuzat reciproke. Tematika e emisioneve politike televizive dhe dialogët e monologët zhurmues të politikanëve tregojnë hendekun që ekziston midis madhësisë së sfidave të zhvillimi të vendit e të njerëzve në nevojë dhe amoralitetit të politikanëve e vogëlsirave të politikës së ditës. Një numër i pafund debatesh, pa asnjë interes për qytetarët. “Nga të dhënat që disponojmë, ju jeni i implikuar në këto e ato afera korruptive”, i drejtohej një deputet i opozitës një ministri të maxhorancës. “Mos doni që të na krahasoni me vjedhjet tuaja dhe ato të adhamudhëve tuaj?”, i përgjigjej kolegu. Pra secili sillte argumente se kush ka vjedhur më pak se tjetri, pasi ky është bërë morali i politikës dhe politikanëve në Shqipëri! “Mitingu që ne organizuam ishte me 200 mijë protestues”. “Ju gënjeni, ky bulevard nuk merr më shumë se 10 mijë veta”, i përgjigjej tjetri…. “Në dhjetor 2010 do ta përmbysim këtë qeveri të korrupsionit”. “Me ata aleatë që ju keni, nuk trembni dot as laraskat, jo më ne qëndrestarët”.
Ja, kjo është axhenda e debateve politike dhe produkti i saj. Shikoni se ç’po ndodh këto ditë. Kryeministri çdo ditë bën fushatë elektorale dhe flet për mrekullinë shqiptare, pa e kuptuar se koha e mrekullive ka përfunduar dhe gjithë bota përjeton një krizë të thellë ekonomike. BE nuk e miratoi statusin e Shqipërisë si vend kandidat sepse opozita nuk dha konsensusin për disa ligje që kërkojnë votë të cilësuar. PS organizon tryezë politike për reformën, atë reformë që e trajtoi të kryer para zgjedhjeve të 2009-s dhe organizuesi ishte interlokutor i “besueshëm” i PS, midis palëve në konflikt. Por çfarë vlere kanë këto tryeza? Në shtetin e së drejtës reformat nuk i drejtojnë partitë politike, por institucionet politike kushtetuese. Në demokracitë parlamentare reformat i bëjnë institucionet, sipas një procedure parlamentare, në komisionet parlamentare dhe në seancën parlamentare. Por, me sa kuptohet, PS imiton sjelljen e PD para 2005-s. Politika në Shqipëri, përgjithësisht perceptohet si “politikë – ngjarje e ditës”. Dhe shqiptarëve nuk u mbetet tjetër alternativë, veçse të jetojnë me këto ngjarje, pavarësisht se ato nuk zgjidhin asnjë problem që ata i shqetëson. Mediat gati çdo ditë japin përurimet e rrugëve nga Kryeministri. Është një gjë e mirë që ndërtohen rrugë e ujësjellës. Por përse ka kaq propagandë? Fondet për ndërtimin e rrugëve janë fonde të buxhetit të shtetit, nga taksapaguesit, madje dhe nga të papunët. Ngjarje do të ishte sikur të nominoheshin rrugët që nuk janë bërë sipas buxhetit dhe Kryeministri të rrëfehej se përse nuk po bëhen ato rrugë. Ndërsa për opozitën, ngjarja më e madhe para Kongresit paraqitej takimi i Blushit me Ramën! Rama kishte deklaruar para do kohësh se deputetët socialistë nuk do të vinin kurrë në kuvend dhe ai nuk do të bënte kurrë dialog me Berishën pa hapur kutitë e kyçura të 2009-s. Pasi humbi Bashkinë, e ftoi atë në një dialog imagjinar televiziv para gjithë shqiptarëve. Pastaj e ftoi në një dialog tjetër tavolinor me 10 pika. Edhe kjo trajtohet si ngjarje. Disa deputetë të PS kishin deklaruar se nëse interesat e vendit do të kërkonin votën e tyre, ata do të shkonin në Parlament jashtë vendimit të Grupit. Kur vota duhej për miratimin e ligjeve të nominuara nga BE, ata nuk gjetën kurajë të mbanin premtimin e deklaruar mediatikisht. Aleanca Kuq e Zi denoncon veprimet antikushtetuese të qeverisë nëpërmjet kryetarit të saj, të cilit Kushtetuta ia ndalon këto aktivitete. Por kjo nuk e ndalon atë të manifestojë e të protestojë ndërkohë që Presidenti i vendit, si kryetar i Këshillit, hesht. Por, Presidenti nuk hesht kur i duhet të këshillojë kryetaren e Parlamentit, znj. Jozefinë, që të përmirësojë fjalorin. Ndërsa znj. Jozefinë iu përgjigj menjëherë se ajo e fliste shumë mirë gjuhën e Fishtës, Gurakuqit e Mjedës, por i kujtoi se Haxhi Qamilistët nuk janë në gjendje ta kuptojnë e flasin këtë gjuhë. Ruajna Zot nga kjo politikë e nga këta politikanë! A nuk ju duket politika e institucioneve dhe politikanëve tanë si politikë Haxhiqamiliste? Shqiptarët nuk e meritojnë më këtë politikë dhe këta politikanë.
Politologët e njohur botërisht mendojnë se një ndër shtatë mrekullitë e botës për të ardhmen do të jetë edhe POLITIKA. Por ajo duhet të jetë një politikë njerëzore, që përpunohet në institucione me sovranitet kushtetues, nga një elitë politike e përgjegjshme. Kështu, politika dhe vendimmarrjet politike plotësojnë nevojat e të gjithë njerëzve dhe nuk mund të shndërrohet në instrument të politikanëve për të bërë biznes. Politika duhet ta reflektojë jetën njerëzore, pa zbukurime, por ashtu si ajo është. Mbi këto koncepte e perceptime ne mund të bëjmë dallimin midis politikës që kemi dhe politikës që nevojitet. Në këtë sens, ne duhet të projektojmë politikën kombëtare. Sepse, sipas mendimit tim, misioni i lëvizjes kombëtare shqiptare është i papërfunduar. Këtë e kuptojnë të gjithë ata që e njohin historinë e institucioneve politike prej kohës së ilirëve, prej mbretit Bardhyl – krijuesi i dinastisë së parë të shtetit ilir, te Dhimitri i Arbrit në mesjetë. Prej Skënderbeut, Ali Pashës, Bushatllinjve, Abdyl Frashërit e Sulejman Vokshit deri te Ismail Qemali, burri që shpalli mëvetësinë e Shqipërisë. Kur cek misionin e lëvizjes kombëtare shqiptare, nuk kam parasysh kërkesën për bashkimin e trojeve të copëtuara padrejtësisht më 29 korrik 1913. Ne sot duhet të integrojmë kulturën, tekstet mësimore, ekonominë, infrastrukturën e teknologjinë e komunikimit. Të organizojmë më shumë aktivitete kulturore e sportive, të rinjtë dhe të rejat të bëjnë edhe lidhje martesore.
Në kuadrin e 100-vjetorit të shpalljes së mëvetësisë të shtetit shqiptar, një lidhje e njerëzve të vetëçliruar nëpërmjet dijes do të shërbente për të plotësuar drejtësinë dhe prosperitetin e munguar. Perandoritë e mëdha, Roma, Persia e arabët u shembën kur humbën sensin e drejtësisë. Drejtësi kërkojnë qytetarët tanë. Drejtësi kërkojnë edhe bashkëkombësit tanë. Drejtësia dhe prosperiteti mund të sigurohen vetëm nga një elitë politike, e cila konkurron me ide dhe mendësi perëndimore dhe që sillet si partner i besueshëm me institucionet europiane. Këtë mision mund ta realizojnë brezi i ri i shkolluar e kualifikuar, brenda e jashtë vendit, të cilët janë oferta e re e tregut të punës dhe e “tregut të politikës”. Kjo ofertë e re, e pavlerësuar deri tani, nga “aristokracia partiake” është premisë reale për krijimin e një politike shtetërore moderne. Shqipëria ka nevojë për institucione demokratike, dhe jo për pushtetin e individëve me prirje autokratike. Këtë mendësi nuk e gjen vetëm te shtetarët, por edhe te partitë politike. Të njëjtët kryetarë partish drejtojnë prej 20 vjetësh, kur nga zgjedhja në zgjedhje mbështetësit e tyre janë pakësuar. Një tjetër grup politikanësh e kanë bërë vijë sjelljeje kalimin nga një parti në tjetrën vetëm për të siguruar poste qeverisjeje. Nëpër tribunat politike të kundërshtarëve të dikurshëm ata dalin garant të qeverisjeve të ardhshme. Amoraliteti është shndërruar në moralin e politikanëve. Përse i nevojiten shoqërisë të tillë politikanë që asnjëherë nuk janë shprehur publikisht se çfarë mendojnë për qeverisjen dhe institucionet politike, por si ushtarë ideologjikë janë shndërruar në bllokues të institucioneve të shtetit? “Third Way” – rruga e tretë, i njeh meritën Bill Klintonit, si kapërcyes i bllokimit ideologjik dhe që politikisht e largoi partinë nga politika e ekseseve duke sjellë në pushtet demokratët. Politikanët nuk duhet që t’i shurdhojnë qytetarët me sherret politike të pafundme, për të mbuluar varfërinë e ideve dhe zgjidhjeve që ofrojnë si alternativë konkurruese. Kjo mënyrë dogmatike e të menduarit dhe egërsia e të vepruarit i largon gjithnjë e më shumë njerëzit nga politika dhe politikanët, për rrjedhojë, bëhen më autokratë. Është bërë modë që në prag zgjedhjesh ofrohet si alternativë e keqja më e vogël. Përse të mos ofrohet e mira, qoftë ajo edhe e vogël, por gjithmonë shumë më e mirë, se e keqja më e vogël? Politika duhet të shndërrohet në art e shkencë dhe të mundësojë kompromisin politik, si art i së mundurës. Vetëçlirimi nga mosbesimi është fuqia e ndryshimit!
© Panorama.al












