Lëvizja Shqipëria Bëhet mbajti sot një tjetër protestë para Kryeministrisë në Tiranë, ndërsa vijon prej 90 ditësh betejën e saj kundër aferave korruptive dhe abuzimeve të zyrtarëve të lartë, përfshi këtu dosjen e Belinda Ballukut dhe të AKSHI-t.
Kreu i lëvizjes Adriatik Lapaj, i mbështetur nga qindra qytetarë, ngriti edhe çadrën para ekzekutivit në bulevard, ndërsa ka deklaruar se do të vendosin sërish çadrat edhe nëse Policia do ua heq, duke mos u dorëzuar në betejën e tyre kundër hajdutërisë.
Ai kërkoi largimin e qeverisë nëpërmjet dorëheqjes, vijimin e protestave, qeveri teknike dhe zgjedhje të reja.
Në protestën e sotme, Lapaj bëri thirrje edhe për bashkim të qytetarëve, ndërsa shtoi se “beteja kundër hajdutërisë nuk duhet të ndalet”.
“Po përballemi me qeverinë më të korruptuar në Europë. I bëj thirrje qytetarëve që të bashkohen kundër hajdutërisë”, tha ai ndër të tjera.
Lapaj njoftoi edhe vendimin e Prokurorisë që ka rrëzuar kallëzimin e Policisë dhe sekuestrimet e mëparshme të çadrave dhe sendeve të Lëvizjes, duke i rikthyer ato dhe hapur rrugën e protestave të tjera. Ai nënvizoi se e drejta e protestës mbrohet me ligj dhe Kushtetutë.
Lapaj i bëri thirrje edhe politikanëve të të gjitha partive që të mblidheshin në shesh me çadrat e tyre dhe të protestonin së bashku dhe të mos rrinin studiove televizive.
Ai denoncoi opozitën për ligjin elektoral dhe i bëri apel PD-së që të distancoheshin nga ai ligj zgjedhor që bënë me kryeministrin Edi Rama dhe të bëheshin bashkë në synimin e përbashkët, rrëzimin e qeverisë.
“Të gjitha partitë politike kanë një detyrë të përbashkët, të përballen me regjimin e Ramës, që vjedh qytetarët shqiptarë. Ata që kanë mision luftën me qeverinë le të vijnë këtu dhe të ngrenë çadrat. Beteja nuk bëhet në studio televizive apo banaqet televizive, atje duhet të rrinë analistët, politikanët le të vijnë këtu dhe të protestojnë. Halli ynë i përbashkët është Edi Rama dhe ligji zgjedhor dhe ai ligj është bërë me Sali Berishën, ndaj PD dhe Berisha të distancohen nga ai ligj dhe le të vijnë të na bashkohen”, u shpreh kreu i “Shqipëria Bëhet”.
Lapaj shtoi se ata presin që Policia t’i sulmojë përsëri dhe t’ua heqë çadrat, por nuk do dorëzohen.
“Nëse policia e shtetit, që ditët e fundit ka humbur drejtorin e Përgjithshëm dhe të Tiranës, nëse nuk zbatojnë ligjet dhe Kushtetutën, le të vijnë dhe të na sulmojnë dhe të na i sekuestrojnë, por ne do vazhdojmë, Ftoj aktivistët të montojnë çadrën. Është e drejta kushtetuese. Ata mund të zbatojnë ligjet e Ramës, mund të na sulmojnë, dhunojnë, arrestojnë, por ne do vijojmë. Kjo është çadra e parë simbolike dhe shpresoj të mbushet me sa më shumë çadra në betejën kundër pushtetit kleptokratik të qeverisë Rama”, tha ai mes të tjerash.
Fjala e Adriatik Lapajt:
“Sot, në ditën e 90-të të protestës përballë qeverisë më të korruptuar të Evropës, ndaj lajmin me qytetarët paligjshmërinë totale të Policisë së Shtetit dhe protestën tonë legjitime për të protestuar. Ky është vendimi i mosfillimit që ka ardhur nga Prokuroria, ku na njohët mbrojtja e posaçme për të protestuar. Ne po e arrijmë duke u përballur pa frikë para qeverisë më të korruptuar të Evropës. Prokurori thotë se ka vendosur mosfillimin e procedimit penal për kallëzimin e bërë dhe kthimin e sendeve të sekuestruara sipas procesverbalit nga oficerët e policisë gjyqësore, si çadrat, ngrohëset, kartonët, karriget dhe sendet e tjera që na u morën dhunshëm. Ndaj ne na lind sot e drejta për të vendosur çadrat tona dhe të zbatojmë të drejtën tonë kushtetuese.
Nëse policia e shtetit, që ditët e fundit ka humbur drejtorin e Përgjithshëm dhe të Tiranës, nëse nuk zbatojnë ligjet dhe Kushtetutën, le të vijnë dhe të na sulmojnë dhe të na i sekuestrojnë, por ne do vazhdojmë, Ftoj aktivistët të montojnë çadrën. Është e drejta kushtetuese. Ata mund të zbatojnë ligjet e Ramës, mund të na sulmojnë, dhunojnë, arrestojnë, por ne do vijojmë. Kjo është çadra e parë simbolike dhe shpresoj të mbushet me sa më shumë çadra në betejën kundër pushtetit kleptokratik të qeverisë Rama.
Të gjitha partitë politike kanë një detyrë të përbashkët, të përballen me regjimin e Ramës, që vjedh qytetarët shqiptarë. Ata që kanë mision luftën me qeverinë le të vijnë këtu dhe të ngrenë çadrat. Beteja nuk bëhet në studio televizive apo banaqet televizive, atje duhet të rrinë analistët, politikanët le të vijnë këtu dhe të protestojnë. Halli ynë i përbashkët është Rama dhe ligji zgjedhor dhe ai ligj është bërë me Berishën ndaj PD dhe Berisha të distancohen nga ai ligj dhe le të vijnë të na bashkohen. Ne e ngritëm çadrën dhe jam i bindur se do vijnë përsëri këtu t’i heqin. Këta nuk pyesin as për ligj, as për prokurori, as për kushtetutë, por ne duhet të vazhdojmë pa diskutim dhe pa u ndalur”.
© Panorama.al















