Protesta në ditën e 34-t të saj para Kryeministrisë nisi me himnin kombëtar dhe më pas u hap me një deklaratë për dhunën policore të ditës së djeshme para Kuvendit, ku u dhunuan dhe arrestuan protestuesit.
Ishte aktivistja Sidorela Vatnikaj që lexoi një deklaratë ku i bëri thirrje Policisë për lirimin e të ndaluarve, distancimin nga dhuna, vënien para përgjegjësisë së efektivëve që shkelën ligjin dhe qëndrimin larg provokimeve.
“Çdo përpjekje për ta frikësuar përmes përdorimit të forcës përbën cenim të demokracisë dhe lirive themelore. Dënojmë përdorimin e forcës jopropocipoale të Policisë ndaj protestuesve, dhuna, gazi lotsjellës dhe ushtrimi i dhunës së personave të neutralizuar që janë në parim të kundërt me standardet e demokracisë. Komiteti i Helsinkit ka shprehur shqetësime për mënyrën si u administrua protesta duke shprehur shqetësime për forcën e policisë dhe standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Nuk mund të përdoren si justifikim aktet e dhunës ndaj qytetarëve që protestuan paqësisht. Policia së Shtetit të kërkojmë të japësh sqarim për tejkalimin e kompetencave dhe rast të dyshuar dhune, çdo punonjës policie që ka shkelur ligjin dhe ushtruar dhunën të mbajë përgjegjësi. Policia nuk mund të përdoret si instrument për të intimiduar dhe ushtruar presion ndaj qytetarëve”, tha ajo mes të tjerash.
Më tej Vatnikaj vuri në dukje se Zvërneci nuk ishte rastësi me dhunën e ushtruar, sepse dje ajo u përshkallëzua, duke cenuar të drejtat e njeriut.
“Dhuna e Zvërnecit nuk ishte rast i izoluar, u përsërit edhe dje, ku një numër i madh protestuesish u përball me dhunën e qartë të policisë, duke cenuar të drejtën themelore të protestuesve për të protestuar paqësisht. Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të protestuesve, të dënohen veprimet arbitrare, që nuk mund të përdoren si instrument frikësimi ndaj ju kërkojmë: Lironi çunat”, vijoi ajo.
Më tej në deklaratë bëhej thirrje edhe për kontrollet dhe reprezaljet e Policisë në kufi ndaj emigrantëve që do vijnë për protestën e nesërme, 4 korrik. Vatnikaj bëri thirrje për pjesëmarrje masive.
“Shprehim shqetësim edhe për kontrollet e imtësishme në pikat doganore për të gjithë qytetarët shqiptarë duke nisur nga dita e djeshme, ndalni dhunën dhe represionin policor. I bëjmë thirrje Policisë që ditën e nesërme në protestë të distancohen nga çdo akt dhunë, person i infiltruar dhe provokim, detyra e tyre është të sigurojë mbarëvajtjen e protestës dhe jo të përdorë forcën për të penguar protestën. I bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë që do marrin pjesë nesër, ta mbrojnë karakterin e kësaj proteste paqësore. Provokimet i shërbejnë vetëm atyre që duan ta mbajnë të paprekur sistemin. Ftoj të gjithë qytetarët shqiptarë kudo që ndodhen që të marrin nesër pjesë në protestën qytetare dhe paqësore, ne duam një Shqipëri të re dhe njëkohësisht lironi shokët tanë”, përfundoi ajo.
© Panorama.al















